“Njeri sillet si pasha e tjetri si sulltan”/ Basha publikon një video-mesazh: Ndryshimi kulturor po vjen, për një politikë normale, në një vend normal me ekonomi normale

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka publikuar një tjetër video duke dhënë kështu një tjetër mesazh. Kryedemokrati thekson se Partia Demokratike është parakushti i ndryshimit, i cili do të vijë nga ndryshimi kulturor që lë pas kultin e individit që ende gjallon në politikën e tranzicionit.

Basha nënvizon më tej se PD do ndërtojë një politikë normale, që çliron potencialin e jashtëzakonshëm të vendit dhe granton një të ardhme më të mirë.

“Partia Demokratike mbetet shpresa e vetme për këtë ndryshim. Nuk bëhet thjeshtë fjalë për ndryshim politik, pra për ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, që padiskutim, me vizionin dhe programin tonë është parakushti për ndryshimin politik, por për një ndryshim kulturor. Raporti i qytetarit me pushtetin, raporti i votuesit me të votuarin, raporti me drejtuesin, me kultin e individit, që menduam se e shkulëm më 20 shkurt 1991, por që vazhdon të gjallojë në politikën shqiptare. Njëri sillet si pasha, apo si sulltan, tjetri është në delir, tjetri mendon se e ka me tapi të përjetshme Partinë Demokratike. Një nga aspektet kryesore të ndryshimit kulturor që po vjen, është ndërtimi i një politike normale, me politikanë normal, që është parakushti i një vendi normal, me ekonomi normale dhe ku njerëzit të jetojnë në normalitet. Normalja është dhurata më e madhe, që ky ndryshim politik dhe kulturor do t’u sjellë shqipëtarëve”, shprehet Basha.