Sfidat për udhëheqësin e ardhshëm të BritanisëBritania do të ketë një kryeministër të ri javën e ardhshme, gati dy muaj pas dorëheqjes së kryeministrit Boris Johnson, pas një sërë skandalesh.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, pasardhësi i kryeministrit Johnson përballet me një sërë sfidash të mëdha, ndërkohë që aleatët e Britanisë, përfshirë Ukrainën, po ndjekin me vëmendje zhvillimet në Londër. Anëtarët e Partisë Konservatore do të zgjedhin mes ish-ministrit të ekonomisë Rishi Sunak dhe sekretares aktuale të jashtme Liz Truss, për…

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, pasardhësi i kryeministrit Johnson përballet me një sërë sfidash të mëdha, ndërkohë që aleatët e Britanisë, përfshirë Ukrainën, po ndjekin me vëmendje zhvillimet në Londër.

Anëtarët e Partisë Konservatore do të zgjedhin mes ish-ministrit të ekonomisë Rishi Sunak dhe sekretares aktuale të jashtme Liz Truss, për të zëvendësuar kryeministrin në largim, Boris Johnson. Sondazhet sugjerojnë se zonja Truss është favorite.

Sfida e tyre e parë është lufta në Ukrainë. Britania ka dhënë rreth 2.7 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Kievin, që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt, duke e bërë atë vendin e dytë, pas Shteteve të Bashkuara për nga niveli i ndihmës që ka ofruar për Ukrainën.

Zoti Johnson është jashtëzakonisht popullor në Kiev. A do të sjellë largimi i tij një ndryshim në marrëdhëniet Britani-Ukrainë? Kjo është e pamundur nën udhëheqjen e zonjës Truss, thotë Alan Wager, një analist politik në Kolegjin “King” në Londër.

“Ajo është gjithashtu e përkushtuar për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në tre për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Britanisë dhe për të vazhduar furnizimin e Ukrainës me armë”, thotë ai.

Ukraina mund të jetë më pak e komplikuar në krahasim me sfidat e tjera me të cilat do të përballet kryeministri i ardhshëm i Britanisë.

Çmimet e karburantit dhe energjisë elektrike në vend pritet të rriten me 80 për qind në tetor, duke ndërlikuar krizën ekonomike pas COVID-19 dhe duke rritur mundësinë e rënies ekonomike.

“Familjet thjesht nuk mund ta përballojnë këtë rritje të çmimeve. Është një katastrofë. Dhjetë mijë njerëz vdesin çdo vit në Britani për shkak të ftohtit në shtëpitë e tyre. Ky numër do të rritet ndjeshëm”, thotë Adam Scorer, udhëheqës i organizatës Veprimi për Energjinë Kombëtare.

Zonja Truss ka përjashtuar mundësinë e ofrimit të ndihmës për njerëzit që të paguajnë faturat e tyre dhe thotë se shkurtimi i taksave është zgjidhja më e mirë.

“Është e rëndësishme që ne të nxisim rritjen e ekonomisë”, thotë ajo.

Marrëdhëniet me fqinjët evropianë janë të tensionuara. E pyetur gjatë fushatës nëse presidenti i Francës, një aleat në NATO, është një mik, apo armik i Britanisë, zonja Truss dha këtë përgjigje.

“Kjo ende nuk është e qartë. Por nëse bëhem kryeministre, do ta gjykoj bazuar në veprimet dhe jo fjalët tij.”

Zonja Truss është zotuar të tërhiqet nga protokolli për Irlandën e Veriut, një marrëveshje kyçe doganore e Brexit-it, që Boris Johnson e nënshkroi me Bashkimin Evropian për të shmangur kontrollet shtesë të mallrave në kufirin midis Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut.

“Me kalimin e kohës, kjo mund të çojë në një luftë tregtare midis Britanisë dhe BE-së”, thotë analisti Alan Wager.

Dy kandidatët po përpiqen të marrin mbështetjen e një elektorati relativisht të vogël, të përbërë nga më pak se 200 mijë anëtarë të Partisë Konservatore. Ata nuk janë përballur me sfida të forta gjatë fushatës, thotë analisti Wager.

“Britania po hyn në këtë krizë të re ekonomike, të shoqëruar me krizën ndërkombëtare në Ukrainë, pa një përballje nga udhëheqësit e saj politikë me sfidat kryesore të vendit”, thotë ai.

Zonja Truss, ose zoti Sunak do të vendosen në rezidencën e kryeministrisë të hënën e ardhshme. Por, mediat britanike raportojnë se Boris Johnson po shqyrton mundësinë e një rikthimi në postin e kryeministrit, një veprim që nuk do t’ia bënte të lehtë punën pasardhësit të tij.