Prishtinë, hapet “Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur”

Panairi ku do të shpalosen mbi 700 tituj të librave të vjetër dhe të rrallë do të zgjasë deri më 27 shtator në oborrin e Institutit Albanologjik në Prishtinë

Nën organizimin e Institutit Albanologjik në Prishtinë, Shtëpisë Botuese “Armagedoni” dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivit, është hapur edicioni i parë i “Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky panair i cili do të zgjasë deri më 27 shtator filloi sot shpalosjen e librave, të cilat do të jenë gjithsej mbi 700 tituj të librave të vjetër, të rrallë dhe të përdorur, kryesisht në gjuhën shqipe dhe angleze.

Drejtori i Institutit Albanologjik të Kosovës, Hysen Matoshi tha se për shkak të pandemisë, sivjet ka pasur më pak aktivitete për librin por mundësi më të madhe të leximit të librave.

“Libri i vjetër, libri i rrallë, ka rëndësinë e tij kulturore. Pak kujdes kemi treguar deri më tani por uroj që në të ardhmen të arrijmë t’i pasurojmë bibliotekat tona publike por edhe ato private me botime të këtilla të rralla ashtu që brezave në të ardhmen t’u lëmë një trashëgimi të veçantë”, tha Matoshi.

Ai tha se Instituti Albanologjik i ka kushtuar vëmendje librit të rrallë dhe të vjetër. Libri më i vjetër që gjendet në bibliotekën e këtij instituti, daton nga viti 1597 dhe është “Historia e Skënderbeut” versioni në gjuhën frënge.

Me rastin e hapjes së panairit, në oborrin e Instituti Albanologjik në Prishtinë, Shtëpia Botuese “Armagedoni” dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë kanë rihapur gjithashtu një fragment të ekspozitës, “Kosova në arkivin e shtetit shqiptar”, me 12 pano.

Gjatë këtij panairi do të ketë edhe aktivitete tjera, si diskutime me autorë të ndryshëm, ekspozita me fotografi e mbrëmje poetike.