Policia e Durrësit mohon të ketë dhunuar emigrantin, i cili e akuzoi për keqtrajtim

Qindra emigrantë ilegalë janë bllokuar në Shqipëri pas kufizimit të lëvizjeve si pasojë e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Mëngjesin e së premtes një emigrant që është bllokuar në Shqipëri pretendoi përpara mediave në derën e komisariatit të Policisë Durrës se ishte keqtrajtuar nga efektivet, duke u mbajtur i ndaluar për disa ditë, i pa ngrënë dhe pa veshje.

Ai u shpreh se quhej Elmedi Nouak dhe ishte me origjinë nga Maroku dhe tha se kishte dy fëmijë. Ai akuzoi efektivët e policisë se e kishin dhunuar. Por Policia e Durrësit sqaroi në një reagim pas akuzave se dhuna e ushtruar mbi burrin që kishte shenja në fytyrë ishte si pasojë e disa konflikteve që kishte pasur në qytet me persona të ndryshëm.

Më 19 maj sipas policisë ai kishte marrë ndihmë mjekësore në urgjencë dhe ishte rikthyer aty duke shqetësuar personelin mjekësor dhe krijuar trazira në ambientet e saj. Policia fillimisht kishte konstatuar shenja dhune dhe se “nga verifikimet e kryera  rezultoi se shtetasi i huaj ishte dhunuar nga një 30 vjeçar që punon si kamarier në një lokal të qytetit”.

Policia tha se kamarieri kishte pretenduar se emigranti nga Maroku kishte shkuar aty me sy të nxirë, në gjendje të dehur dhe kishte shqetësuar  klientët. Duke kundërshtuar të largohet nga lokali sipas policisë ai ishte konfrontuar fizikisht me kamarierin. Ndaj kamarierit u tha që kishin filluar hetimet.

Policia shpjegoi se e kishte identifikuar për herë të tretë emigrantin nga Maroku pas njoftimeve se në “Sheshin Pranvera” ai ishte konfliktuar me kalimtarë  të rastit dhe pas kontrollit i kishte konstatuar se ai ishte në gjendje të  dehur dhe i ishte gjetur një sasi të vogël lënde narkotike “Cannabis Sativa”.

Ai ishte lënë i lirë pas procedimit për veprën penale, “Prodhim dhe shitje te lëndëve narkotikeve”. Qindra emigrantë ilegalë janë bllokuar në Shqipëri pas kufizimit të lëvizjeve si pasojë e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në Durrës një pjesë e tyre kanë rrëfyer për rrugëtimin shumë ditor në këmbë nga Afrika drejt Europës. Në 2 qershor të vitit të kaluar një emigrant rreth të 20-tave u gjet i vdekur në një trotuar në Durrës, ndërsa policia dyshoi se ai kishte rënë nga lartësia e “Hotel Vollgës”.  Shqipëria megjithëse duhet t’u ofrojë refugjatëve kushte minimale të strehimit dhe ushqimit, nuk ia ka dalë. Dhjetëra prej tyre përfundojnë në rrugë kryesisht duke lypur. /reporter