Revolucioni i mimozave presidenciale

Nga Redi Shehu

Kush do e imagjinonte se pas një eksperience politike punisto-socialite, të gjatë sa vetë tranzicioni shqiptar, Ilir Meta do të dilte në Marsin e vitit 2020 me dy gishtat lart duke bërtitur Liri-Demokraci. Kush do e imagjinonte se pas një historie politike, që si dënim e ndjek nga pas, Ilir Meta do të gjunjëzohej duke bërë shqiponjën me gishta valëvitës si simbol i nacionalizmit të thekur. Kush do e imagjinonte se pas një jete në politikën progresiste, jofetare dhe jotradicionale, Ilir Meta do të ulërinte se Zoti është mbi kushtetutën dhe popullin.  Mirësevini në epokën e ngatërrimit të idelogjive politike! Mirësevini në tokën e shqipeve me krahë që valëviten! Në Shqipëri nuk është hera e parë që ndodhin gjëra të habitshme, dhe kur tek ne ndodhin gjëra të habitshme, më pas pritet të ndodhin gjëra shumë të çuditshme. Kush do e mendonte se pas tre dekadash, ne do të gjendeshim në të njëjtën korsi të historisë tonë politike, pa semaforë e rrugë të vijëzuara, ku aksidentohemi në mënyrë ciklike, në të njëjtin vend, nga të njëjtat shkaqe dhe pothuaj nga të njëjtit njerëz.

 

Mitingu i paralajmëruar i 2 Marsit nga ana e Presidentit të Republikës, ishte një manifestim i cili ngërthente në vetvete të gjithë dramën e botëkuptimit të historisë tonë të tranzicionit. Në shesh kishim një popull i cili dëshpërimisht kërkon përmirësimin e situatës së degraduar nga qeveria ndoshta më e korruptuar dhe më e inkriminuar e historisë moderne të politikës shqiptare, nga ana tjetër, zgjidhja që i qëndronte përballë këtij populli ishte po establishmenti në figurën e Presidentit të Republikës. Në fakt, protestuesit e 2 Marsit, u përballën me produktin të cilin ata vetë e kanë mbjellë, rritur, pjekur dhe servirur prej dekadash. U përballën me prototipin e zgjidhjes së vjetër për situatat e reja, që në formën e prangave u lidh duar e këmbë të gjithë atyre që me entuziazëm ndiznin dritat e celularëve në shenjë çlirimi nga errësira e pesimizmit që prej vitesh pushton secilin.

 

Presidenti Meta sot pluskon mes një sërë kontradiktash politike. Ai dhe partia e tij, prej kohësh kanë luajtur rolin e një paterice pushteti e cila ka ngritur dhe rrëzuar maxhoranca, bazuar jo mbi programin politik dhe ideologjinë politike, por bazuar mbi pragmatizmin e pushtetit dhe vetem të pushtetit. Në të njëjtën kohë, Ilir Meta ka qenë dhe vrima e zezë e cila ka përpirë pushtete, i ka marrë me vete ato në gropën e dështimit dhe degradimit politik. Kështu  bëri me Berishën në mandatin e dytë, kështu bëri me Ramën në mandatin e parë. Të gjithë kërkonin aleancën e tij, e më pas, të gjithë uronin pavarësinë prej tij. Me humbjen e zgjedhjeve të 2017-tës. Ilir Meta u propozua nga kjo maxhorancë me kuorum të thjeshtë si President i Republikës. U votua dhe u bë i tillë. Tani, ai kthehet në një gozhdë e ngulur jo mirë në korrnizën e pushtetit.

 

Dilema është e madhe. A mund të ngrihet, protestohet dhe zgjidhet një kauzë morale nga  mekanizma amoralë ? A mund të burojë e drejta dhe e mira nga padrejtësia dhe perversiteti? Kjo është e pamundur të ndodhë. Çdo gjë tjetër në favor të kësaj dileme ëshë vetëm iluzion i cili të çon suksesshëm drejt dështimit dhe një rrethi vicioz i cili të prangos brënda shkaqeve të të këqijave më të vogla që zgjidhin të keqija të mëdha, por që më vonë nga të vogla kthehen në të keqen më të madhe për t’u zgjidhur,e kështu deri në pafundësi. Kësaj gjëndjeje i duhet dhënë fund një herë e mirë. Kësaj gjëndjeje nuk i jept fund me anë të proçesit të riciklimit politik të figurave të vjetra, as të figurave të reja me mendësi të vjetra. Kësaj gjendjeje i jepet fund përmes proçesit të rithemelimit politik i cili kërkon pyetje, arsyetime dhe zgjidhje të reja nga figura të reja me mentalitete të reja.

 

Me datën 2 Mars, Presidenti i Republikës u betua ne flamurin e kombit se nëse nuk do të merrej parsysh kërkesa e tij, pas dy javësh, ai së bashku me popullin para të cilit u gjunjëzua, do të firmoste dekretin e shpërndarjes së parlamentit brënda parlamentit të krimit. Një ultimatum interesant i bërë nga një president i cili puth kushtetutën, dhe në të njëjtën kohë, është gati të bëjë një veprim antikushtetues.  Për herë të pare, në këtë manifestim, pamë se si mund të rrinë bashkë flamuri ynë kombëtar me një tufë lule mimozash. Për here të parë pamë, se si një popull do të bëjë një revolucion duke qëruar parlamentin e krimit me mimoza në duar. Kjo është risia më e veçantë në historitë politike të kombeve. Koncepti ynë për revolucionin ose duhet revizionuar, ose njohuritë tona për lule mimozat duhen përditësuar, sepse në të dyja bashkë ka diçka që nuk shkon .

 

Në gjithë këtë histori me gjëra të habitshme, që pasohen më vonë me gjëra të çuditshme, pozicionin më të sikletshëm e ka Partia Demokratike dhe lideri i saj zoti Basha. Duke qenë partia më e madhe e opozitës si dhe aspiruesja për të marrë pushtetin e nesërm, PD vjen në manifestimin e 2 Marsit pas një sërë shuplakash ndërkombëtare të marra me 30 Qershor. Shuplaka të cilat ia kanë hequr dëshirën për protesta të dhunshme, braktisje  parlamenti, si dhe bojkotimi  zgjedhjesh. Megjithatë, asaj i duhet të protestojë kundra asaj që po ndodh me pushtetin në Shqipëri. Për këtë i vjen në ndihmë manifestimi presidencial, i cili të lejon të nxjerrësh njerëzit në shesh, por pa logon dhe firmën e PD. Një soj kopshti botanik ku mbizotërojnë mimozat, ka pushtuar manifestimin e presidentit, i cili ka përballë një PD pa logo dhe një kyetar opozite si qytetar. Një pozicionim atipik i Partisë Demokratike, e cila e ndodhur në tampon mes presidentit dhe ndërkombëtarëve, na shfaqet në këtë manifestim publik me slloganin “pa politikë me botanikë”.

 

Revolucioni i mimozave presidenciale, është kurthi në të cilën z. Meta ka ngecur partinë më të madhe të opozitës së cilësh brënda dy javësh do t’i duhet të marrë një vendim politik lidhur me atë se a do të vazhdojë të ndjekë presidentin në revolucionin e tij të verdhë, apo do të duhet të rikthehet në korsinë e re të të bërit politikë institucionale me logo dhe indentitet të qartë politik. E gjithë kjo në kohën kur ndodhemi në një kolaps politik. Në kohën kur e vjetra politike ka perënduar dhe e reja politike nuk ka lindur akoma. Pra, jemi në pikën e vdekur, në pikën zero dhe për pasojë, pesimizmi dhe dëshpërimi i elektoratit është në maksimum. Një elektorat që për hir të së vërtetës tashmë vepron për inerci.

Pyetja që lind është: A mundet Partia Demokratike të transformohet në “e reja që po lind?”.  Pra në shpresën e re të njerëzve ? Për ta bërë këtë PD-së i duhet të shkëputet nga historia që e ndjek nga pas. Ajo duhet të dalë me mendim të ri politik bazuar në thelbin më të mirë të të djathtës konservatore. Thënë ndryshe, duhet ta spostojë qëndrën e pushtetit politik në Shqipëri, nga paraja drejt virtytit dhe drejtësisë sociale. Sot, tek ne, ka garë politike veçanërisht se pushteti të ofron privilegje dhe shumë para. Në vendet e standartizuara, forcat politike garojnë sepse pushteti të jep shansin për të vendosur drejtësi sociale. Pikërisht këtë duhet të bëjë PD që të transformohet në “e reja që po lind”, duhet të ndryshojë thelbin e pushtetetit nga para drejt drejtësisë sociale në Shqipëri. Për ta bërë këtë, duhen liderë jo thjesht politikanë.