Qeveria e Kosovës miraton nismën për udhëtim në Bosnjë e Hercegovinë vetëm me letërnjoftim

Kabineti qeveritar i Kosovës ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare mes Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet këtyre vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja në fjalë do t’ua mundësojë qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnjë dhe Hercegovinës që të hyjnë në territoret e njëra-tjetrës për herë të parë me letërnjoftime biometrike për një periudhë të caktuar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se kjo marrëveshje është në frymën e interesave të përbashkëta rajonale, si rezultat i zotimeve të gjashtë liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes të mbajtur në muajin nëntor të vitit 2020, ku u nënshkruan dy deklarata: për treg të përbashkët rajonal dhe deklarata për agjendën e gjelbër.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i kushteve për hyrje, kalim transit dhe qëndrim afat-shkurtër me letërnjoftim biometrik të qytetarëve të palëve të përfshira në marrëveshje. Si rezultat, qytetarët e palëve në marrëveshje do të kenë të drejtë që lirshëm të hyjnë, kalojnë transit dhe të qëndrojnë në territorin e palëve për periudhën kohore të përcaktuar me këtë marrëveshje”, theksoi Sveçla.

Si e tillë, ministri Sveçla tha se marrëveshja parasheh të thjeshtohen procedurat administrative për hyrjen, transitin dhe qëndrimin e shkurtër të qytetarëve të palëve me letërnjoftim biometrik.

Qeveria ka miratuar edhe nismën për qarkullimin dhe qëndrimin e palëve të treta në këto gjashtë shtete të Ballkanit. Ministri Sveçla tha se qytetarët e palës së tretë janë të gjithë qytetarët që s’janë të përfshirë në marrëveshjen në fjalë.

Si rezultat i marrëveshjes, një qytetari të cilit nuk i kërkohet vizë për të hyrë në territorin e të gjitha palëve në marrëveshje, do të kalojë kufijtë e njërës prej palëve në marrëveshje me një dokument personal të vlefshëm.

Ndërsa qytetarëve të palëve të treta të cilëve u kërkohet që të kenë vizë për të hyrë në territorin e gjashtë shteteve, mund të hyjnë në territorin e secilës palë në marrëveshje në bazë të një vize të vlefshme, të lëshuar nga njëri shtet i përfshirë në marrëveshje në përputhje me legjislacionin e saj të brendshëm.

Por, në kabinetin qeveritar u ngrit shqetësim se Kosova nuk duhet që t’i lejojë qytetarët e disa vendeve të caktuara që të hyjnë në Kosovë, gjë për të cilën ministri tha se “e kanë parasysh”.

Samiti i mbajtur në Sofje gjatë nëntorit të vitit të kaluar është vazhdimësi e procesit të Berlinit.