Qeleshepunuesit, zejtaria unike në Shqipëri

Në mesin e shumë zejeve në Shqipëri, përgatitja e qelesheve është ndër më uniket dhe është një ndër produktet artizanale shqiptare më të spikatura.

Qeleshja ose siç njihet në disa krahina plisi është një kësulë e bardhë e punuar me lesh të shkelur e të larë me sapun, e cila ka trajta e përmasa të ndryshme.

Kjo zeje është e përhapur në qytetin e Krujës dhe qeleshja gjendet në pothuajse gjitha dyqanet pazarit karakteristik të këtij qyteti.

Ardian Guni, është një prej qeleshepunuesve të Krujës, i cili këtë zanat e ka trashëguar nga gjyshi dhe babai i tij. Ai aktualisht punon në punishte së bashku me babain e tij Ndriçimin.

Për Anadolu Agency (AA) Guni shprehet se prej 10 vitesh ushtron këtë zanat, ndërsa ai tregon materialet që përdoren, si dhe teknikat dhe proceset e punës në punishten e tij.

“Në familjen tonë ky profesion është i trashëguar brez pa brezi, prej të paktën pesë brezash që vazhdojmë të punojmë sot e kësaj dite. Këtu çdo gjë është artizanale, duke filluar që nga shprishja e materialit dhe pastaj punohet me ujë të ngrohtë dhe me sapun”, tregon Guni.

– Tradita e përpunimit të qelesheve është drejt zhdukjes

Sipas tij, tradita e përpunimit të qelesheve është drejt zhdukjes, sepse ai shton se teknika që përdorin pothuajse është zhdukur komplet.

“Qeleshet ndahen sipas krahinave. Është forma e Krujës që është me majë dhe e rrumbullakosur. Kemi pastaj zonën e Dibrës që është e sheshtë, kemi të Labërisë që janë pak më të larta se kjo. Kemi pastaj zonën e Lumës që janë po ashtu të sheshta dhe janë më të ulta, që janë 7-8 cm. Edhe ato të Malësisë së Dukagjinit, edhe të Kosovës janë më të rrumbullakosura”, shprehet Guni.

Ai tregon se për të punuar një qeleshe që është prej leshit të deles nevojiten 10-12 procese pune dhe një orë e gjysmë deri në dy orë për të përfunduar një qeleshe nga procesi i parë deri në procesin e fundit.

Guni në fund tregon se materiali që përdorin është i siguruar në Shqipëri në mënyrë që sipas tij edhe produkti të jetë 100 për qind shqiptar.

Qeleshet janë pjesë e pandashme e kulturës dhe traditës shqiptare ndër shekuj, ndërkohë ata gjejnë përdorim në disa zona të ndryshme si pjesë e veshjeve tradicionale, në raste festash apo edhe për përdorim të përditshëm, sidomos nga të moshuarit.