Për të dytën ditë radhazi, Spanja pa asnjë viktimë nga Covid-19

Spanja planifikon të rihapë dyert e saj për turizmin ndërkombëtar nga 1 korriku.

Për të dytën ditë radhazi, Spanja nuk ka regjistruar asnjë vdekje nga koronavirusi i ri (COVID-19), ndërkohë të dhënat e tregut të punës nga muaji maj pasqyrojnë një ngritje në punësim pas lehtësimit të bllokimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Spanja, e cila ka lejuar që kafenetë në trotuar dhe dyqanet e vogla të veprojnë në të gjithë vendin për më shumë se një javë, raportoi vetëm 137 raste të reja të virusit, rreth dy herë më shumë se dita e mëparshme.

Gati gjysma e vendit e ka lejuar këtë aktivitet për tre javë dhe po ashtu lejon që restorantet dhe qendrat e brendshme të funksionojnë.

Gjithsej rreth 240 mijë persona kanë kontraktuar koronavirusin në Spanjë, ndërsa numri i përgjithshëm i vdekjeve është 27.127.

Të dhënat e vdekjeve të raportuara nga Ministria spanjolle e Shëndetësisë, e cila thotë se gjatë dy ditëve të fundit nuk ka pasur vdekje të lidhura me koronavirusin, bien ndesh me raportet rajonale. Autoritetet lokale në Madrid dje njoftuan 11 vdekje, Katalonia sot raportoi nëntë vdekje dhe Asturias raportoi nëntë vdekje gjatë dy ditëve të fundit.

Konfuzioni rreth të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Spanja ka qenë i mprehtë pasi javën e kaluar ndryshoi mënyrën e raportimit të vdekjeve dhe infeksioneve.

Ndërkohë, të dhënat e punësimit të publikuara sot tregojnë se heqja e masave të bllokimit muajin e kaluar ka kontribuar në krijimin e vendeve të punës.

Krahasuar me muajin prill, muaji maj pa pothuajse 100 mijë njerëz në Spanjë të regjistruar për të punuar. Të dhënat zbuluan se rreth dy në çdo dhjetë vende pune të humbura që nga muaji mars ishin kthyer deri në fund të muajit maj.

Pak mbi 450 mijë punëtorë, të cilëve iu dha leje për pushim të detyruar, po ashtu u kthyen në punë muajin e kaluar, por rreth 3 milionë njerëz janë pushuar përkohësisht.

Sektorët që merren me numrin e madh të punëtorëve joaktiv janë në industrinë e mikpritjes dhe shitjeve.

Masat e higjienike dhe ato të distancës sociale mbeten në fuqi në të gjithë Spanjën, por ato do të vazhdojnë të lehtësohen në mënyrë graduale gjatë muajit, me pjesën më të madhe të vendit, siç është vendosur, për të arritur “normalitetin e ri” deri në fund të qershorit.

Spanja planifikon të rihapë dyert e saj për turizmin ndërkombëtar nga 1 korriku.