S’i dini ju da gjana!…

Nga Evans Drishti

Ju kujtohet?…
Në kohët e mëparshme, pra flasim këtu për periudhën e para 90’-tës kishte një zakon “të hekurt”, ku “bisedat familjare” nuk bëheshin në praninë e fëmijëve, me idenë se fëmijët s’duhet të përfshihen në biseda që s’kanë të bëjnë me moshën e tyre.
Në një farë mënyre ishte “një teori” e kuptueshme dhe e pranueshme, nëse nisemi nga ideja sipas së cilës koha e atëhershme dhe rrethanat qenë tejet të ngushtuara dhe i frikësohej faktit të ndonjë “interpretimi” të padëshirueshëm.
Nga ana tjetër, prindërit mendonin se fëmija akoma s’ishte “rritur” sa duhej që të arrinte t’i kuptonte problemet që mund të shfaqeshin brënda familjes, madje pse jo edhe përtej…
Fëmijët “dërgoheshin” në një dhomë tjetër, psh nëse të rriturit gjëndeshin në “kuzhinë” fëmijët dërgoheshin në dhomën e gjumit, ose nëse të rriturit gjëndeshin në “dhomën e pritjes” fëmijët dërgoheshin në kuzhinë… me qëllimin e zjarrtë “të mos dëgjonin” BISEDAT e të rriturve.

Fëmijët u rritën….
Ç’kënaqësi!… Ç’privilegj!…
Ishte “luks” asokohe të të dilte edhe shkolla e lartë… Një pjekuri dhe maturi e faktuar… E megjithatë sërish heshtje… Sërish distancim… Sërish mister… Sërish fëmijët mbeteshin “TË VEGJËL”…

Periudha pas 90’-tës
Demokratizimi sillte natyrshëm edhe “lirinë e fjalës”, “lirinë e gjykimit”, “lirinë e arsyetimit”, lirinë e të shprehurit”, “lirinë e reflektimit” …
Një botë e hapur tashmë, ku informacioni “rrjedh” si ujë, me koloritet e veta, duke prekur dhe duke u ngjizur në çdo skaj të realitetit të përditshmërisë…
Një brez i ri, që si pikënisje të jetës së vet ka teknologjinë me të gjitha magjitë e saj misterioze, rritet e zhvillohet në mënyrë të vrullshme pa e kuptuar as vetë se në ç’kënd të hemisferës globale ndodhet për momentin, ku rrugëton shpirti memorial…
Diku mesazhe të panumërta nga fytyra emblematike që të shtënë në një marramendje ideore dhe kuptimore, që vështirë t’u gjesh një rrugëzgjidhje…
Diku video të panumërta me metrazhe të shkurtra apo të gjata që të “mpinë” dhe të “përpijnë” në labirinthe “ekstravagance”, ku shqisat e të parit, të dëgjuarit, të prekjes, të nuhaturit dhe të shijuarit çakordohen përtej funskionit të tyre original…
Diku shkrime të “cunguara” për personazhe “fantastiko – shkencor” që të zhysin në thellësitë e jetëve të tyre dhe të “çorodisin” trurin impenjativ drejt diçkaje pa emër…

Po “prindi i demokracisë” në cilin skaj të kësaj bote ka zënë vend vallë?
U dergj “i shkreti” prind në rropatje për të fituar “bukën e gojës”, për të sfiduar “jetesën”, për t’i ofruar mundësitë e mundshme “vogëlushit” të vet të rritet me çokollata dhe ëmbëlsira, me fruta dhe perime “bio”, me ushqime të shëndetshme “enkas” nga dora “mjeshtërore” e së ëmës apo edhe e gjyshes, për të siguruar veshjet nga më “tërheqëset”, nga më “shumëngjyrëshet”…
E megjithatë sërish një “distancim”… një “ngurtësim”… një “ftohtësi”… një “ngërç”… një “pakuptimësi”… një “mosakordim”…
Në heshtje qëndrojnë prindërit në “diskutime të fshehta” për një “të ardhme” të “fshehtë” që detyrohen t’ua sigurojnë “vogëlushit” të tyre…
S’e kuptuan këta prindër që ky “vogëlush” po rritej e po zhvillohej dita – ditës jo me ushqimet e tyre “bio”, por me ushqimet “rrezatuese” dhe “shpotitëse” që ofronte ambienti dhe teknologjia.
S’e kuptuan këta prindër se ky “vogëlush” priste në fakt “orientimet e nevojshme” që do të vinin dhe duhej të vinin nga prindërit e tij “intelektualë”, “të kulturuar”, “të socializuar”, “të emancipuar”, “të harmonizuar”, “të shkathtësuar”, “të ambientalizuar”, “të rigorozuar”…

Zgjohuni prindër nga gjumi!…
Ambientohuni me natyrën shumëdimensionale të “vogëlushit” tuaj që tashmë

ka marrë shtat e hije

është rritur

është maturuar

është formuar

është identifikuar

është formësuar

është kulturuar
e mbi të gjitha
është transformuar jo thjesht në një identitet, por në një intelekt të admirueshëm që vërtet është për t’u patur “zili”…
Kujtojmë pakëz:
Ishin vitet e para të periudhës transformuese, ku një grup të rinjsh “vërtet intelektualë” nga mëndja e nga shpirti, morën guximin e plotë të zhvillonin një takim me ish-liderin e kohës R Alija duke ua bërë mjaftueshmërisht të qartë kërkesat e tyre për “ndryshimin e shumëkërkuar” …
Kujtojmë pakëz:
Reagimin e ish-liderit të kohës:
Dhe frazën e tij që do skalitej me keqardhje si emblemë historike “S’i dini ju ca gjëra!…”
Por ja që në fakt, edhe ai vetë e kuptonte mjaft të mirë, se s’ishin ata TË RINJ VIGANË që s’kuptonin ca gjëra, por ambicia e një “pushteti” të padëshirueshëm që hezitonte “fuqishëm” të mos e bënte këtë “ndryshim”, që natyrshëm për “TA” do të thoshte “shkatërrim”…

Ta dini fort të shtrenjtë prindër!…
S’është faji i “vogëlushit” tuaj që sipas jush “s’i ditkëka ca gjëra!”, por është faji juaj si prindër “vigjilentë” që s’morët guximin dhe kurajon ta përfshinit këtë “vogëlush” tashmë të rritur fizikisht dhe mendërisht në ato “bisedat” e juaja misterioze që “sipas jush” synonin rritjen dhe zhvillimin “e shëndetshëm” të tij në një familje të shëndetshme me baza bashkëkohore…
Duhet ta kuptojmë një herë e mirë sa rëndësi ka
të jetuarit ” bashkë” me mendjen dhe shpirtin e qenies që keni sjellë në jetë,
duke u bindur se “rriteni” bashkë me të,
duke u bindur se “botëkuptimi” i tij ofron të tjera qasje, të cilat “detyroheni” ti mësoni dhe ti kuptoni,
duke u bindur se mënyra e tij e “të dëgjuarit”, mënyra e tij e “të parët”, mënyra e tij e “të shijuarit”, mënyra e tij e “të prekurit” dhe mënyra e tij e “të nuhaturit” sjell një tjetër dimension, që ti si prind “detyrohesh” i pari ta kuptosh dhe ta përjetosh,
duke u bindur se “misioni” dhe “vizioni” i tij kërkon një terren mjaft të përshtatshëm, së pari për mbiemrin që mbart, e më pas për atë që do të ndërtojë si “të ardhme” të tij…