12.5 C
Tiranë
E diel, 5 Dhjetor, 2021

Një rifreskim memorial!…

Nga Evans Drishti

 

Kishte kaluar një ditë e gjatë me plot impenjime, por kur u kthye në shtepi, sikur i kaloi e tërë ajo lodhje dhe rraskapitje… Pse vallë?

Ishte orë e darkës, kur vuri re zonjën e moshuar të shtëpisë, teksa po përgatiste një brumë. Një merak i kaploi shpirtin e tij në çast, teksa po tentonte të kuptonte se ç’po përgatitej në atë orë të mbrëmjes. Zuri një qoshe të dhomës në heshtje dhe tërë fokusimin e tij ia drejtoi atij gatimi interesant.

Zonja po përgatiste një brumë, të cilin e rrahu për minuta të tëra deri sa u bind se tashmë kishte ardhur në formën e duhur. Më pas zuri për dore një ene të bardhë, disi të thellë dhe të zbukuruar anësoreve me plot lule, që i jepnin një shkëlqim dhe vezullim tejet të veçantë. Enën e lau mirë e mirë, pasi edhe për nga natyra i kushtonte shumë rëndësi pastërtisë dhe higjienës. Në duar mbante doreza të tejdukshme, edhe kjo natyrshëm vinte si rezultat i kujdesit të saj ndaj pastërtisë. Zuri për dore brumin dhe me gishtërinjtë e saj nisi ti jepte një formë disi të rrumbullakët. Brumi nuk ngjeshej në gishtërinj, gjë që nënkuptonte se tashmë kishte marrë dendësinë e duhur. E vuri menjëherë në enën e larë dhe e mbuloi më pas me një bezë, të cilën si duket e përdorte vetëm për raste të tilla.

Atë mbrëmje s’bëri asnjë veprim tjetër, ndërkaq ngeli i merakosur se çdo të ndodhte të nesërmen.

Mëngjesi i së nesërmes trokiti si me rrëmbim, e ndërkohë që u zgjua, harroi se kishte për të vajtur në punë, ndërkohë që i mbështjellë nga kureshtia që e mbante të mbërthyer tërë natën shkoi menjëherë në kuzhinë dhe kur pa zonjën e moshuar që po përgatiste bukë me brumin që e kishte lënë të vinte që në mbrëmje. Kureshtja iu shtua edhe më shumë, kur pa se mbi tryezë nuk qëndronte vetëm një enë për gatimin e bukës për t’u pjekur, përkundrazi kishte plot dhjetë të atilla.

Minutat kaluan si pa u kuptuar, ndërkohë që zonja kishte gatuar plot dhjetë bukë, të cilat i kishte reshtuar mbi tryezën që ishte mu përbri dritares.

Iu afrua dhe e pyeti: “Përse dhjetë të tilla? Neve nuk na nevojiten kaq shumë.”, më pas zonja iu përgjigj: “E kemi në traditën tonë që kur të gatuajmë diçka, të përgatisim pak më shumë që t’ua japim edhe komshinjve dhe njerëzve në nevojë. Ka shumë njerëz që kanë nevojë qoftë edhe për një kafshatë buke.”

***

E diela erdhi shpejt.

Një natë më parë e ëma kishte nisur përgatitjet për drekën e të nesërmes, e cila ç’është e vërteta në të shumtën e rasteve shënonte një ditë festive, që mbahej mend gjatë në kujtesë, pasi dreka e së dielës mblidhte në oborrin e shtëpisë nipër dhe mbesa. Epiqendra ishte gjyshja, e cila megjithëse ishte e një moshe të thyer, asnjëherë nuk e shfaqte atë përthyrje moshore, përkundrazi tregohej përherë e fortë, e mbajtur dhe e gatshme për të kryer shumë impenjime të shtëpisë, e sidomos kur vinte puna tek gatimet, të cilat padyshim “i qante”.

Mund të thuhej se ishte “gjyshja” sebebi i mbledhjes së nipërve dhe mbesave në shtëpinë e saj, pasi ajo përbënte edhe truallin e trashëgimisë së familjes, ishte mbështetësja kryesore për mbarëvajtjen e punëve, ishte pikëreferimi i çdokujt që kërkonte një “konsulencë” për një çështje të caktuar…

Gatimet qenë të shumta të dielave, ku më shumë spikaste “byreku” dhe “japraku”, e natyrshëm finalizohej me “ëmbëlsirën” si ajo që i bashkonte dëshirat e nipërve dhe mbesave.

Mblidheshin plot gëzim dhe hare dhe kujtonin me ëndje kohët e fëmijërisë dhe ato shërbesa që gjyshja kishte ofruar për secilin prej tyre. Tryeza shtrohej mjaft këndshëm, ishte mbulesa tradicionale me një qëndisje mjaft joshëse e ngelur që në kohën e “pajës së gjyshes”. Çdo gjë zinte për mrekulli vendin e vet në atë tryezë që ishte sa fine dhe e thjeshtë, po aq edhe madhështore për mbresat që linte tek të gjithë. Çdo gjë shijohej në atë tryezë, çdo gjë kishte një tjetër shije dhe tjetër ëmbëlsi, supa e gatuar me aq përkujdesje, byreku me ato kërcitjet e petave të përgatitura me dorë, sallatat që të buzëqeshnin me larmishmërinë e tyre dhe natyrshëm ëmbëlsira që ngrohte shpirtrat dhe ëmbëlsonte bisedat plot hijeshi…

 

Tradita bashkon zemrat dhe shijet e bukura…

Tradita ripërtërin shpirtin e rënduar kthetrave të kohës…

Tradita gjallëron mendjen e tundosur në kapërdirjet e jetës…

Tradita kthjellon memorien dhe kujtesën në përpjekje për të rikuptuar identitetin…

Le ta përqafojmë këtë traditë, por me sinqeritet të vërtetë dhe buzëqeshje të ngrohta, pasi vlerat njerëzore ngelen të përjetshme në kujtesën popullore…

 

 

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme