Realitetit i turpit i të qënurit i turpshëm!

Nga Redi Shehu

Jemi tamam në stinën më të përshtatshme të zhvillimit të paradave të narcizizmit kolektiv me përbërës individualitetesh strukturuar brënda kornizës së joshjes së ndërsjelltë. Përvëlimi veror, përfundimisht mund të konsiderohet edhe si pika e vlimit të epsheve forcërisht të dënuara nën peshën e rëndë të trikove e xhupave dimërorë, që tashmë nën pretekstin gati natyror të zhveshjes shoqërohet me një manifestim gjigand lëkure të bronxtë. Vera është stina që përtej rolit dhe funksionit të saj, përbën edhe indeksin e ndryshimit të konceptit që ka secili mbi intimen dhe intimitetin. Është stina ku intimiteti transformohet në kolektivizim të së drejtës individuale dhe marrëdhënies së secilit me vetjaken. Në këtë panair të shpalosjes së intimitetit të kolektivizuar, kufinjtë e tij (intimitetit) përcaktohen përmes cashes variable sipas grupmoshave të ndryshme. Nëse në moshat më të pjekura limitet e zbulesës së gjithçkaje të mishtë janë më të përcaktuara dhe më të qëndrueshme, në brezat e rinj tkurrja e veshjeve në favor të sipërfaqeve të pa eksploruara prej mishi, është në proporcion tmerrësisht të zhdrejtë.

I gjithë festivali i narcizizmit që merr udhë që nga facebook-u e mbaron në det, ushtrohet me një pasion e pëkujdesje deri në fiksim për të përfunduar me një domethënie pa përgjigje si pasojë e një proçesi të çuditshëm të intimitetit me të ndaluarën e tjetrit. Vërtet kjo situatë e bronxtë, ku ti je i pranishëm në çdo fragment të jetës publike me privacinë e shpërfaqur të të tjerëvë ne formën e ekspozimit të zonave epsh-ndjellëse, e bën të ndaluarën si teori që të përthyhet në praktikë në formën më rutinore të mundshme. Kjo hallakatje e caqeve që ndajnë zonat e privacisë së ndërsjelltë, kjo shprishje e kufinjve të të ndaluarës, e afron përceptimin e individit drejt një bote pa limite e cila është aq shumë afër me atë të kafshëve saqë ndryshimi shpesh qëndron vetëm në mënyrën e artikulimit.

Modelimi i konceptit për intimen dhe intimitetin si pasojë e shëmbjes së kufinjve të së ndaluarës, ka modeluar në të njëjtën kohë edhe sjelljen tonë kolektive. Tashmë ajo çka është konsideruar intime në një kontekst kohor të shkuar, sot konsiderohet si publike me akses të bollshëm. Vera me të gjitha atributet e saja zhveshëse është caku kohor i përvitshëm ku ky modelim evidenton luhatjet me kahje përkeqësuese të kolektivizimit të së brëndëshmes dhe masakrimit të ndjenjës së turpit. Pra, ndodhemi në një realitetit të turpit të të qënurit i turpshëm, të turpit të vetë turpit i cili si një pandemi kërcënuese duhet luftuar me çdo mekanizëm paturpsie.

Sot ndodhesh në të gjitha ambientet publike dhe kudo përballesh me imponimin e intimes së tjetrit ndaj teje, të publikimit të dhunshëm të aseteve individuale trupore në një garë hiresh e vithesh e cila ka marrë qytetarinë në formë prepotente pikërisht nga paftësia për të reaguar ndaj modelimit të avashtë e intensiv të konceptit tonë për të moralshmen dhe intimen.

Çështja e të konsideruarit sociologjikisht korrekt të faktit se dëshira e dikujt për t’u shpalosur pa kufinj në publik me të gjithë bronxaturën e vet, dhe të konsideruarit si anomali të faktit të dikujt tjetër i cili nuk dëshiron të përballet me këtë shpalosje në publik, është tregues i animit të logjikës shoqërore drejt epshit dhe pasionit. Dhe si kurdoherë në shoqëritë vetëm liberale, përplasja e të drejtave të individëve në sferën publike bëhet një sport i përditshëm. E drejta e individëve për tu lakuriqësuar në publik përplaset me të drejtën e të tjerëve që nuk e duan këtë fakt. Ajo çka pason më vonë nuk është se sa e vërtetësuar qëndron një e drejtë në raport me tjetrën, por kriteri i vlefshmërisë saj (të të drejtës), qëndron tek fakti i shumësisë së përhapjesë së saj. Pra, teoria e masivizimit si proçesi i legalizimit të një të drejte. Pikërisht i gjithë panairi i narcizizmit që shumëfishohet e dendësohet çdo ditë e më tepër, vjen si pasojë e proçesit të masivizimit të një fenomeni i cili i çliruar nga margjinalizimet moralo-etike e drejton rendjen tonë shoqërore kah një pistë tatëpjetëse.