Rruga 1 Maji

Nga Evans Drishti

“Mezi pritej ajo ditë… Njeriu ndjehej si më i çlirët… Një ndjesi disi ndryshe nga herë të tjera… Veshja më e bukur qëndronte “e paprekshme” në dollap, madje prej shumë kohësh, pasi një e tillë veshje “s’vishej” në asnjë rast tjetër, vetëm atë ditë. U ngritën të tërë familjarisht për t’u përgatitur për “daljen dhe xhiron e rastit”. U çelën më në fund edhe rrobat më të bukura, që prisnin “pendueshëm” kohën kur do të përdoreshin. Këpucët më të reja, të llustruara si asnjëherë më parë, që tashmë kishin fituar një shkëlqim krejtësisht ndryshe, veçmas për atë ditë. Edhe pasqyra i gëzohej atyre momenteve pasi një herë në vit funksiononte dhe shihte rroba “cilësore” dhe “me ngjurime” të këndshme….
Mu në mes të qytetit qëndronte “e patundur ajo rrugë”, e skalitur dhe e zbukuruar si për festë, “e ndryshme” nga rrugët e tjera të qytetit. Seç kishte të veçantë ajo rrugë!… Kishin mbërritur e tërë familja për të kryer “ecjen e rastit”, e natyrshëm të shumtë ishin njerëzit që prisnin për të kaluar atje. Ecnin ndryshe njerëzit në atë rrugë, në atë ditë, plot delikatesë, plot finesë, me plot buzëqeshje, thuajse kishin arritur ndonjë trofe. Vështrimet e tyre përshkonin gjithandej, teksa mburreshin me veshjet e tyre. Dukeshin si të qenë qëndisur fund e krye, s’ju dukej qoftë edhe një rrudhë gjëkundi. Një parakalim interesant, thuajse të ishin në ndonjë sfilatë mode… Ecja përkonte në disa dhjetra metra, e ku mu në fund të rrugës bëhej kthesa “e detyrueshme” duke vijuar ecjen tashmë në krahun tjetër të rrugës. Sërish e njëjta pamje, e njëjta atmosferë, por tanimë kishin mundësi të shihnin njerëzit që vinin nga pas. E në fakt asgjë nuk ndryshonte për nga atmosfera, thjesht dhe vetëm njerëz që ecnin të gjithë në një drejtim, që kryenin të njëjtat hapa, që buzëqeshnin njëlloj, që vështronin njëlloj…
Po në emër të kujt bëhej kjo ecje apo ky parakalim? Ishte festa e 1 Majit, dita e punëtorëve “të shkretë” që kishin mbërritur më në fund “të gëzonin” në një të këtillë ditë, ku të visheshin disi ndryshe nga e djeshmja, si për të kurorëzuar mundimet dhe stërmundimet e një pune të palodhur. Ato pak minuta të asaj “ecjeje të detyrueshme” mbartnin aq shumë kuptim dhe domethënie për ta, sa edhe veshjen medoemos do ta kishin të ndryshme, e nga ku më pas festimet do të vijonin me ndonjë vizitë të këndshme te të afërmit, do vijohej me ngrënie të disa ushqimeve mjaft të shijshme, gatime disi të posaçme për atë ditë. S’pyeste kush se ku punoje, pasi s’kishte përse të pyeste, fabrikat dhe uzinat gumëzhinin nga duart e palodhura të punëtorëve vigjilentë. Të shumta ishin këto fabrika si: fabrika e qumështit, fabrika e këpucëve, fabrika e përpunimit të dërrasave, fabrika e zuthkashtës, fabrika e duhanit, fabrika e tekstilit, uzina mekanike, uzina e telit, uzina e bakrit, uzina e kromit, ndërmarrja e prodhimit të ëmbëlsirave, ndërmarrja e prodhimeve ushqimore… Të shumtë ishin punëtorët që punonin në të tilla fabrika e ndërmarrje, e që të gjithë punonin pareshtur në realizimin e “normës”, e askush s’guxonte të mbetej prapa në “realizimin e normës”. Vraponin këta punëtorë për të “kapur” orarin e duhur të hyrjes, pasi me të kaluar “ora 7”, madje pa kaluar as edhe një minutë porta kryesore mbyllej për të mos pranuar më askënd, e kush ngelte përjashta vajtonte hallin që e kishte zënë!…
Çdo qytet në fakt e kishte një rrugë të tillë pasi çdo qytet kishte të tilla fabrika dhe ndërmarrje të shumta.
E ndërsa në ditët e sotme, “Rruga 1 maji” vazhdon të ekzistojë, por natyrshëm jo si më parë, jo me këtë emërtim, por me një emërtim disi më bashkëkohor, “Pedonalja”, një rrugë e shtruar me ca gurë të lëmuar, diku – diku që marrin edhe format e pllakave, me ca ngjyra si të zbehta, si për ti dhënë paksa gjallëri, për ta bërë më të ndryshëm nga rrugët e tjera të qytetit… Edhe sot kalojnë njerëzit në këtë rrugë, dikush në këmbë, dikush me një biçikletë për dore… Edhe sot njerëzit vishen e zbukurohen kur marrin të dalin në këtë rrugë, pasi për ta sërish është një rrugë e veçantë, është rruga kryesore e qytetit. E njeriu i shkretë sërish mendon, dikush na sheh e dikë shohim. Hidhen sërish vështrimet përgjatë tërë rrugës, sa në të djathtë sa në të majtë, sa lart sa poshtë, sërish buzëqeshje njerëzore, sado që mund të dyshosh nëse janë të natyrshme apo false, sërish biseda dhe bashkëbisedime të palodhshme, sërish hapa që hidhen, sërish këpucë të llojllojshme që të magjepsin me pamjet tërheqëse, por këtë herë veshjet janë shumë më bashkëkohore, shumë më tërheqëse, shumë më intriguese…
Këtë herë njerëzit ecin të lirë, e megjithatë si të intriguar dhe të “manipuluar” për një “ecje të detyrueshme” në këtë rrugë, pasi “Pedonalja” e qytetit është pika referuese dhe përbashkuese e njerëzve, është hapësira ku ndërthuren natyrat njerëzore, ku bashkëveprojnë botëkuptimet njerëzore, ku fluturojnë dhe përplasen mendimet dhe gjykimet e përditshmërisë, Ndryshe nga më parë, kjo rrugë s’bllokohet për kalimtarët, është e hapur për të gjithë, për të gjitha grupmoshat, për të gjitha natyrat, për të gjitha bindjet, për të gjitha ngjyrat…
Vijojnë të ecin njerëzit në këtë rrugë, po mendimet a ecin vallë?!…