Shitjet me pakicë, pandemia ndryshoi sjelljen e konsumatorëve

Ai nënvizon se pasiguria që ka ardhur si efekt i pandemisë i ka bërë shqiptarët të kursejnë dhe të kërkojnë produkte me ofertë apo të orientohen drejt çmimit.

Nuk janë shumë të largëta momentet kur edhe në supermarketet e Shqipërisë, si kudo në botë, blerësit u dyndën duke mbushur karroca të tëra me ushqime nën ethet e rasteve të para të të infektuarve me COVID-19.

Blerjet nën panik e vunë sektorin e shitjeve me pakicë, sidomos atë të ushqimeve, përballë sfidës së volumeve të jashtëzakonshme në rritje, si dhe një sjelljeje konsumatore që do të ndryshonte në vazhdim.

Viti 2020 u përkufizua nga zhvillime dinamike në sektorin e shitjeve me pakicë, duke nisur nga hyrja e kanaleve të reja të arritjes së konsumatorit, që ishin shitjet online deri te sjellja konsumatore e orientuar drejt kategorive specifike.

Të dhënat zyrtare edhe nga Instituti i Statistikave raportuan rritje të importeve të produkteve të higjienës dhe pastërtisë dhe diçka e tillë konfirmohet edhe nga aktorët e tregut. Po ashtu u vu re se pamundësia për të dalë jashtë Shqipërisë rriti shitjet në dyqanet e veshjeve në vend. Qëndrimi në shtëpi i nxiti shqiptarët për të investuar në elektroshtëpiake dhe për të krijuar kushtet e nevojshme për të qëndruar brenda, duke i larguar ata nga rutina e zakonshme e para pandemisë.

Një tjetër element që ra në sy është largimi nga dyqanet e mëdha dhe qendrat tregtare drejt dyqaneve të vogla të lagjeve, sidomos gjatë periudhës së kufizimeve, duke e parë këtë si një mënyrë për të mos rrezikuar infektimin me COVID-19. Vizitat në dyqane, sipas Julian Mane, zv.president i grupit “Balfin”, janë bërë më të rralla por shporta mesatare është dyfishuar.

Ai nënvizon se pasiguria që ka ardhur si efekt i pandemisë i ka bërë shqiptarët të kursejnë dhe të kërkojnë produkte me ofertë apo të orientohen drejt çmimit. Stela Dhami, Menaxhere Ekzekutive e “Colliers Albania” thekson se sektori retail nuk duhet të braktisë nismën e tij drejt teknologjisë që nisi në kohën e pandemisë. Orientimi drejt inovacionit është një kërkesë e kohës, sipas saj, e cila e ndihmon këtë sektor të rritet. Sa i takon sektorit të hotelerisë, Dhami pohon se ai është goditur rëndë, porse markat ndërkombëtare pritet të vazhdojnë të rriten edhe gjatë këtij viti. Zhvillime të rëndësishme priten në segmentin e qiradhënies së zyrave. /Monitor