Sënduku i gjyshes

Nga Evans Drishti

“Unë kam lindur në një shtëpi të vogël njëkatëshe, të zhytur mes pemëve, në një oborr plot me lule. Pemët, herë njëra e herë tjetra, mbusheshin me kokrra dhe lulet me gonxhe. Të dukej sikur në oborrin tonë stinët nuk do të ndërroheshin asnjëherë. Unë dhe vëllai im më i vogël ishim të lumtur, kur ndihmonim babin të vilte pemët dhe gjyshen të kujdesej për lulet. Mirëpo një firmë ndërtimi e mori një pjesë të rrugicës, bashkë me shtëpinë tonë për të ndërtuar një bllok pallatesh. Ishim edhe të gëzuar, se do të merrnim tri apartamente e një dyqan, por edhe të mërzitur, se nuk do të kishim më as oborrin, as pemët, as lulet…”

Pjesa e mësipërme është shkëputur nga tregimi “Sënduku i gjyshes” shkruar nga autorja për fëmijë Adelina Mamaqi, pjesë e cila është vënë në përmbajtje të librit shkollor “Gjuhë shqipe 6” me autorë: Mimoza Gjokutaj, Shezair Rrokaj dhe Eneida Pema, nga botimet “Pegi”.

Në vijimësi autorja Mamaqi rrëfen se si pas grumbullimit të plaçkave dhe orendive shtëpiake, vajza e vogël vë re se gjyshja e saj kish hyrë në dhomën e vet, dhe si për nga kureshtja vajza i shkon pas duke e vëzhguar nga dera momentin kur gjyshja ishte duke hapur një sënduk të vjetër, të cilin ajo e shihte të hapur për herë të parë.

Rrëfehet më pas se vajza e vogël vë re se në atë sënduk qenë futur thesaret e jetës së disa brezave të familjes së tyre duke nisur që nga katragjyshi, se gjyshja e saj i përkëdhelte me vështrim duke i treguar se të kujt qenë ajo veshje apo ajo fotografi, ai bllok shënimesh apo ajo tufë me lule të thara dhe se ç’nënkuptonin tërë ato sende për brezat e mëvonshëm, se një çast gjyshja e saj kishte nxjerrë diçka të mbështjellë fort bukur dhe se i kishte kërkuar asaj, pra mbesës së saj ta hapte dhe ta shihte, dhe ç’të shihte! Pasi aty brënda kish qenë ruajtur një kostum i vogël popullor i purpurt, qëndisur me fije ari. Më pas tregohet se ajo veshje popullore kishte qenë një dhuratë e vyer që gjyshja ia kishte ruajtur prej kohësh mbesës së saj, e që tani kishte mbërritur edhe momenti i duhur për t’ia dhënë, në mënyrë që një veshje e tillë të shkonte trashëgim brez pas brezi.

Ndodhia vijon akoma më emocionuese, teksa rrëfehet edhe historia e asaj veshjeje popullore, sipas së cilës, që ta dinte ajo, mbesa e saj, kostumin ia kishte qepur gjyshja gjyshes së saj, që ta vishte ditën e ngritjes së Flamurit, më 1912, Atëherë ajo kish qenë dhjetë vjeçe dhe babai i saj kish qenë delegat në ngritjen e flamurit… Pas ceremonisë plaku i urtë, Ismail Qemali u kishte dhuruar edhe nga një flamur, kështu që nga ajo kohë në sënduk kishin ngelur të ruajtur kostumi popullor dhe flamuri, të cilat gjyshja tashmë ia linte amanet mbesës që ti ruante dhe t’i përcillte brez pas brezi si liria.

Ndodhia në fjalë na sjell në vëmëndje fragmente dhe copëza jete të një familjeje shqiptare, pjesë e së cilës jemi të gjithë ne. Raporti i gjyshërve me nipërit dhe mbesat ka qenë dhe mbetet përherë tejet i ngrohtë Nga njëra anë është lidhja e gjakut e nga ana tjetër është natyra dhe karakteri njerëzor që e bën të ngrohtë këtë raport.

Ky raport bëhet edhe më i ngrohtë kur nipërit dhe mbesat rriten në një ambient me gjyshërit e tyre, siç ka ndodhur edhe më parë, duke i dhënë kështu mundësi fëmijës të rritet dhe të edukohet në gjirin e një trashëgimie të hershme familjare.

Në shtëpitë e hershme ekzistonte përherë një arkë e vjetër prej druri, e punuar me gdhëndje dhe nuanca të ndryshme, e mahnitshme artistikisht, që të risillte në kujtesë periudhën antike. Kjo arkë e vjetër ruhej me shumë fisnikëri dhe besnikëri nga të moçmit duke vënë në të sende dhe orendi me vlerë të pashlyeshme për familjen dhe trashëgiminë familjare. Më të përkushtuarat në këtë drejtim ishin gjyshet, të cilat qenë rritur e edukuar me atë kulturë dhe traditë të veçantë për t’u dalur zot veshjeve të larmishme, sendeve dhe orendive me vlerë historike dhe tradicionale, punimeve të ndryshme artistike, dhuratave të ndryshme të ardhura nga njerëz të veçantë… Secila prej tyre ruante një simbolikë domethënëse duke pasqyruar një histori më vete. E kështu të gjitha këto simbolika dhe histori grumbulloheshin në një arkë të tillë të quajtur “sënduk”, që në një farë mënyre mbarte në vetvete tërë peshën e familjes.

E tërë kjo s’mund të ndodhte nëse gjyshërit tanë nuk do ishin të ndërgjegjshëm edhe për një tjetër cilësi dhe karakteristikë të natyrës shqiptare siç ishte “Amaneti”. Të qenurit “amanetçar” e bënte karakterin e tyre edhe më të qëndrueshëm duke reflektuar njerëzoren jo vetëm brënda familjes, por edhe në shoqëri.

Ndërkohë, fëmijët në realitetin e sotëm rriten dhe edukohen me një tjetër “arkë” e quajtur “arka e kursimeve”, Prindërit i kushtojnë një vëmëndje të posaçme kësaj arke, në të cilën fëmijët hedhin plot gëzim paratë që ua kanë dhuruar të afërm të ndryshëm, me shpresën se një ditë kjo “kuti e hekurt” të hapet dhe ata të blejnë lodra të ndryshme. Që në moshë të vogël fëmija mësohet të zotërojë për vete këtë “arkë” të rëndësishme, por a është me vend që fëmija “të torturohet” për një kohë shumë të gjatë që këto monedha të mos i përdorë në kohën e duhur dhe atëherë kur dëshiron?

E keni menduar ndonjëherë, se përveç parasë, cilat janë sendet apo orenditë më me vlerë për fëmijën? Çfarë mund të ruajë fëmija diçka me vlerë për botën e tij? Ç’mund të jetë diçka e shtrenjtë për fëmijën që nga vogëlia e përgjatë proçesit të rritjes?

A nuk do ishte me vend dhe mjaft domethënëse që fëmija të kishte një “sënduk” të vetin, ku të ruante sendet më me vlerë, në mënyrë që edhe ai vetë ti dalë për zot historisë së jetës së vet?

Shumëkush mund të pyesë me të drejtë se ç’mund të jenë gjërat më me vlerë për fëmijën?

Mos të harrojmë të nderuar prindër se çdo gjë që fëmija përdor në përditshmërinë e tij ka një vlerë të padiskutueshme për të. Kështu, një fletë e vizatuar apo edhe e ngjyrosur, një kuti lapsash me ngjyra të ndryshme, veglat e punës për fëmijë, një veshje sportive me të cilën fëmija ka fituar ndonjë kampionat sportiv i zhvilluar në shkollë apo edhe në lagje, një tullumbace me ngjyra, një kukull për vajzat së bashku me fustanet e saj shumëngjyrëshe, një vegël muzikore me të cilën ka nisur të mësojë edhe tingujt e parë muzikorë, një libër me përralla apo fabula tërheqëse, një fotografi e shkrepur në çaste gëzimesh… etj. etj.

Le të mendojmë për një çast, që fëmija shkon tek gjyshërit apo te të afërmit për të kaluar pushimet, e me këtë rast i thurni psh një “kallam” (të sjellim në kujtesë momentet nga kinematografia shqiptare “Beni ecën vetë”) duke shënjuar ditët e pushimeve dhe kohën e mrekullueshme që ka kaluar atje. Ç’efekt do kishte pikërisht një mjet i tillë përgjatë tërë jetës së fëmijës, gjë që do të shënonte një pikë kulmore në jetën e tij.

Po ju pirndër! Keni ruajtur diçka me vlerë që ju bën edhe sot të ndjeheni krenarë për atë se kush jeni?!