Rreziku i financave para zgjedhjeve

Nga Azmi Stringa

Mirëmenaxhimi i financave publike si mjet për adresimin e risqeve, nxitjen ekonomike dhe rritjen e punësimit. Nëse u referohemi të dhënave të FMN dhe Bankës Botërore, rezulton se për të mbajtur objektivin e borxhit publik në rreth 80%, në kushtet e uljes së parashikimeve të ecurisë ekonomike, Qeveria duhet të shkurtojë shpenzimet deri në vlerat 36 – 45 miliardë lekë në krahasim me planin. Nga ana tjetër, realizimi i plotë i planit të shpenzimeve, në kushtet e uljes ekonomike dhe të ardhurave tatimore, do ta çonte borxhin deri në rreth 83-84% të PBB-së

Ndikimi i krizës në ekonomi

Efekti i krizës së COVID-19 për vitin 2020 ka qenë më i madh se parashikimet fillestare. Për Shqipërinë, kjo është ndikuar, ndër të tjera, nga kohëzgjatja e krizës, pasiguritë ende të pranishme për muajt në vijim, struktura ekonomike dhe e punësimit, efikasiteti i paketave ndihmëse fiskale, dhe ndikimi i krizës në partnerët tanë ekonomikë.

Në publikimin më të fundit, datë 28 shtator 2020, FMN ka riparë ecurinë ekonomike për vitin 2020 në ulje nga minus 5% në minus 7.5%, në krahasim me një vit më parë. Gjithashtu rimëkëmbja ekonomike për vitin 2021 është riparë në ulje, ndikuar nga efektet dhe kohëzgjatja e deritanishme e krizës, pasiguritë ende të pranishme dhe ndikimi në sjelljen e operatorëve ekonomikë. Borxhi publik në fund të vitit 2020, sipas FMN, pritet të kapë një nivel pak mbi 80% të PBB-së.

Në një linjë me FMN, Banka Botërore në publikimin e datës 7 tetor 2020, parashikon që ulja ekonomike për vitin 2020 do të jetë minus 8.4%. Për vitin 2021 dhe vitin 2022, rritja ekonomike në skenarin bazë parashikohet në plus 5% dhe 3.9%, respektivisht. Pasiguritë ende të larta mund të ndikojnë në këta tregues. Sipas Bankës Botërore, borxhi publik i Shqipërisë do të kapë një nivel prej 81.3% të PBB-së për vitin 2020. Ky borxh për vitet 2021 dhe 2022 pritet të jetë 81.3% dhe 79.3% e PBB-së, përkatësisht.

Nga të dhënat më lart, mund të kuptojmë për ndikimin negativ të krizës në ekonomi dhe financat publike. Ekonomia shqiptare, vetëm në fund të vitit 2022, do të mund të kapë nivelin e fundvitit 2019. Banka Botërore shprehet se në fund të vitit 2021, ekonomia e vendit tonë do të jetë 10.7% më pak se parashikimet për atë fundvit përpara krizës. Po kështu, borxhi publik, i cili në fund të vitit 2019, raportohet nga Banka Botërore në 68% të PBB-së, do të qëndrojë në 79.3% në fund të vitit 2022. Kjo nënkupton që vetëm në fund të vitit 2024, borxhi publik do të rikthehet në nivelin e fundvitit 2019.

Në një botë ku ritmet e ndryshimeve ekonomike dhe teknologjike janë të larta, për vende si Shqipëria koha e humbur dhe burimet e cunguara financiare ndikojnë negativisht në ngushtimin e hendeqeve me ekonomitë e vendeve të tjera.

Treguesit fiskalë pikat e dobët; nevoja për rishikim të buxhetit 2020

Qeveria Shqiptare, në fillim të korrikut 2020, rishikoi treguesit fiskalë dhe buxhetin e shtetit me Aktin Normativ nr. 3, duke rivlerësuar ecurinë ekonomike për vitin 2020 me një ulje në afër minus 5% në krahasim me një vit më parë. Të ardhurat tatimore u riplanifikuan në ulje në vlerë, por ruajtën të njëjtin raport kundrejt PBB-së, në 25.6% të saj.

Ndërkohë shpenzimet kapitale (përfshi fondet për rindërtimin nga tërmeti) u ripanë në rritje, duke e çuar deficitin e planifikuar në 133 miliardë lekë (më shumë se 1 miliard EUR) ose 8.4% e PBB-së. Borxhi publik u miratua të rritej (limiti ligjor i planifikuar në këtë Akt Normativ) në 2020 në rreth 160 miliardë lekë, prej të cilave rreth 133 miliardë lekë për financimin e deficitit të vitit dhe rreth 27 miliardë për financimin e garancive sovrane, pjesë e paketës për ndihmën ndaj biznesit. Sipas këtij Akti Normativ, borxhi publik do të kapte një vlerë pak mbi 80% të PBB-së në fund të vitit 2020.

Buxheti optimist!

Rishikimi i buxhetit me Aktin Normativ nr. 3 ishte tejet optimist dhe problematik. Buxhetimi optimist, deri në agresiv i shpenzimeve, moslënia e hapësirave për korrigjime fiskale nga materializimi i pasigurive në muajt e mbetur të vitit, do të sillnin probleme nëse do të kishim rishikim në ulje të ecurisë ekonomike dhe realizimit të të ardhurave apo nevoja për fonde të tjera shtesë për të adresuar krizën e COVID-19 në ekonomi dhe shëndetësi

Rishikimi i buxhetit me Aktin Normativ nr. 3 ishte tejet optimist dhe problematik. Buxhetimi optimist, deri në agresiv i shpenzimeve, moslënia e hapësirave për korrigjime fiskale nga materializimi i pasigurive në muajt e mbetur të vitit, do të sillnin probleme nëse do të kishim rishikim në ulje të ecurisë ekonomike dhe realizimit të të ardhurave apo nevoja për fonde të tjera shtesë për të adresuar krizën e COVID-19 në ekonomi dhe shëndetësi.

Gjithashtu, ky buxhetim agresiv, në kushtet e dobësive në menaxhimin e financave publike dhe transparencës së munguar, u hapte rrugën marrjes së angazhimeve përtej kapaciteteve të brishta të financave publike. Me Aktin Normativ Nr.3, Qeveria Shqiptare buxhetoi duke supozuar kapërcimin e krizës.

Bazuar në rishikimin e ecurisë ekonomike nga FMN dhe Banka Botërore është kërkesë ligjore, por edhe përgjegjshmëri rishikimi urgjent i buxhetit të vitit 2020 nga Qeveria Shqiptare. Buxheti i vitit 2020 nuk përshtatet për rritjen ekonomike të riparë në ulje nga FMN dhe Banka Botërore. Nga ana tjetër, Akti Normativ 3 vendos limite mbi deficitin dhe borxhin e ri publik si më lart parashtruar. Qeveria Shqiptare, ose duhet të shkurtojë shpenzimet, ose duhet të rrisë deficitin dhe borxhin e ri publik me një Akt të ri Normativ.

Nëse i referohemi vetëm rishikimit ekonomik të FMN, parashikimit të saj për deficitin dhe borxhin publik në raport me PBB-në, për të ruajtur nivelin e borxhit në pak mbi 80% të PBB-së kërkohen shkurtime të mëdha në kahun e shpenzimeve. Duke ruajtur të njëjtin raport të të ardhurave tatimore si përqindje të PBB-së, vetëm nga rishikimi i ecurisë ekonomike në minus 7.5% sipas FMN, buxhetit të shtetit do t’i mungojnë më shumë se 11 miliardë lekë të ardhura në krahasim me planin buxhetor, duke kërkuar domosdoshmërisht shkurtim shpenzimesh me të njëjtën vlerë, për të qëndruar brenda vlerës së deficitit të miratuar.

Për më tepër, nëse marrim në konsideratë objektivin e vendosur nga qeveria dhe parashikimin e FMN për një borxh publik pak mbi 80%, në kushtet e rishikimit ekonomik në ulje, deficiti duhet të ulet me të paktën 25 miliardë lekë, nga 8.4% e PBB-së e planifikuar në 7% të PBB-së sipas FMN. Si rrjedhojë, nëse synohet objektivi i borxhit publik prej rreth 80-81% në fund të vitit 2020, duke u bazuar në të dhënat e FMN, Qeveria duhet të shkurtojë në total rreth 36 miliardë lekë shpenzime të planifikuara për vitin 2020.

Kuptohet që ka disa hapësira për të reduktuar nevojën për shkurtime në shpenzime, si rezultat i mospërdorimit të plotë të dy garancive sovrane nga biznesi dhe duke mbajtur nivelin e borxhit të synuar. Alternativa tjetër do të ishte financimi i pjesshëm (kombinimi i shkurtimit të shpenzimeve dhe rritjes së borxhit publik) ose i plotë i kësaj vlere me rritje të borxhit publik, që do ta çonte gjendjen e këtij borxhi në fund të vitit 2020 deri në mbi 83% të PBB-së.

Situata për financat publike bëhet më e zymtë nëse marrim në konsideratë të dhënat e Bankës Botërore. Në raportin e saj, Banka Botërore deklaron, që përveç uljes ekonomike me 8.4% për vitin 2020, raporti i të ardhurave tatimore si përqindje e PBB-së do të jetë 24.1% e PBB-së (dhe jo 25.8% siç është planifikuar) si rezultat i rënies në aktivitetin ekonomik. Kjo bën që të ardhurat tatimore të realizohen më pak në krahasim me planin e Aktit Normativ nr. 3, në vlerë totale afërsisht 41 miliardë lekë (rreth 15 miliardë lekë nga rishikimi në ulje i ecurisë ekonomike dhe rreth 26 miliardë, nga ulja e të ardhurave të mbledhura si përqindje e PBB-së).

Po njësoj si më lart, realizimi i një skenari të tillë do të kërkonte domosdoshmërisht shkurtim shpenzimesh me të njëjtën vlerë për të qëndruar brenda vlerës së deficitit të miratuar aktualisht. Për më tepër, nëse marrim në konsideratë edhe objektivin e vendosur nga qeveria për borxhin publik në pak mbi 80% dhe parashikimin e Bankës Botërore, për një borxh rreth 81.3% të PBB-së, në kushtet e rishikimit ekonomik në ulje, deficiti duhet të ulet me të paktën 4 miliardë lekë në krahasim me planin për 2020.

Si rrjedhojë, nëse synohet objektivi i borxhit publik prej rreth 81% në fund të vitit 2020, duke u bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore, Qeveria duhet të shkurtojë në total rreth 45 miliardë lekë shpenzime të planifikuara për vitin 2020. Alternativa tjetër do të ishte financimi i pjesshëm (kombinimi i shkurtimit të shpenzimeve dhe rritjes së borxhit publik) ose i plotë i kësaj vlere me rritje të borxhit publik, që do ta çonte gjendjen e këtij borxhi në fund të vitit 2020 deri në mbi 84% të PBB-së.

Në përfundim, nëse u referohemi të dhënave të FMN dhe Bankës Botërore, rezulton se për të mbajtur objektivin e borxhit publik në rreth 80%, në kushtet e uljes së parashikimeve të ecurisë ekonomike, Qeveria duhet të shkurtojë shpenzimet deri në vlerat 36 – 45 miliardë lekë në krahasim me planin. Nga ana tjetër, realizimi i plotë i planit të shpenzimeve, në kushtet e uljes ekonomike dhe të ardhurave tatimore, do ta çonte borxhin deri në rreth 83-84% të PBB-së. Në kushtet e alternativës së rritjes së borxhit, duhet që këta muaj, Qeveria të sigurojë financimin në tregje të kësaj shtrese, çka ende nuk ka ndodhur.

Në aspektin praktik duhet të kemi në konsideratë që realizimi i planit të shpenzimeve kapitale deri në fund të gushtit 2020 ka qenë rreth 42 miliardë lekë, nga 88 miliardë lekë të planifikuara. Ndërsa shpenzimet për tërmetin janë deklaruar zero nga 34 miliardë lekë të planifikuara. Duke pasur parasysh që shumë janë projekte në vijim, dhe muaji shtator ka përfunduar, hapësirat për shkurtime në zërin e shpenzimeve kapitale dhe të tërmetit duhet të jenë më pak se 70 miliardë lekë.

Kjo sepse shumë projekte janë në vijim nga vitet paraardhëse (përfshirë PPP-të) ose janë kontraktuar këtë vit, çka e bën shkurtimin e fondeve të tyre të vështirë për pjesën e mbetur të vitit. Nga ana tjetër, pritshmëritë janë që disa projekte (përfshi ato për tërmetin)nuk do të realizohen plotësisht gjatë vitit, edhe për vetë kohën që kërkon zbatimi i projekteve, por marrja e angazhimeve këtë vit, mundëson rritjen e intensitetit të punëve publike dhe pagesave në fillimin e vitit të ri buxhetor.

Mbajta e fondeve hapur, edhe kur nuk pritet të realizohen, mundëson marrjen e angazhimeve të reja buxhetore, rit riskun e realizimit formal të projekteve në fund të vitit, ose krijimit të detyrimeve të prapambetura. Mosrealizimi efektiv dhe i shpejtë i shpenzimeve kapitale ndikon negativisht në rimëkëmbjen ekonomike dhe rindërtimin e dëmeve të tërmetit. Për këtë arsye rishikimi menjëhershëm i buxhetit të vitit 2020, por edhe një diskutim transparent për hartimin e një buxheti realist dhe të prioritizuar për të mbështetur ekonominë në vitin 2021, janë domosdoshmëri.

Të rishikohet buxheti

Bazuar në rishikimin e ecurisë ekonomike nga FMN dhe Banka Botërore është kërkesë ligjore, por edhe përgjegjshmëri rishikimi urgjent i buxhetit të vitit 2020 nga Qeveria Shqiptare. Buxheti i vitit 2020 nuk përshtatet për rritjen ekonomike të riparë në ulje nga FMN dhe Banka Botërore. Nga ana tjetër, Akti Normativ 3 vendos limite mbi deficitin dhe borxhin e ri publik si më lart parashtruar. Qeveria Shqiptare, ose duhet të shkurtojë shpenzimet, ose duhet të rrisë deficitin dhe borxhin e ri publik me një Akt të ri Normativ

Buxheti 2020 dhe 2021, si nxitës të ekonomisë dhe punësimit

Sa parashtruar më lart, kërkon vëmendje në rishikimin e buxhetit 2020, por edhe një hartim të kujdesshëm të buxhetit 2021, duke riparë supozimet kryesore të rritjes ekonomike dhe punësimit. Nga ana tjetër, duhet të fokusohemi që fondet e limituara publike në këta 14 muaj në vijim të përdoren efektivisht për nxitjen ekonomike, rimëkëmbjen nga tërmeti, adresimin e risqeve dhe ruajtjen e hapësirave korrigjuese. Situata ekonomike dhe e financave publike përpara krizës ndikoi në efektet e saj, aftësinë për t’ju përgjigjur, dhe kostot e mbajtura nga shtresat e shoqërisë dhe biznesit. Ky fakt duhet mbajtur në konsideratë edhe për të ardhmen.

Rritja e intensitetit të investimeve publike për rimëkëmbjen nga tërmeti do të ndikonte pozitivisht në ekonomi dhe punësim, vetëm nëse këto fonde përdoren dhe kanalizohen me efektivitet dhe nuk shpërdorohen. Pasiguritë janë ende të larta dhe ndikimi i tyre mund të jetë negativ, si për ekonominë dhe financat publike. Për këtë arsye duhen lënë hapësira korrigjuese dhe mbështetëse për ekonominë në buxhetimin e shpenzimeve. Sjellja e aktorëve ekonomikë ndaj konsumit dhe investimeve ndikohet nga pasiguritë e larta, ende të pranishme të krizës, që ngadalësojnë rimëkëmbjen ekonomike.

Është thelbësore që Qeveria të ndërmarrë masa financiare mbështetëse, por edhe në garantimin e një klime sa më të qetë biznesi, duke marrë në konsideratë që 2021 është vit elektoral dhe pasiguritë politike mund të ndikojnë negativisht. Përdorimi i fondeve publike për qëllime elektorale do të qe papërgjegjshmëri, por fatkeqësisht është risk real për ekonominë, në kushtet e sistemeve të dobta të kontrollit mbi financat publike.

Në lidhje me buxhetin 2020 dhe 2021 është e domosdoshme efektiviteti dhe prioritizimi i përdorimit të fondeve publike, veçanërisht ato kapitale. Çdo projekt duhet të analizohet kundrejt ecurisë reale, dhe kundrejt ndikimit në përmbushje të objektivave ekonomikë dhe veçanërisht të punësimit. Në anën e të ardhurave nuk duhet të synohet rëndimi i barrës për biznesin, por miradministrimi, mbyllja e përjashtimeve preferenciale dhe lufta ndaj evazionit të strukturuar.

Ulja e shpërdorimeve në kahun e shpenzimeve duhet të jetë target real dhe i matshëm i çdo administrate për vitin në vijim. Gjithashtu, qeveria duhet të krijojë hapësira fiskale për risqet ende të pranishme në ekonomi, vendos fonde në mbështetje të shëndetësisë dhe arsimit, bizneseve që punësojnë qytetarë, shtresat më të varfra dhe ato në nevojë (përfshi masa për formalizimin e këtyre shtresave dhe përfshirjen e tyre në mekanizmat e mbështetjes ekonomike).

Detyrimet e prapambetura duhet të shlyen, por edhe të mos krijohen, veçanërisht pushteti vendor duhet monitoruar, edhe si rrjedhojë e vitit elektoral, por edhe problemeve strukturale, sepse ndikojnë negativisht për biznesin, në kohë që ai është në vështirësi. Në përfundim, risqet fiskale duhen adresuar gjithashtu mirë duke qenë të kujdesshëm, për të mos ndikuar në stabilitetin e financave publike, si dhe duke u fokusuar në miradministrimin e sektorëve të rëndësisë kombëtare në ekonomi dhe financa publike, si ai i energjisë.

FMN thekson rëndësinë e rritjes së të ardhurave nga tatimet, si për të mbështetur investimet, si për konsolidimin fiskal. Rritja e taksave është diskutim real në tavolina për vende që nuk kanë hapësira fiskale, por edhe nuk zbatojnë reformat. Shqipëria nënperformon në krahasim me rajonin në mbledhje të të ardhurave si përqindje e PBB-së. Banka Botërore parashikon që të ardhurat nga tatimet nga 25.8% e PBB-së në 2019 (24.1% në 2020) do të shkojnë në 27.6% e PBB-së në 2022-2025 (nivele që ne nuk i kemi kapur edhe në kohë të qeta).

Pyetja që shtrohet është cilët do të duhet ta mbajnë këtë barrë të shtuar, brezat e ardhshëm (tek të cilët kemi nën investuar), të papunët, ata që jetojnë në varfëri (41% e popullsisë sipas Bankës Botërorë), ekonomia formale por e pasofistikuar, qytetarët e ndershëm apo shpërdoruesit e  fondeve publike në privat ose shtet? Kjo është një pyetje që herët a vonë duhet t’i përgjigjemi në aspektin e politikave ekonomike dhe fiskale.

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që përveç viteve të humbura nga kriza, borxhi publik është një barrë për brezat e ardhshëm. Që të mos marrim edhe më nga e ardhmja e tyre, duhet të tregohemi të përgjegjshëm në uljen e shpërdorimeve me fondet publike dhe kanalizimin e tyre në investime që nxisin rimëkëmbjen e shpejt të ekonomisë, risin konkurrueshmërinë dhe mirëqenien e brezave në vijim. Në kushtet kur konsolidimi fiskal do të jetë i nevojshëm, por ekonomia e dobët dhe nevojat për investime publike të larta, rritja e të ardhurave tatimore nuk duhet të vijë nga rritja e barrës fiskale për ata që janë formal, por nga thjeshtëzimi i taksimit.

Ky model nxit rritjen e bizneseve dhe jo shtyrjen e tyre në ilegalitet, uljen e arbitraritetit në trajtim dhe krijimin e një klime të qetë për sipërmarrjen, miradministrimin e skemës, formalizimin e ekonomisë dhe të punësuarve, luftën ndaj evazionit të strukturuar dhe eliminimin e trajtimeve preferenciale me ligje për grupe të fuqishme, por informale interesi.

Në kushtet kur dobësitë strukturale të ekonomisë kërkojnë më shumë investime efektive në arsim dhe infrastrukturë, mirëadministrimi dhe prioritizimi i fondeve publike është domosdoshmëri për të zgjeruar avantazhet konkuruese të ekonomisë, nxitjen e sipërmarrjes dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Azmi Stringa është konsulent për financat publike, ish drejtori i auditit të buxhetit të shtetit në KLSH. Opinionet janë personal etë autorit dhe nuk përbëjnë qëndrim të revistës