Si mund të ishte një jetë pa shkundje?

Nga Redi Shehu

Ishte një tronditje së cilës rrallë i gjehej shoqja. Aq rrallë, sa sipas statistikave tërmeti në të gdhirë të datës 26 Nëntor, ishte një ndër katër tërmetet më të forta shkatërrues të globit për këtë vit. Nëse ai i mëparshmi i datës 21 Shtator ra pasdreke, ky i fundit, i gjeti njerëzit në gjumin më të thellë duke i falur në të njëjtën kohë edhe tronditjen më të thellë. Në të vërtetë, ky ishte tërmet me dëme të mëdha fizike në njerëz dhe banesa, 51 të vdekur dhe 750 të plagosur. Mijëra ndërtesa të dëmtuara dhe shumë të tilla të shembura dhe të shkatërruara krejtësisht. Statistika dërrmuese. Jo për faktin se Shqpëria nuk ka përjetuar tragjedi të tillë, por në ndryshim nga tërmeti i vitit 1979, shoqëria jonë sot ndryshon thelbësisht me atë të asaj kohe edhe për arsyen se ne jemi pjesë e një networku social ku çdo gjë si e mirë dhe e keqe, ka aftësinë të shumëfishohet në mënyrë marramendëse. Prandaj, ky tërmet më shumë se sa fizik në dëme, ishte tërmet psikik i cili shkatërroi mënyrën tonë rutinë të të menduarit dhe pse jo, të të vepruarit.

Nëse ky tërmet do të kishte gojë të fliste, do të bënte shumë denoncime, të cilat do të përmblidheshin me shprehjen “nuk vazhdohet më kështu”. Aq shumë kishim sharruar në kotësi dhe vanitet, në padrejtësi dhe zullum sa shkundja dukej se kishte ngelur e vetmja zgjidhje për t’i dhënë një farë kuptimi gjithë kësaj çmendine. Mendimet dhe opinionet e secilit prej nesh sorollateshin në komentet mbi vanitetin dhe degradimin e vlerave të shoqërisë tonë duke e ndjerë vërtet këtë pasojë.

Por ajo që u vërejt dhe vazhdon të vërehet edhe sot, është këmbëngulja për ta paraqitur realitetin vetëm me një dimension. Ngjarje të tilla si tërmetet, janë momente jo vetëm fizike. Fizikja është ana e jashtme e ngjarjes, është ana e dukshme nga të gjithë. Tërmetet, si dhe çdo gjë që na rrethon përveç të jashtmes, fizikes, janë të përbëra nga një thelb metafizik përtej çdo gjëje të dukshme. Ky thelb, në vetvete është thelb moral i cili shoqëron edhe njeriun i cili edhe pse është qenie fizike në dukje, në imazh, në esencën e tij ai është një qenie metafizike dhe dallon nga çdo qenie tjetër nga morali si tipar i posaçëm i tij. Prandaj, morali është një përkatësi e cila është përtej fizikes, ajo është pjesë e transhenduar tek njeriu nga një dimension përtej fizikes. Është software i instaluar moral që bën dallimin e njeriut me qeniet e tjera, është morali ai i cili përcakton të mirën dhe të drejtën në një shoqëri. Është përmes moralit me anë të të cilit ne bëjmë krahasimin e vetes dhe të tjerëve brenda shoqërisë. Është morali nga i cili në mënyrë të vazhdueshme kërkohet të iket përditë në shoqëritë tona të hallakatura. Është një ikje nga njeriu drejt bustit, nga vlera drejt imazhit, nga thelbi drejt sipërfaqes.

Ne kemi refuzuar përherë t’i japim një kuptim moral fenomeneve, sepse na është thënë dhe mësuar se ne jemi të rrethuar nga disa fenomene thjesht natyrore të cilat, ashtu thjesht ekzistojnë, ndërveprojnë krejt rastësisht. Kjo qasje, kjo arratisje nga transhendentja dhe metafizikja, e ka bërë njëriun e sotëm të mos ketë përgjigje për dilemat morale. Por, kur tronditja vjen, kur shkundja shpluhuros ndërgjegje apatike të njerëzve, gjëja më e natyrshme që del nga shpirti i secilit është fjala “Zot”. Ky në fakt, është një rikthim drejt thelbit drejt asaj metafizikes së harruar dhe mbuluar me qindra forma dhe mënyra që përdridhen në përditshmërinë tone harracake.

Asgjë nuk ndodh rastësisht, ashtu siç edhe ekzistenca jonë nuk është e rastësishme. Rastësia është ekuivalenti i kaosit, e nëse pranojmë rastësinë atëhere ne duhet të pranojmë se ekzistojmë në një botë të kaosit. Por ama, secili prej nesh e di shumë mirë se kjo nuk është hiç e vërtetë. Ne jemi dëshmitarë të ekzistencës së preçizionit dhe mijëra mrekullive që na shoqërojnë përditë, të cilat na janë bërë rutinë. Mrekulli që ne i konsiderojmë rutinë por që me to administrohet toka e qielli në të cilat ne gjallojmë përditë. Atëhere, si mundet ta veçojmë tërmetin si një rastësi brënda një bote preçizioni? E nëse tërmeti nuk është rastësi, atëherë ai duhet të ketë një domethënie, dhe domethënia e tij nuk është veçse një kriter bazuar mbi logjikën e ndëshkimit moral.

Zot i Plotfuqishëm na fal! Kur përjeton tmerre të këtyre përmasave si ai i 26 Nëntorit, njeriu shikon tashmë atë që në gjendjen e tij normale nuk mund ta shohë. Ai tashmë shikon përmes syrit moral të harruar të tij. Ai shikon foton e munguar të vetes, të pastër nga pluhuri i mirazheve të përditshme duke kuptuar se çfarë ai është në të vërtetë.

Si mund të ishte një jetë pa moral? Si mund të ishte një jetë pa shkundje? Si mund të jetë jeta e një njeriu pa një Zot? Po po, është pikërisht ashtu siç e kemi përjetuar para këtij tërmeti. Plot amoralitet, vrasje, korrupsion, babëzi, tinëzi, tradhti, pa amanet, pa fytyrë, me imoralitet, e plot me gjëra që edhe kafshëve do t’u vinte turp ti vepronin. Nëse i Plotfuqishmi na flet përditë përmes heshtjes së tij, në raste të tërmeteve apo fatkeqësive të kësaj natyre, ai hesht përmes veprimit të tij që të na bëjë të kuptojmë veten tashmë përmes filtrit të moralit, pa vaniet. Si mund të vazhdohet më kështu? Pa pikë sinqeriteti dhe pa pikë moraliteti? Si mund të vazhdojë të jetë jeta e një njeriu pa një Zot para të cilit të pendohesh ? Si mund të jetë jeta e një njeriu pa foton reale të vetës?