Pa dekomunistizim, me tranzicion!

Nga Redi Shehu

20 Shkurti i këtij viti, shënoi edhe 30 vjetorin e rënies së bustit të Enver Hoxhës. Kjo ngjarje, përbën një moment themelor në ndryshimin e një epoke drejt një tjetre në Shqipëri. Imagjinoni sikur ne sot si shqiptarë, të mos kishim një akt të tillë. Ne, nuk do të kishim një ngjarje më të cilën do t’i konfirmonim vetes, faktin e të qënurit njerëz të lirë. Nuk do të kishim një akt, mungesa e të cilit, do të na bënte të turpëroheshim para brezave të ardhshëm. Pa një akt të tillë, dhe pa pamjet filmike të asaj kohe, të sigurura si pasojë e punës së gazetarëve kurajozë të televizionit shtetëror, të cilëve iu deshën të rrezikonin për të mos iu bindur urdhërave të shefave të vet, ne sot nuk do të binim dakort mbi atë se në Shqipëri ndodhi ndryshimi.

Sa herë që i kthehesh atyre pamjeve emocionuese, ndjen se një farë entuziazmi të përshkon për shkak të asaj atmosfere transformimesh të mëdha që ndodhën në atë periudhë. Pas pothuaj gjysëm shekulli nën diktaturën më të egër komuniste, proçesi i daljes në liri nga burgu i madh shqiptar, padyshim që mbart emocione të cilat edhe pas tre dekadash ruajnë të njëjtin intenstitet. Lëvizjet studentore, grevat e urisë, protestat si dhe rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës dhe tërheqja zvarrë e tij deri tek qyteti studenti, kanë qenë aktet e para, dhe për fati e keq, të vetmet të dekomunistizimit të Shqipërisë. Ajo që pasoi më vonë ishte transformimi i një revolucioni popullor që zanafilloi me të gjithë vrullin e vet, në një marrëveshje politike me kastën e vjetër për të nxjerrë atë butësisht nga skena politike pavarësisht krimeve dhe padrejtësive më të pashembullta që ai regjim kishte kryer ndaj popullit të vet.

Çështja e dekomunistizimit është tejet e rëndësishme. Ajo ka të bëjë direkt me periudhën më të vështirë të kohëve moderne në të cilën ne po e jetojmë sot, atë të tranzicionit. Sa më e gjatë prezenca e personave, bindjeve, veprimeve dhe mendësive komuniste tek ne, aq më i gjatë vazhdon të jetë tranzicioni. Sa më i shkurtër ky proçes të ishte, aq më shpejt ne do ta kishim kaluar tranzicionin drejt një shoqërie me shtet të së drejtës dhe të standartizuar. Personat dhe mendësitë komuniste na kanë shoqëruar gjatë gjithë kohës së tranzicionit tonë. Ata u shfaqen si shenja në etapat dhe reformat kyçe që ky shtet do të duhej të merrte. Që nga ligji për tokën e deri tek konceptet për drejtësinë, pronën private, gjykatat, njohja dhe pranimi i fajit të komunizmit dhe dëmshpërblimi i tij dhe çdo proçes ndërtues të demokracisë hibride shqiptare, komunizmi si një hije ka qëndruar i fshehur nën pardesytë e elitës politike dhe kulturore të Shqipërisë. Paaftësia për t’u shkëputur nga periudha më e errët e jona, në fakt tregon dobësinë e vetpërceptimit që ne kemi për faktin e të qënurit shqiptar.

Jo vetëm kaq, por pas tre dekadash ne nuk po përballemi thjesht vetëm me paaftësinë e dënimit të kësaj periudhe, por ne sot jemi dëshmitarë të tendencave të rikthimit të shenjave, simboleve, grafikës dhe ideoligjisë së vjetër komuniste të sheqerosur dhe karamelizuar me idenë se dështimi i demokracisë tone, mund të zëvendësohet me periudhat e “arta” të asaj kohe. Sjellja e përvojës dhe historisë së komunizmit shqiptar në kontekstin e ri në të cilin ne ndodhemi, në kontekstin e një shoqërie të lirë është tejet i rrezikshëm. Ky akt vishet me “romantikën” e asaj kohe totalisht të shkëputur nga realiteti i egër i saj dhe mbivendoset në një shoqëri të rrjeteve sociale, të lirive personale dhe pronësore, të shoqërisë së imazhit dhe vanitetit, të dukjes dhe ekstravagancës dhe tenton ta projektojë veten si zgjidhja pobleme tona. Me pak fjalë, tendencë për ta futur shoqërinë tonë brënda një amnezie, një harrese të kujtesës historike lidhur me komunizmin. Por, ky është proçesi i parë, pra amnezia, harresa historike, qëllimisht serviret për të zhdukur nga memoria e secilit krimet dhe dëmet e asaj periudhe që i janë bërë qënies njerëzore si themeli i një shoqërie.

Proçesi i dytë, që vjen pas amnezisë është neuroza, pra deformimi. Pasi për gjatë tre dekadave ia kanë dalë me sukses për të prodhuar amnezi historike, pra harresë historike në lidhje më atë çka i ka ndodhur këtij populli për gjysëm shekulli, tani ka filluar proçesi i deformimit të ngjarjeve, të neurozës në lidhje me qëllimin dhe metodologjinë e atij sistemi. Teza se ai sistem zbatonte ligjet e kohës se ashtu ishte realiteti dhe se ai ka pasur edhe të mirat e tij, nuk është veçse fillimi i proçesit të neurozës historike e cila përpiqet të deformojë historinë e përjetimit të komunizmit në mendjet dhe përcëptimet sidomos të brezit të ri. Ajo tezë nuk përmend një parim themelor se çfarëdolloj sistemi i cili edhe pse mund të ketë pasur disa të mira të vogla, në kontekstin e mungesës së lirive themelore të njeriut, kthehen në të pavlera në vetvete, sepse kanë qenë në funksion pikërisht të rrënimit të këtyre lirive.

Shqipëria, ndryshe nga vendet ish-komusite të Evropës Lindore, ka dështuar ta dekomunistizojë shoqërinë e saj. Këtë e ka bërë ndoshta edhe me një farë qëllimi. Në vitin 1997 nga arkivat tona janë zhdukur 40 mijë dosje të personave të lidhur me sistemin komunist si dhe mbi një mijë emra konkret funksionarësh të lartë të cilët janë të implikuar dhe sot e kësaj dite në politkbërjen shqiptare. A është ky faji i shqiptarërve apo i elitave shqiptare? Disa thonë se fajin e kanë shqiptarët të cilët prodhuan dhe e mirëmbajtën këtë klasë udhëheqëse, disa të tjerë thonë se fajin e kanë elitat të cilat me mekanizmat e pushtetit prodhuan këta shqiptarë të tranzicionit plot defekte dhe amoralite.

Personalisht besoj se nuk mund të fajësohet një popull për kulturën e tij, sepse do të rrëshqisnim në rracizëm kulturor i cili tenton të kriminalizojë kultura të caktuara në favor të disa të tjerave. Asnjë nga popujt nga ka lindur i gatshëm për proçese përmirësuese, aq më tepër asnjë nga popujt nuk ka lindur i gatshëm për demokraci. Ata kanë arritur të përmirësohen përmes proçeseve që kanë dashur kohë, por mbi të gjitha kanë dashur qeveri dhe elita të drejta politike. Mos dekomunistizimi i eltave tona e ka kaluar çështjen në mosdekomunistizim të mendësitë tona të cilat përcillen brez pas brezi duke prodhur një rendiment të ulët në proçeset përmirësuese politike dhe standartizuese të vendit. Që dekomunistizimi përfundimtar të ndodhë, duhet që drejtësia të vendoset në vend, që pranimi i fajit të bëhet, që kompensimi dhe dënimi i fajtorëve të jetë kryer, dhe që shoqëria jonë përfundimisht të kalojë në proçesin e vetpastrimit. Vetëm atëhere mund të shpresojmë për përmirësime të dukshme, për demokraci funksionale dhe për mbarim njëherë e mirë të tranzicionit tonë.