“Operacionet tokësore do të ishin shkatërruese për Izraelin”

Izraeli nuk do të ishte në gjendje të shpëtonte veten derisa të ndryshonin ekuilibrat, tha një figurë e lartë e Hamasit

Operacionet tokësore në Rripin e Gazës do të ishin një katastrofë për Izraelin dhe do të ndryshonin ekuilibrin e luftës, tha nënkryetari i Byrosë Politike të Hamasit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Saleh al-Aruri, duke folur për televizionin Al-Aksa në pronësi të Hamasit, në lidhje me raportimet se Izraeli do të fillojë operacionet tokësore në Gaza të premten, tha se forcat e rezistencës janë të afta të befasojnë forcat izraelite dhe kanë armë më të fuqishme se ato që janë përdorur në përballjet e mëparshme.

“Operacioni tokësor do të ishte një katastrofë për okupatorin dhe nuk do të jenë në gjendje të shpëtojnë nga ajo derisa të ndryshojë ekuilibri i luftës”, tha Aruri, duke shtuar se përgatitjet e Hamasit për një operacion të mundshëm tokësor janë shumë më të mëdha sesa sulmet raketore.

Ai nënvizoi se forcat e rezistencës kanë bërë përgatitjet për të sprapsur me sukses çdo operacion të ri tokësor.

Linjat e frontit në Bregun Perëndimor të okupuar, Rripin e Gazës dhe zonën e Gjelbër, ku jetojnë arabë dhe izraelitë, janë thelbësore për fitoren, tha ai.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite të premten mohoi raportet se për nisjen e operacioneve tokësore në Gaza, duke ia hedhur fajin një përkthimi të gabuar në raportet e mëparshme.

Brigadat Izzeddin al-Kassam, krahu ushtarak i Hamasit, u kanë bërë thirrje të gjithë palestinezëve që të luftojnë forcat izraelite në sheshe për të shënuar 73-vjetorin e pushtimit të Izraelit më 15 maj 1948 në territoret palestineze, të quajtur Nakba.

Deklarata u bëri thirrje palestinezëve që t’u japin “zionistëve makthe dhe t’i bëjnë ata të paguajnë çmimin për okupimin e tyre të territoreve palestineze”.

Urdhër për dëbim, protesta dhe sulme ndaj palestinezëve

Tensionet kanë qenë të larta që nga java e kaluar, kur një gjykatë izraelite urdhëroi dëbimin e familjeve palestineze nga lagja Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor.

Palestinezët që protestonin për solidaritet me banorët e lagjes ishin në shënjestër të forcave izraelite.

Forcat pushtuese bastisën gjithashtu Xhaminë Al-Aksa gjatë namazeve të veçanta të natës gjatë muajit të shenjtë musliman të Ramazanit.

Përshkallëzimi pasues i tensioneve rezultoi në sulme ajrore nga Izraeli në Gaza që lanë të vrarë rreth 140 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967 dhe aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, lëvizje kjo që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.