Që të fitosh diçka të madhe, duhet të ofrosh diçka po aq të madhe

Nga Redi Shehu

Ashtu siç rëndom ndodh tek ne kur jemi brënda një viti elektoral, fushata fillon kohë përpara se ajo zyrtare të startojë. Madje, tek ne, fushata nuk është thjesht një moment i përkohshëm në të cilin partitë politike organizohen për të komunikuar me popullin. Tek ne, i gjithë mandati politik është fushatë. Një fushatë e pandërprerë ku çdo gjë shitet përmes një PR po në mënyrë të pandërperë, dhe i vetmi moment kur në hapësirën tonë politike nuk ndodh asgjë, është thjesht vetëm muaji i plazhit dhe banjove në diellin përvëlues të gushtit.

Fushata për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, është një vazhdimësi e fushatës politike plot me personazhe kontradiktorë dhe me aktorë të regjur të saj, që në formë të përsëritur luajnë në teatrin tonë të politikës shqiptare role gjithnjë e më të çuditshme. Por, kjo e këtij viti nuk është një fushatë thjesht e zakonshme, ajo zhvillohet brënda një mjedisi të posaçëm të një pandemie globale e cila përbën përjashtimin nga rregulli i zakonshëm i fushatave. Thelbi i kësëj risi bie në kundërshtim me vetë thelbin e një fushate të zakonshme e cila në qëndër të saj ka kontaktin me individin, kontaktin me qytetarin. Për shkak të specifikës së Covidit, ky thelb i fushatës do të duhet të zëvendësohet me një formë tjetër të komunikimit publik që është ai i komunikimit dixhital përmes rrjeteve apo platformave on-line.

Vetë ky hap, do të përbëjë një ndryshim të madh në cilësinë e kësaj fushate dhe mendoj në cilësinë e të gjithë proçesit zgjedhor. Ky ndryshim do të zanafillojë me humbjen e kontaktit fizik të politikës me qytetarin duke e transformuar tërësisht këtë marrëdhënie e cila bazohet mbi ndjesitë dhe përceptimet që kontakti fizik të jep në terren. Në momentin që ky proçes ndodh, atëherë rreziku më i madh është se fushata del nga konteksti në të cilën ajo zhvillohet, dhe meqë mesazhet në platformat on-line dhe rrjetet sociale janë lehtësisht të keqkuptueshme, të manipulueshme dhe të palexueshme brënda kontekstit në të cilin ngjarja elektorale zhvillohet, atëhere deformimi pritet të jetë jo i vogël. Humbja e frymëzimit dhe entuziazmit që takimet elektorale, turmat dhe mitingjet i japin zakonisht fushatave elektorale, do të arrihet të kompensohet përmes një energjie të ftohtë të rrjeteve dhe mediave sociale, por që pashmangshmërisht do të çojë drejt një fushate të ftohtë që do pasohet me një vendimarrje po aq të ftohtë.

Përveç asaj që përmendëm mbi fushatën nën pandemi, pjesa tjetër që ndodh politikisht brënda këtij proçesi është një përsëritje e mërzitshme e narrativës politike e cila vetkultivohet përditë në serat plot avull të nxehtë të establishmentit tonë politik. Pra, domethënë po ndodh ajo që ka ndodhur gjithmonë e cila përmblidhet në pak fjalë; “të ndryshojmë çdo gjë që të kemi të njëjtën gjë”. Tek ne janë ndryshuar aq shumë gjëra, aq shumë ligje dhe reforma zgjedhore, kode e së fundmi edhe kushtetuta, për të prodhuar të njëjtën gjë, të njëjtën situatë me të njëjtët njerëz dhe më të njëjtat rezultate.

Zgjedhjet e 25 Prillit përveç faktit se do zhvillohen nën pandeme, kanë edhe një veçanti tjetër. Partia Socialiste për here të parë në historinë moderne të e politikës tonë, është favorite për të marrë një mandat të tretë. Që të marrësh një mandat të tretë, për një forcë politike është një gjë e madhe, është kapërcimi i kufirit psikologjik që shqiptarët i kanë vendosur vetes në lidhje me mandatet e një maxhorance. Që të fitosh këtë gjë të madhe duhet të kesh po ashtu diçka të madhe për t’i ofruar shqiptarëve, diçka të madhe e cila të bën të meritosh mandatin e tretë. Por, a ka Partia Socialiste vërtet diçka të madhe për t’i ofruar shiptarëve?

Politikisht diçka e madhe do të ishte ndryshimi i sistemit tonë me të cilin ne operojmë në politikë. Kalimin e Shqipërisë nga një demokraci hibride ku autoritarizimi dhe demokracia i bëjnë karshillëk njëra-tjetrës, drejt një shteti të së drejtës dhe të standartizuar sipas modeleve më të mira. Kjo, do ishte vërtet diçka e madhe me të cilën një parti u kërkon zgjedhësve të vet një mandat të tretë. Në fakt, në retorikë, këtë ne e dëgjomë shpesh nga krerët e partive tona politike, por ajo për të cilëm ne po flasim, është vënia në jetë realisht e këtij mekanizmi jashtë fjalëve dhe premtimeve boshe.

E thënë më thjesht Partia Socialiste, që sipas sondazheve të shumta del si aspirantja dhe favoritja kryesore për të fituar këto zgjedhje, duhet që gjarat në këtë vend t’i bëjë nisur nga krahasueshmëria jo me opozitën dhe partitë e tjera, por me atë se si ky vend do të duhej të ishte, me një Shqipëri si do të donim ta kishim. Vetëm nëse e bëjmë krahasimin me këtë paradigmë, do të arrinim të kuptonim nëse vërtet një forcë politike ka diçka të madhe pwr t’i ofruar shqiptarëve. Ajo që ne kemi parë gjatë këtyre tre dekadave, ka qenë vendosja e modelit politik në spiralen e krahasimit me kundërshtarin. Ky lloj krahasimi, të tërheq poshtë drejt një gare e cila të kënaq bazuar vetëm në disa ndryshime dhe arritje simbolike, dhe e largon fokusin në atë se si do të duhej që gjërat të bëheshin vërtet.

Prandaj, gjen shpeh në artikulimet e fushatave mesazhe të cekta, bardh e zi që ndërtohen vetëm mbi premisa të ngushta të luftës politike dhe jo mbi plane, vizione dhe strategji. Prandaj, pas kaq shumë kohësh e kupton se absurdi është i vetmi shpjegim i asaj që realisht ndodh në kulisat politike. Prandaj, gjendja politike e partive tona si brënda tyre dhe reflektimi jashtë, është në një gjëndje kolapsi. Gjëja e madhe, për të cilën partia fituese do të duhej të konkuronte, të luftonte dhe t’i ofronte këtij elektorati, është pikërisht dalja nga cekësia, nga absurdi dhe nga kolapsi me të cilin politika jonë prej kohësh e ushqen veten.