Përse nuk identifikohemi?

Nga Evans Drishti

Kishin shkuar që herët në sallën ku do të zhvillohej takimi me intelektualin, pasi edhe nga vetë emërtimi bëhej fjalë për një intelekt tepër të zhvilluar dhe të gjerë, që do të paraqiste të dhëna interesante në lidhje me temën. Salla u mbush e tëra, gjë që tregonte një interesim të dukshëm jo vetëm ndaj të ftuarit, por edhe ndaj temës që do të merrej në trajtesë.

Çdokush ishte i pajisur me mjetet e duhura për të marrë, natyrshëm, disa shënime me vlerë, që në një mënyrë do shërbenin edhe si një busull orientuese në krijimin e një boshti koherence për t’u qartësuar çdo tematikë në trajtesë.

Megjithatë, gjithçka varej nga interesimi i shfaqur. Por, në rastet kur pjesëmarrja është e dukshme edhe pritshmëria bëhet akoma më e madhe. Në fund të fundit, përse duhet të vijë individi që s’ka interes të shpenzojë minuta të tëra për të dëgjuar diçka, e cila për të mund të mos jetë tërheqëse?

Ligjërimi nisi me të shpejtë i shoqëruar jo vetëm nga një timbër i dukshëm zëri tingëllues, por edhe nga pamjet vizuale të përgatitura rigorozisht që e jepnin edhe më të qartë thelbësoren. Dukej qartë se folësi ishte mëse i përgatitur qoftë nga materiali i shkruar, qoftë nga mjetet që përdorte, qoftë nga insertet tërheqëse, e sidomos nga shpjegimet plot detaje dhe argëtuese njëkohësisht.

Priste ligjëruesi që gjatë kohës së shpjegimeve të kishte edhe reagime të ndryshme, që natyrshëm do të krijonin një atmosferë sa më atraktive dhe do të gjallëronin edhe diskutimin, por jo… Herë pas here e ndërpriste bisedën me qëllimin e mirë të tërhiqte vëmendjen e të pranishmëve në sallë, ndryshonte intonacionin, ndryshonte mimikën, vinte thekse të ndryshme frazave të ndryshme, e madje në disa momente i drejtohej sallës duke i pyetur: – Si po ecën deri tani? Ka diçka të paqartë? Nëse ka dikush diçka që dëshiron të shtojë apo edhe të pyesë, patjetër që e mirëpresim me shumë kënaqësi… Por …. Asnjë reagim nga salla… Asnjë tingull zanor nuk dëgjohej… Salla shfaqej si e mpirë.

Ligjëruesi vijonte ligjërimin e tij me të tjera nuanca, me të tjera shpjegime interesante, me një terminologji që natyrshëm tingëllonte ndryshe nga e përditshmja, ofronte detaje shumë domethënëse, përdorte fjalë dhe fraza që s’kishin si të mos bënin përshtypje, krijonte lidhjet e duhura mes çështjeve që trajtonte, tregohej shumë i lidhur me të pranishmit dhe për asnjë çast nuk i shkëpuste vështrimet e veta prej tyre me qëllimin e mirë të merrte ndonjë reagim që padyshim do ta gëzonte…

Kishte përgatitur madje edhe ca pyetje që prisnin përgjigje të shkurtra, gjithnjë me idenë e qartë se ligjërimi të merrte trajtën e një diskutimi energjik, ku pyetjet dhe përgjigjet të endeshin në sallë dhe të përplaseshin këndshëm dhe trajtesa të merrte një tjetër spektër ngjyrash që do të reflektonin në sytë dhe mendjet e secilit…

Minutat rrodhën si pa kuptuar dhe biseda mbërriti në momentet e fundit. I bindur në vetvete se gjithçka e kishte trajtuar më së miri shoqëruar me plot risi dhe informacione konkrete dhe të kuptueshme, iu drejtua sërish të pranishmëve se mos ndoshta dikush mund të bëhej i gjallë të reflektonte se diçka kishte ndodhur në atë sallë për aq shumë minuta.

I vetmi reagim ishin duartrokitjet dhe një falënderim që vinte i zhurmueshëm dhe jo aq i kuptueshëm sa ç’ishte edhe e tërë biseda që ishte zhvilluar për ato minuta. Dukej sikur të pranishmit sapo qenë kthyer nga një udhëtim imagjinar, jo për të kuptuar temën e diskutuar, por për të kuptuar se ç’ndodhte vallë në botën e jashtme prej së cilës qenë shkëputur për aq minuta.

Në rrugëtimin e formimit të një identiteti degëzimet mund të jenë të larmishme, diku një program kulturor, diku një film, diku një seminar, diku një ekspozitë, diku një shëtitje … Por që në thelb qëndron shkollimi i mirë dhe të qenurit një lexues i mirë. Për sa kohë të angazhohemi me librin dhe leximin e rregullt krijojmë padiskutim një bazë të qëndrueshme ku identiteti ynë merr një formë të qartë që reflekton në çdo moment vetëdijen tonë.

Është e rëndësishme të kuptojmë se në thelb të ndërtimit të këtij identiteti qëndron dëshira dhe vullneti ynë i paepur për të kuptuar atë që na rrethon, për ti dhënë një përgjigje pyestjes më bazike: “Kush jam?, e cila shoqërohet patjetër edhe me pyetjen vijuese “Përse ekzistojmë?” Për të qenë të ekzistueshëm s’mjafton thjesht të vishemi, të ushqehemi apo të kryejmë nevojat e përditshmërisë, përkundrazi kërkohet të lexojmë vetveten dhe aspiratën tonë, të lexojmë qëllimin dhe objektivin tonë, të lexojmë prespektivën tonë. Këtë na e mundëson më së miri “dalja përtej të përditshmes” për të kuptuar se çfarë na shërben eventi në të cilin gjendemi si pjesëmarrës.

Njohja dhe prezantimi me “tjetrin” është një tjetër shtysë dhe moment kyç në njohjen dhe zhvillimin e identitetit tonë. Pasi këtu njohim “të ndryshmen” prej nesh dhe vizionin bashkëkohor që kërkon të na bëjë më largpamës. Për rrjedhojë, kjo largpamësi vjen si një siluetë që tenton gjithnjë të ofrojë “një shkëndijë” në memorien e identitetit tonë, si një mister që zbulon një tjetër zhvillim në formimin e një tjetër diapazoni.

Atëherë kur kemi kuptuar tjetrin dhe diapazonin e tij, bëhemi mëse të gatshëm të krijojmë në mëndjen tonë hapësira diskutimi që s’janë tjetër veçse shtigje që na nxjerrin në një identitet të mirëgatuar. Kudo të ndodhemi të pranishëm le ta pranojmë atmosferën si një dritare e sigurtë ku na ofrohet një “e ndryshme” prej nesh si një energji shtuese në formimin apo forcimin e identitetit tonë. Çdo frazë të lexueshme apo të dëgjueshme, çdo shkrepje e çastit nga memoria jonë, çdo qëndrim i yni që vjen si një reflektim i një reagimi momental, çdo shikim apo vështrim admirues apo kritik, çdo qasje ideore janë dhe mbeten përherë pikëreferenca të formimit të identitetit tonë.

Për sa kohë të jemi të reagueshëm dhe të reflektueshëm kuptojmë ekzistencën tonë dhe për rrjedhojë shfaqemi të kuptueshëm dhe të pranueshëm pasi shtysë e kësaj bëhet identifikimi. Përse ngurojmë të shtrojmë një pyetje? Përse ngurojmë të çelim një diskutim? Përse hezitojmë t’i shtojmë një mundim vetes? Përse shprehim një tendencë të përfitojmë vetëm nga më e thjeshta? Ashtu sikurse çdo identifikim i yni kërkon edhe dëshminë përkatëse ashtu edhe çdo impenjim kërkon një investim, i cili nis patjetër me një mundim me shpresën dhe besimin se “e ndryshmja” do na plotësojë “mangësinë” tonë identitare.
Për këtë

nevojitet “leximi” dhe “pyetja” për të kuptuar “leximin”,
nevojitet “dëshira” për të kërkuar një “lexim të mirë”,
nevojitet “vullneti” për ta kultivuar “leximin e drejtë”,
nevojitet “qëllimi” që i vëmë vetes për të përftuar “dëshminë” që na bën të kuptojmë “identifikimin tonë”
nevojitet “konceptimi” i saktë i kohës dhe rrethanës për të kuptuar aspiratën tonë,
nevojitet “intelekti” për të shmangur “naivitetin”,
nevojitet “guximi” për të mposhtur “ankthin”,
nevojitet “urtësia” për të kuptuar “ngërçin” që na rrethon…

Mos tentoni të zotëroni një “dëshmi” e cila nuk dëshmon identitetin tuaj të vërtetë, por tentoni të kuptoni atë që dëshironi, në mënyrë që dëshira t’ju shtyjë drejt dijes së vërtetë, e cila padyshim do ju ofrojë edhe dëshminë e një identiteti të plotësuar!…

Identifikohuni që të dëshmoni se kush jeni!…