Presidenti i Azerbajxhanit pret në takim zyrtarët e lartë turq

"Fitorja juaj është fitorja jonë. Forcat e armatosura të Azerbajxhanit nën komandën tuaj u demonstruan miqve dhe armiqve se për çfarë është e aftë", tha ministri Çavuşoğlu

Një delegacion i zyrtarëve të lartë turq u pritën në takim nga presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, pas një marrëveshjeje të arritur për t’i dhënë fund pushtimit të paligjshëm gati tre-dekadash nga forcat armene në Malësinë e Karabakut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, komandanti i Forcave Tokësore, Ümit Dündar dhe kreu i Organizatës Kombëtare të Intelegjencës (MIT), Hakan Fidan, u prit në Baku nga presidenti azerbajxhanas.

Duke theksuar se takimi ishte i pari pas fitores së Azerbajxhanit në Malësinë e Karabakut, Aliyev falënderoi Turqinë për mbështetjen e saj.

“Për gjithë këto 44 ditë (të operacioneve), ne gjithmonë kemi ndjerë mbështetjen e Turqisë vëllazërore, i gjithë populli i Azerbajxhanit e ka ndjerë. Transmetimet e kanalave televizive turke pasi deklarata u nënshkrua dje ishin shumë emocionuese. Vëllezërit tanë turq u gëzuan për fitoren si një fitore të tyren”, tha Aliyev.

Duke theksuar çështjen e një qendre të përbashkët monitorimi të armëpushimit që do të drejtohet nga Turqia dhe Rusia, që u diskutua në një telefonatë midis tij me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentin rus, Vladimir Putin, Aliyev tha se ata gjithmonë kanë dashur që Turqia dhe Rusia të luajnë një rol të barabartë në Malësinë e Karabakut dhe se ky synim përfundimisht u arrit.

Duke folur në pritje, Çavuşoğlu përgëzoi presidentin azerbajxhanas në emër të presidentit Erdoğan dhe kombit turk.

“Fitorja juaj është fitorja jonë. Forcat e armatosura të Azerbajxhanit nën komandën tuaj u demonstruan miqve dhe armiqve se për çfarë është e aftë”, tha Çavuşoğlu.

Kryediplomati turk tha se hapat e ardhshëm, përfshirë formimin e qendrës së përbashkët të monitorimit, do të disktutohen dhe vlerësohen midis delegacionit turk dhe homologut të tij azerbajxhanas.

Të hënën vonë, presidenti rus Putin njoftoi se dy ish-republikat sovjetike nënshkruan një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në Malësinë e Karabakut.

Aliyev përshëndeti marrëveshjen duke e quajtur fitore për vendin e tij. Ai theksoi se suksesi ushtarak i Bakut i mundësoi vendit të fitojë një epërsi të lartë për t’i dhënë fund pushtimit tre-dekadash të territorit të Azerbajxhanit.

Lidershipi turk po ashtu e mirëpriti armëpushimin, duke e quajtur atë një “fitore të madhe” për Azerbajxhanin.

Marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë mbi Malësinë e Karabakut kanë mbetur të tensionuara që nga viti 1991, por përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator.

Armenia në mënyrë të përsëritur mbi 40 ditë ka sulmuar civilët dhe forcat azerbajxhanase, duke shkelur tre marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Përveç qyteteve dhe fshatrave të tjerë, çlirimi nga Baku i qytetit strategjik Shusha të dielën sinjalizoi se fitorja është afër.