Rinasi si një kinema 7D

Nga Redi Shehu

Është kthyer tashmë në një ritual besnik i cili respekton një kohë preçise që nuk vonon të vijë. Ky është rituali i krimit dhe kriminalitetit, i cili prej kohësh ka marrë trajtën e normales. Bile, nëse nuk ndodh diçka e madhe, e bujshme, e cila trondit ndërgjegjet e secilit, atëherë vërtet që duhet të shqetësohemi, sepse normaliteti, jeta, përditshmëria jonë, fatkeqësisht është ndërtuar përmes konstruksionit të frikës. Rituali i frikës nuk duhet të vonojë e të vijë sa më shpejt, ndryshe, është vërtet për t’u shqetësuar. Një jetë në qetësi, në normalitet është kulmi i disfatës dhe tmerrit.

Rinasi tashmë nuk i shërben vetëm hipjes së një avioni, ai më së miri shërben si një kinema 7D për të “shijuar” emocionalisht të pamendueshmen. Rituali u përsërit me një goditje të fuqishme, me një konstruksion frike i cili preku secilin prej nesh. Për të dytën herë, kësaj radhe në mënyrë akoma më të shpejtë, të kalkuluar dhe tonditëse, Aeroporti i Rinasit, sulmohet nga një bande grabitësish profesioniste duke vjedhur një shumë të madhe parash. E veçanta e kësaj vjedhjeje, ishte se njëri nga grabitësit mbeti i vrarë teksa përpiqej t’i ikte ndjekjes nga ana e forcave të ndërhyrjes së shpejtë.

Unë nuk do të doja që të isha në vendin e atyre pasagjerëve të cilët e kishin filluar rrugëtimin e tyre me një shfaqje holivudiane nga dritarja e avionit, me njerëz me maska silikoni dhe armatim të rëndë duke zbrazur thasët nga barku i avionit. As nuk do të doja të isha në pozicionin e secilit që para televizorit shikon se si në mënyrë të vazhdueshme degradohet siguria dhe imazhi i këtij vendi, se si grupe kriminale të strukturuara dhe profesionale me qetësi dhe kalkulime preçise, i bëjnë striptizë sigurisë së aeroportit dhe forcave të ruajtjes dhe sigurisë kombëtare. Është për të diastin vit radhazi dhe për të disatën herë që vjedhjet e bujshme lënë gjurmë në ndërgjegjet e secilit. Ky, është një fakt që tregon dhe konfirmon se një problemi madh ekziston tek ne lidhur me konceptin që kemi për ruajtjen dhe sigurinë tonë.

Ajo që të tërbon nga inati është konsiderimi nga ana e disa operatorëve apo konçesionarëve këtu, të mënyrës së punës me logjikën e kolonizatorit i cili vjen në një vend të caktuar shfrytëzon në maksimum burimet e atij vendi duke bërë investimet më minimale dhe duke majmur fitimet e veta. Kjo zhvatje kolonizatore e burimeve kombëtare pa investuar dhe pa siguruar ekspertizë për realitetin vendas, është në fakt thelbi atyre që ne i quajmë kontrata konçesinare. Por ama, ajo që të bën të shpërthesh nga zemërimi, është paaftësia e strukturavë shtetërore për t’i kontrolluar, këta konçensionarë në punën tyre dhe për t’u imponuar rregullat në mbrojtje të pasurive tona kombëtare. Nuk janë të pakta konçensionet e dhëna të cilat shkatërrojnë bukuritë tona natyrore, apo konçensionet e dhëna abuzive në fushën e naftës ku fshatra të tëra janë tronditur nga shpërthimet e gazrave apo ujërave nëntokësorë.

Ngjarja e fundit e Rinasit, sigurisht që implikon konçensionarin për masat qesharake të marra në ruajtjen e një ndër pikave më të rëndësishme lidhur me sigurinë kombëtare, por ama kjo ngjarje implikon edhe qeverinë shqiptare e cila është e treguar po ashtu e paaftë ose thënë ndryshe e çinteresuar për të ushtruar kontroll ndaj abuzimit dhe papërgjeshmërisë së kompanisë konçesionare që ka sot aeroportin më të madh në vend.

Ky është një zinxhir papërgjeshmërish i cili fillon që me qeverinë Nano e cila i dha këtij operatori lejen konçensionare për ndërtimin e aeroportit të Rinasit me një liçensë monopol në treg çka i lejoi këtij të fundit të aplikonte çmimet më të larta të tarifave aeroportuale, duke larguar kështu të gjitha kompanitë low-cost të fluturimeve. Ka tashmë një dekadë që shqiptarët , për shkak të kësaj kontrate abuzive, fluturojnë me çmimet më të larta në treguan ballkanik dhe atë evropian. Për shkak të kësaj kontrate abuzive monopol, konçesionari sillet me shtetin shqiptar si një kolonizator duke shpërfillur të gjitha kërkesat për ulje çmimesh apo rritje të normave të sigurisë së aeroportit.

Pra, ky zinxhir i shëmtuar papërgjegjshmërie, e korrupsioni, ka korruptuar të gjithë panoramën, produkt i së cilës është vuajtje e udhëtarëve shqiptarë, dhe frikë e pasiguri të të tjerëve për shkak të akteve të terrorit nga mungesa e masave më elementare të sigurisë. Qeveria aktuale edhe pse nuk është firmosja e kësaj marrëveshjeje, është përgjegjëse për faktin se që nga ngjarja e grabitjes së parë në Rinas, do të duhej të ishte imponuese deri në masa ekstreme ndaj konçesionarit, në mënyrë që situata të përmirësohej

Dëmi i kësaj ngjarjeje, nuk është vetëm financiar apo imazhi të një vendi. Dëmi më i madh është ai psikologjik i cili noterizon mungesën e presionit të policisë ndaj krimit dhe mungesën e frikës së krimit ndaj pollicisë. Një ngjarje e këtyre përmasave do kohën e vet për t’u meremetuar në një shoqëri. Për t’i kthyer besimin asaj, duhet aq shumë punë sa çudia të mos zgjasë vetëm tre ditë dhe të pasohet me bujën e radhës. Vetëbesimi i secilit prej nesh në realitetin që jetojmë, është dëmtuar jo pak. Sloganet dhe ping-ponget e hedhjes së fajit sa andej këtej, nuk vlejnë për asgjë, në një kohë politike si kjo e jona, ku shqetësimi më i madh përqendrohet më shumë në frikën ndaj mitingut të radhës se sa ndaj kriminelit të radhës.