Rritja e çmimit të peshkut/ Rritet sasia por dhe abuzimi në treg

Pas krizës së thellë në të cilën u përfshi për shkak të rritjes së çmimit të karburantit, sektori i peshkimit gjeti rrugët për të mbijetuar dhe vijuar aktivitetin. Sipas INSTAT, sasia e peshkut të detit është rritur krahasuar me një vit më parë. Po ashtu edhe çmimet e produkteve të detit në treg. Efekti zinxhir…

Pas krizës së thellë në të cilën u përfshi për shkak të rritjes së çmimit të karburantit, sektori i peshkimit gjeti rrugët për të mbijetuar dhe vijuar aktivitetin.
Sipas INSTAT, sasia e peshkut të detit është rritur krahasuar me një vit më parë. Po ashtu edhe çmimet e produkteve të detit në treg. Efekti zinxhir i rritjes së çmimeve nisi menjëherë pas luftës në Ukrainë.

“Kriza e fundit na gjeti të papërgatitur dhe përballimi i saj, aspak i lehtë. Një pjesë e kolegëve preferuan edhe të ndërpresin aktivitetin. Pati nga ata që i futën anijet në kantier për riparime. Në pranverë kur edhe peshkimi në thellësi të mëdha u lejua, prania e karkalecit violë, skampit dhe karkalecit të thellësisë e rriti prodhimin dhe na lejoi që të vazhdojmë aktivitetin dhe pse me sakrifica”, tha Besim Troplini, prodhues peshku, nënkryetar i OMP Durrës.
E ndërsa sasia e peshkut të kapur në det u rrit me 28,06 %, çmimet në treg gjithashtu janë rritur duke e bërë peshkun të pakapshëm për shumë tryeza familjare.

Sipas specialistit dhe prodhuesit Besim Troplini, kjo rritje, pavarësisht faktorëve të ndryshëm që ndikojnë në tregun me pakicë, është abuzive.

“Nga çmimi i shumicës që ne kemi këtu në magazine deri te çmimi me pakicë ndryshon. Çmimet me pakicë, edhe për ne që jemi prodhues, janë ekzagjeruar. Një kilogram merluc del nga magazina me 900-1000 lekë, ndërsa në treg shitet 1400-1500 lekë dhe kjo për nivelin e xhepit tonë nuk është reale”, tha Troplini.

Për shkak të krizës, në qershor sektori i peshkimit në Durrës deklaroi se do të futej në grevë, duke ndërprerë plotësisht daljen në det, po një marrëveshje me qeverinë, për përfitimin e naftës për peshkim me 40 lekë më pak për çdo litër naftë pa taksa, por me TVSH, u dha një dorë për të vijuar punën.

“Kjo skemë do të funksionojë deri më 31 dhjetor dhe pastaj për vitin tjetër urojmë që të ketë marrë një zgjidhje, ose të jepet një tjetër mbështetje.”

Me një flotë prej 120 anijesh, në Durrës, peshkimi mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm ekonomik.

Prej tij sigurojnë jetesën qindra familje durrsake, po dhe shumë të huaj, kryesisht egjiptianë, të punësuar vitet e fundit në të, ndërkohë që nevojat e tregut dhe të sektorit të turizmit për prodhimet e detit janë gjithnjë në rritje.