Një debat presidencial në normalitetin e ri

Nëntori i këtij viti përfaqëson edhe fundin e mandatit të parë presidencial për Donald Trump.

Nga Redi Shehu

Nëntori i këtij viti përfaqëson edhe fundin e mandatit të parë presidencial për Donald Trump. Afrimi i këtij muaji, ka shënuar edhe kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjen e presidentit  të SH.B.A-ve. Sinjalet e këtij afrimi duken që me ashpërsimin e toneve të fushatës si dhe me debatin e parë mes presidentit aktual Trump dhe kandidatit për president Biden. Një debat i çuditshëm në një kohë të jashtëzakonshme si pandemia, u përshkua nga kaosi, mosrespektimi i rregullave si dhe fyerjet personale, fenomene këto jo të zakonshme gjatë debateve të mëparshme. Siç edhe mund të merrej me mend, i pari që prishi rregullat e debatit nuk mund të ishte kush tjetër veçse Trump me arrogancën si dhe narcizizmin e tij që kësaj here mund të ketë gjasa t’i kushtojë rizgjedhjen.  Është e kuptueshme që strategjia e Trump, ishte të tregohej agresiv ndaj një kandidati të cilësuar si “i fjetur”, në mënyrë që të mund të arrinte një dominancë të dukshme ndaj Biden. Por, rezultati tregoi se në vend që kjo strategji t’i jepte përparësi Trump, ajo arrit të zgjonte nga “gjumi” Biden, i cili u detyrua të kundërsulmonte. Edhe pse debati nuk pati ndonjë fitues, për të mos thënë se të dyja palët dolën humbëse në këtë përballje, dominanca e Trump ngeli vetëm në dëshirën e tij dhe agresioni si dhe arroganca e shfaqur prej tij, u kthyen në efektin e kundërt.

Debatet televizive presidenciale, që prej debatit të parë Kenedy vs. Nixon në 1960, kanë qenë shumë të rëndësishme për të përcaktuar fituesin e radhës, Kjo rëndësi ka vazhduar deri vonë, përjashtuar dekadën e fundit, dekadën e shoqërisë së rrjetit dhe kominikimit dixhital, e cila i ka dhënë shikuesve super informacion të përditshëm lidhur me atë se çfarë ndodh me zgjedhjet si dhe sjelljet e kandidatëve. Thënë ndryshe, në ditët e sotme rëndësia e debateve presidenciale ngelet, por jo aq përcaktuese sa më parë. Debatet presidenciale kanë përfaqësuar një simbol të demokracisë amerikane, por frika është se me debatin e fundit, gjëja tani po kthehet në një karneval politik. Në fakt, kjo nuk duhet të na çudisë shumë, në një kohë si kjo e sotmja ku zbavitja është thelbi i saj dhe çdo gjë duhet t’i përshtatet asaj. Kjo bën që vëmendja elektorale të përqëndrohet në anën argëtuese të debatit, në formën se si gjërat thuhen, dhe jo në thelbin e tyre, pra në atë se si e tha dhe jo në atë së çfarë tha. 

Ajo që e ndërlikoi si dhe e bëri të veçantë këtë fushatë, është sëmundja e papritur e presidentit Trump me Covid 19. Ngjarje kjo, si për të konfirmuar për të disatën herë që një nga veçoritë e këtij virusi është edhe rrafshimi i hierarkive, duke niveluar pabarazitë dhe prekur këdo, qoftë edhe ata që kanë përkujdesjen dhe privilegjet me të larta. Infektimi i Trump e ndërlikoi situatën elektorale amerikane për shumë arsye. Së pari, është një ngjarje e papreçedent ku një kandidat apo president aktual të sëmuret gjatë fushatës. Kjo, e bën të pamundur nga ana proçeduariale ndërrimin e kandidatëve nëse e keqja do të mund të ndodhte, dhe kandidatët janë të dënuar të vazhdojnë deri në fund garën pavarësisht gjëndjes së tyre.

E dyta, infektimi i njërit kandidat, në rastin konkret, presidentit Turmp, tërheq vëmendjen elektorale, mediatike si dhe empatine kolektive ndaj atij që është sëmurë, duke lënë mënjanë tjetrin. Jo vetëm kaq, por kjo gjëndje e komplekson kandidatin e majtë Biden i cili duhet të jetë i kujdesshëm të mos ushtrojë agresiviteti, sepse do të interpretohej si humbje e ndjesisë ndaj kandidatit të sëmurë.

Infektimi Trump erdhi si me porosi, pikërisht në kohën kur ai ndodhej në kuota jo të mira të sondazheve elektorale. Vetë sëmundja, rëndimi, shkuarja për në spital, maska në fytyrën e atij që kishte qenë kundërshtari më i fortë i saj, tërhoqën si me magnet vëmendjen e të gjithë globit, e për rrjedhojë edhe vëmendje më të madhe të zgjedhësve amerikanë. Dalja e tij nga spitali si triumfator, heqja në mënyrë demonstrative të maskës në publik, ishte një akt triumfi i tij ndaj sëmundjes, një fitore sanitare e cila, nga stafi i Trump serviret si premisë për një fitore elektorale. Shumë zgjedhës të zhgënjyer republikanë që për dhjetra arsye nuk do të donin ta votonin përsëri Trump, si dhe shumë të pavendosur, kanë shanse që për shkak të kësaj sëmundjeje, këtij viktimizimi, të mund të rikthehen si votues të tij duke ndryshuar balancat elektorale. 

Përveç kësaj ndodhie, fushata si dhe debatet televizive mes kandidatëve, fatkeqësisht konfirmuan një realitet të trishtë të politikës amerikane e cila pëfshihet vetëm me një fjalë “krizë lidershipi”. Ky debat, tregoi se sa pesimiste duket pamja e të ardhmes politike të Sh.B.A-ve sot, e cila tregon se edhe nëse shoqëria amerikanë nuk është e çarë, të paktën me qëndrimet e kandidatëve për presidentë, ajo duket e plasaritur. Për herë të parë sot diskutohet nëse presidenti Trump humb zgjedhjet, a do të ketë përplasje civile mes grupeve të armatosura që tashmë ndodhen rrugëve amerikane. Sot, amerikanët duhet të vendosin jo thjesht për të zgjedhur presidentin e radhës , por për të  vendosur nëse do të jenë pro ose kundër rracizmit, ksenofobisë, arrogancës, kultit të individit, islamofobisë dhe narcizizmit.