Reforma zgjedhore, Bylykbashi e Gjiknuri ‘kokë më kokë’ me përfaqësuesin e SHBA

Tre pika janë barrierat që po ndajnë palët nga marrëveshja, depolitizimi i administratës, teknologjia në zgjedhje si dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Pasi mbledhja e fundit e këshillit politik u shty me 2 orë, tashmë në takim duket se kanë ndërhyrë SHBA-të.

Mësohet se në takimin e këshillit politik, përfaqësuesi i SHBA-ve në mbledhje ka diskutuar ‘kokë më kokë’ me përfaqësuesit e dy partive të mëdha politike (PS-PD) mbi mosmarrëvesjet që kanë palët për reformën zgjedhore. Ende nuk dihet nëse shtyrja me dy orë e mbledhjes ka prodhuar afërsi apo një dakortësi të mundshme mes palëve, teksa përfaqësuesit diplomatikë janë përfshirë në negociata mes palëve për arritjen e një akordi.

Ndërkohë opozita ka hedhur në tryezën e këshillit politik të gjitha propozimet e saj, ku përfshihet dhe ideja e një qeverie kujdestare, e cila është kundërshtuar nga maxhoranca.

“Opozita i ka dorëzuar që mbrëmë propozimet për garancitë e votës në zgjedhje, duke e çuar deri në fund pjesën e angazhimit të saj me reformën zgjedhore.

Pjesë e këtyre propozimeve janë edhe qeveria kujdestare për zgjedhjet dhe roli i gjykatës kushtetuese. Diskutimi i tyre ende nuk ka nisur, por është e rëndësishme që të gjitha çështjet janë mbi tavolinën e bisedimeve”, bën me dije opozita.

Palët qëndrojnë të mbyllur në ambientet e pallatit të kongreseve në Tiranë, teksa kjo e dielë shënon dhe afatin fundor të vendosur për të mbërritur në një produkt të përbashkët për reformën zgjedhore.

Kujtojmë se deri më tani PD-LSI, PS dhe opozita parlamentare (Rudina Hajdari) ende nuk e kanë arritur konsensusin në 3 çështje.

Tre pika janë barrierat që po ndajnë palët nga marrëveshja, depolitizimi i administratës, teknologjia në zgjedhje si dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Për dy të parat ka një përplasje mazhorancë- opozitë, kurse për sistemin më shumë ngulmon Rudina Hajdari ./Express