Rama: Nuk kishte nevojë të fortifikohej PD, mjafton të kërkohej ndihma e policisë për ta mbrojtur

Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë së PS iu përgjigj interesit lidhur me situatën në Partinë Demokratike, duke e cilësuar atë dramatike. Rama tha se policia ishte në sfidën e saj më të madhe në 30 vjet, e gjendur në konfliktin e demokratëve për të njëjtën seli. Sipas tij,…

Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë së PS iu përgjigj interesit lidhur me situatën në Partinë Demokratike, duke e cilësuar atë dramatike.

Rama tha se policia ishte në sfidën e saj më të madhe në 30 vjet, e gjendur në konfliktin e demokratëve për të njëjtën seli. Sipas tij, Basha nuk kishte nevojë të fortifikonte selinë, por mjafton të kërkonte ndihmën e policisë së shtetit për ta mbrojtur atë.

“Policia e shtetit ishte në sfidën më të madhe në 30 vjet, se kurrë më parë s’e ka pasur sfidën të futet në oborrin e një partie për të ndarë dy palë që mund të shkojnë drejt gjakderdhjes. Nuk kishte nevojë të fortifikohej PD, mjafton të kërkohej ndihma e policisë për ta mbrojtur. Basha u mor me fortifikime, duke përjashtuar policinë e shtetit”, tha kreu i qeverisë.

Beteja për interesa vetjake mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, të cilët i cilësoi dy kufoma politike, është duke çuar drejt shkatërrimit PD dhe opozitën, tha Rama.

“Asnjëherë nuk janë të zgjidhura problemet, ajo që është pak por e sigurt është që PS është në funksion të zgjidhjes së probleme të njerëzve, ndërsa PD në kërkim të zgjidhjes së problemeve të dy individëve; njëri kufomë politike me seli tjetri pa seli, njeri i mbyllur në selinë blu tjetri në listën e zezë. Një moment shumë dramatik për PD. Ne jemi të gatshëm për çdo bashkëpunim, por situata është shumë e vështirtë për momentin. Shpresojmë drejt një zgjidhjeje paqësore, shpresoj që dhuna të mbetet prapa”, tha kreu i qeverisë.