Shkup, përurohet pllaka përkujtimore “Martirët e Lëvizjes Juxhel”

Mes tjerëve, në ceremoni të pranishëm ishin ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Republikës së Turqisë, Bekir Pakdemirli, si dhe Kryekëshilltari i Presidencës Turke, Sabri Demir

Në Shkup u mbajt një ceremoni e organizuar nga Lidhjes së Organizatave Turke të Shoqërisë Civilë të Maqedonisë së Veriut (MATUSITEB) dhe Organizata humanitare turke IHH gjatë së cilës u ngrit një monument për dëshmorët e lëvizjes “Juxhel”, të cilët 73 vjet më parë sakrifikuan jetën e tyre për të mbrojtur vlerat kombëtare dhe morale të turqve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e mbajtur në Shkollën Fillore “Tefeyyüz” morën pjesë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Republikës së Turqisë, Bekir Pakdemirli; Ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök; Kryekëshilltari i Presidencës Turke, Sabri Demir; anëtari i bordit drejtues të IHH-së, Osman Atalay; kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu; presidenti i MATUSITEB-it, Hüsrev Emin; politikanë turq nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe të ftuar të tjerë.

Gjatë ceremonisë, u përurua një pllakë përkujtimore e titulluar “Martirët e Lëvizjes Juxhel” në oborrin e Shkollës Fillore “Tefeyyüz”.

Ministri turk Pakdemirli, duke kujtuar se gjyshi i tij emigroi në Turqi nga qyteti i Velesit në vitin 1923, në fjalën e tij tha se Perandoria Osmane nuk kishte politikë asimilimi.

“Perandoria Osmane si një nga perandoritë më të mëdha botërore që sundoi për 600 vjet, ndoshta më e madhja në atë periudhë, çliroi shumë vende, hyri në shumë vende dhe në ato vende vendosi jetën shoqërore me njerëz të feve, gjuhëve dhe racave të ndryshme. Asnjë politikë asimilimi dhe persekutimi nuk është zbatuar në të gjitha ato vende. Në fakt, bëri atë që duhej bërë. Kjo ishte një nga arsyet kryesore pse osmanët ishin të fuqishëm”, tha Pakdemirli.

Duke rikujtuar se shumë shoqëri të gjeografisë turke dhe islame janë përballur me imigrim dhe përndjekje të ashpër gjatë shekullit të 20-të, Pakdemirli theksoi:

“Nëse në atë kohë do të ekzistonte Organizata ‘Juxhel’, mbase gjyshi ynë do të kishte qëndruar këtu dhe të kishte luftuar me ta. Por në atë kohë ai vendosi të ikte nga ajo mizori dhe të shpëtonte jetën e tij. Ai e la pronën e tij këtu. Në një mënyrë u strehua në Turqi, ose në shtetin e atëhershëm osman”.

Duke u lutur për mëshirën e Allahut për dëshmorët e lëvizjes “Juxhel”, ministri Pakdemirli tha se “ajo që ata kanë bërë është një veprim i shkëlqyeshëm, shumë sublim”.

“Duke injoruar jetën e tyre, ata luftuan kundër administratës despote”, shtoi Pakdemirli, duke theksuar se nëpërmjet pllakës përkujtimore “Martirët e Lëvizjes Juxhel” dëshmorët do të mbahen mend për qindra vjet.

Ambasadori turk Hasan Mehmet Sekizkök rikujtoi se lëvizja “Juxhel” ka dhënë një kontribut të madh në arsimimin dhe mbijetesën e popullsisë turke në këto treva, duke shtuar: “Me qëndrimin e tyre heroik, ata treguan se identiteti turk në Ballkan nuk do të hiqet nga vendet e stërgjyshëve të tyre”.

Duke theksuar se brezat e ardhshëm gjithashtu do të përqafojnë kulturën turke dhe do të ruajnë trashëgiminë e lëvizjes Juxhel, ambasadori Sekizkök tha se ai mirëpriti vendimin e marrë nga Këshilli i Komunës së Çairit për të emëruar disa rrugë të komunës me emrat e martirëve të lëvizjes “Juxhel”.

Presidenti i MATUSITEB-it, Hüsrev Emin, duke theksuar se ata ende janë duke punuar në gjetjen e varrezave të anëtarëve të lëvizjes “Juxhel”, tha: “Po të mos ishte rasti i lëvizjes “Juxhel”, nuk do të kishte pasur imigrim. Nëse nuk do të kishte imigrim, do të kishte më shumë turq dhe muslimanë këtu sot dhe ata do të ishin në një situatë tjetër.

Kryetari i Komunës së Çairit, Ganiu, vuri në dukje se monumenti i lëvizjes kombëtare turke “Juxhel” u ngrit pikërisht aty ku brezat e rinj bëjnë hapin e tyre të parë drejt shkencës.

Gjatë ceremonisë, prezantim mbi historinë e lëvizjes “Juxhel” kishte edhe profesori Suleiman Baki, ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës në degën e Filologjisë Orientale.

Juxhelët

Turqit muslimanë që jetonin në Maqedoninë e Veriut, në vitin 1937 filluan të mblidhen për t’i ruajtur dhe mbajtur të gjalla vlerat kombëtare dhe shpirtërore, si dhe adetet dhe traditat.

Në vitin 1945, organizata mori emrin “Juxhel”, ndërsa detyrën e kryetarit e mori Shuajb Aziz Efendiu, i cili mësimet i kishte marrë në Medresenë e Ataullah Efendiut në Shkup, ndërsa më pas në Universitetin El Ezher në Egjipt në degën e fikhut, kelamit, tasavvufit dhe filozofisë perëndimore.

Me përpjekjet për shuarjen e të gjitha organizatave nacionaliste në Jugosllavi, në vitin 1947 filloi procesi i gjykimit për 16 persona të cilët paraprakisht u arrestuan.

Më 25 janar të vitit 1948, gjykata vendosi për ekzekutimin e tyre, kurse më 27 shkurt të po të njëjtit vit me pushkatim u ekzekutuan Shuajb Aziz, Adem Ali, Ali Abdurrahman dhe Nazmi Omer. Ndërkaq, të tjerët u ndëshkuan me dënime të rënda me burgim.