Pandemia e Covid-19 do të ndryshojë përgjithmonë rendin botëror

Pandemia ka nxitur krijimin e një anakronizmi, rilindjen e konceptit të qytetit të rrethuar me mure në një epokë kur zhvillimi varet nga tregtia globale dhe lëvizja e njerëzve.

Koment nga Henri A. Kisinger

Atmosfera e jashtëzakonshme e krijuar nga Covid-19, më sjell ndërmend kohën kur isha një ushtar i ri i Divizionit të 84-të të Këmbësorisë, gjatë Betejës së Ardeneve. Tani, ashtu si në fund të vitit 1944, ka nisur një rrezik i ri, që nuk i kanoset çdo njeriu njëlloj, por që godet në mënyrë të rastësishme e shkatërruese. Megjithatë, ekziston një ndryshim i rëndësishëm midis asaj kohe të largët dhe periudhës që po jetojmë tani. Asokohe, qëndrueshmëria amerikane fuqizohej nga një qëllim i lartë kombëtar. Ndërsa tani, në një vend të ndarë, është e nevojshme një qeveri efikase dhe largpamëse për të kapërcyer pengesa të pashembullta përsa i përket përmasave dhe shtrirjes së tyre globale. Sigurimi i besimit publik është thelbësor në solidaritetin shoqëror, në marrëdhënien e shoqërive me njëra-tjetrën dhe në paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Kombet qëndrojnë të bashkuar dhe përparojnë falë besimit se institucionet e tyre mund të parashikojnë një katastrofë, të parandalojnë në kohë ndikimin e saj dhe të rikthejnë stabilitetin në vend. Kur të ketë përfunduar pandemia e Covid-19, institucionet e shumë vendeve do të konsiderohen se kanë dështuar. Nuk ka rëndësi nëse ky konstatim është i drejtë apo jo. E vërteta është se bota nuk do të jetë më e njëjta pas koronavirusit. Diskutimet për të kaluarën vetëm sa e bëjnë edhe më të vështirë punën që duhet kryer tani.

Goditja e koronavirusit ka qenë e një shkalle dhe shpejtësie të jashtëzakonshme. Përhapja e sëmundjes është eksponenciale: rastet në Amerikë po dyfishohen çdo pesë ditë. Deri tani, nuk është gjetur ende një kurë. Furnizimet mjekësore janë të pamjaftueshme për t’u përballur me valat e reja të rasteve që sa vijnë e rriten. Njësitë e kujdesit intensiv janë në prag të limiteve të kapaciteteve të tyre ose tashmë i kanë tejkaluar ato. Testimet e disponueshme nuk mjaftojnë për të zbuluar shkallën e vërtetë të përhapjes së nfeksionit, aq më tepër për të ndalur përhapjen e tij. Gjetja e një vaksine të suksesshme mund të kërkojë 12 deri në 18 muaj.

Administrata amerikane ka bërë një punë të mirë në shmangien e katastrofës së menjëhershme. Prova më e madhe do të jetë nëse do të arrihet të frenohet dhe të ulet përhapja e virusit në një mënyrë dhe shkallë që të mund të ruhet besimi publik në aftësinë qeverisëse të Amerikës. Përpjekjet e krizës, sado të gjera dhe të nevojshme, nuk duhet të pengojnë detyrën urgjente për nisjen e një përpjekjeje paralele për tranzicionin në rendin e ri pas koronavirusit.

Udhëheqësit po përballen me këtë krizë në një mënyrë tepër tradicionale, por efektet e virusit në shpërbërjen e shoqërisë nuk njohin kufij. Edhe nëse dëmi i virusit në shëndetin njerëzor mund të jetë i përkohshëm dhe shpresojmë që të jetë i tillë, trazirat politike dhe ekonomike që ka krijuar, mund të zgjasin për breza me radhë.

Asnjë shtet, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mund ta kalojë këtë virus duke u mbështetur vetëm në një përpjekje kombëtare. Përpjekjet për plotësimin e nevojave të tanishme duhet të shoqërohen me një vizion dhe program të shkallës globale. Nëse nuk arrijmë t’i realizojmë të dyja njëkohësisht, do të përballemi me pasoja shumë më të rënda.

Duke nxjerrë mësime nga zhvillimi i Planit Marshall dhe Projektit Manhatan, SHBA-ja duhet të ndërmarrë një përpjekje të gjerë në tre fusha. Së pari, duhet të mbështesë qëndresën globale ndaj kësaj sëmundjeje infektive. Triumfet e mëparshme të shkencës së mjekësisë si, vaksina ndaj poliomielitit dhe lisë, ose krijimi i diagnostikimit mjekësor nëpërmjet inteligjencës artificiale, një mrekulli e vërtetë statistikore-teknike, kanë nxitur tek njerëzit një moskokëçarje të rrezikshme.

Duhet të zhvillojmë teknika dhe teknologji të reja për kontrollin e infeksionit dhe vaksina në masë për popullsinë e gjerë. Qytetet, shtetet dhe rajonet duhet të përgatiten sistematikisht për të mbrojtur njerëzit kundër pandemisë, nëpërmjet grumbullimit të rezervave, planifikimit bashkëpunues dhe eksplorimeve shkencore.

Së dyti, duhen përpjekur të shërohen plagët në ekonominë botërore. Udhëheqësit globalë kanë nxjerrë mësime me vlerë nga kriza financiare e vitit 2008. Kriza e tanishme ekonomike është edhe më e ndërlikuar: Tkurrja ekonomike e shkaktuar nga koronavirusi, për nga shpejtësia e përhapjes dhe shkalla globale, është e pangjashme me çdo gjë që kemi njohur më parë në histori.

Dhe masat e nevojshme në shëndetin publik, si distancimi social, mbyllja e shkollave dhe bizneseve, po kontribuojnë edhe më tepër në rëndesën ekonomike. Programet politike dhe ekonomike gjithashtu duhet të synojnë të zbusin efektet e kaosit të pashmangshëm në popullsitë e vendeve më të dobëta dhe në rrezik.

Së treti, duhen ruajtur parimet e rendit botëror liberal. Legjenda themeluese e qeverisjes moderne, është një qytet i rrethuar me mure dhe i mbrojtur nga sundues të fuqishëm, herë despotikë, herë dashamirës, por gjithnjë mjaft të fortë për të mbrojtur njerëzit nga një armik i jashtëm.

Mendimtarët e iluminizmit e rimodeluan këtë koncept, duke argumentuar se qëllimi i një shteti legjitim, duhet të jetë që t’u mundësojë njerëzve nevojat e tyre themelore: siguri, rend, mirëqenie ekonomike dhe drejtësi. Individët nuk mund t’i sigurojnë këto gjëra të vetëm. Pandemia ka nxitur krijimin e një anakronizmi, rilindjen e konceptit të qytetit të rrethuar me mure në një epokë kur zhvillimi varet nga tregtia globale dhe lëvizja e njerëzve.

Demokracitë e botës duhet të mbrojnë dhe të ruajnë vlerat e Iluminizmit. Një tërheqje globale nga koncepti i barazpeshimit të pushtetit dhe legjitimitetit, do të çonte në shpërbërjen e kontratës sociale, si në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Megjithatë, çështja mijëvjeçare e legjitimitetit dhe pushtetit, nuk mund të zgjidhet njëkohësisht me përpjekjen për të mposhtur Covid-19. Duhet të ketë përmbajtje në të gjitha anët – si në politikën kombëtare dhe në diplomacinë ndërkombëtare. Duhen vendosur prioritete.

Kemi kaluar nga koha e Betejës së Ardeneve, në një botë shumë më të përparuar që e vlerëson shumë më tepër dinjitetin njerëzor. Tashmë po jetojmë në një periudhë epokale. Udhëheqësit ndodhen përballë sfidës historike për të menaxhuar krizën duke ndërtuar njëkohësisht të ardhmen. Dështimi mund të sjellë pasoja katastrofike për botën./ Monitor