Thirrja për shpëtim nga Ajasofia

Nga Milazim Krasniqi

Rikthimi i Aja Sofisë në xhami është një ngjarje drithëruese për çdo besimtar mysliman, që ka një njohuri elementare lidhur me historinë e saj. Përjetimin tim drithërues për këtë zhvillim, po e ndaj me ju, duke sjellë këtu një kujtim të para dymbëdhjetë viteve. Pasi i falëm dy rekate namaz vullnetar, në një qoshe të Aja Sofisë, miku im turk, më tha: “Pa u kthyer Aja Sofia në xhami, siç ka qenë, Turqia nuk është shtet plotësisht sovran.” Unë e dëgjova me vëmendje, nën emocionet që ende po më mbanin nën hyqmin e tyre, për faktin që isha falë në njërën nga objektet më madhështore fetare që ekziston në botë, po ku falja e namazit ishte e ndaluar. Isha i hutuar dhe i lumtur, krenar dhe konfuz në të njëjtën kohë. Prandaj nuk arrita të krijoja një lidhje logjike të menjëhershme ndërmjet sovranitetit të Turqisë dhe varësisë së tij nga statusi i këtij objekti fetar, që funksiononte vetëm si muze. Por, miku im ishte këmbëngulës në këtë tezë dhe filloi të fliste për tradhtinë që ia kishin bërë Islamit themeluesit e Turqisë moderne, sigurisht nën diktatin e Fuqive të Mëdha. I kisha të studiuara veprat e Ogyst Bajit, të George Ostrogorskit, Mihael Grantit mbi Bizantin, ku Konstandinopoja dhe Aja Sofia paraqiten si epiqendra e ngjarjeve. Natyrisht i kisha të studiuara edhe veprat e Franc Babingerit, Halil Inallxhikut, Robert Mantranit, Peter Sugarit, etj., për Perandorinë Osmane dhe Stambollin, si dhe një vargan studimesh të tjera, pasi që nga viti 2000, kam filluar të studioj besimet fetare ndër shqiptarë, me theks te studimi i Islamit, për ç’arsye studimi i historisë së Bizantit dhe të Shtetit Osman, ishte i pashmangshëm.

Por, në atë çast hutimi nga biseda me mikun tim turk, më shumë se sa kjo lloj literature, mirëfilli historiografike, do të më ndihmonin që ta kuptoja thënien e tij, libra si “Gjashtë muaj që ndryshuan botën” e Margaret Mcmilanit dhe “Kujtime” të Sergej Sazonovit, fjala vjen. Ato m’u kujtuan më vonë dhe më ndihmuan që ta kuptoja më drejt domethënien e fjalisë së mikut tim në Aja Sofia, jo larg vendit ku ka qenë i varrosur kryekryqtari Dandolo. Në librin “Gjashtë muaj që ndryshuan botën”, mbesa e Llojd Xhorxhit, kryeministrit britanik në kohën e Luftës së Parë Botërore, sjellë dëshmi për planet britanike për copëtimin e Shtetit Osman. Ndër të tjera, Llojd Xhorxhi ua kishte dhënë sinjalin grekëve që të pushtonin Izmirin dhe pjesë të tjera të mëdha të Shtetit Osman. Po ashtu, bashkë me francezët, kishin filluar ta zbatonin planin që Stambollit t’i jepej një status i “qytetit të hapur’, jashtë shtetit të ardhshëm turk. Mirëpo, në planet e këtyre dy aleatëve të Antantës, kishte ndërhyrë aleatja e tretë, Rusia. Në librin “Kujtime” ministri i punëve të jashtme rus i asaj kohe, zbërthen planin rus për pushtimin e Bosforit, të Dardaneleve dhe të Stambollit. Ai rrëfen me shumë detaje e me shumë emocione idenë e tij fillestare, për pushtimin e ngushticave dhe pastaj plotësimin e asaj ideje me idenë për pushtimin Stambollit. Kur ia kumton idenë dhe projektin carit Nikollaj II, cari i përgjigjet me këto fjalë Sazonovit: “ Unë ju detyrohem për ditën më të gëzuar të jetës sime.” Projekti rus për pushtimin e Stambollit, me motive imperiale, brenda të cilave ishin edhe sentimentet ortodokse, është paraqitur qartë në këtë dokument, të cilin Sazonovi e citon të plotë: “ Zhvillimi i ngjarjeve të fundit çoi Madhërinë e Tij, perandorin Nikollaj II, në bindjen se problemi për Konstandinopojën dhe ngushticat duhet të zgjidhet përfundimisht në kuptimin e synimeve shekullore të Rusisë. Çdo zgjidhje e saj, e cila në përbërje të Perandorisë së Rusisë nuk do të përfshinte qytetin e Konstandinopojës, bregun perëndimor të Bosforit, detin e Marmarasë dhe Dardanelet, gjithashtu dhe Trakën e Jugut në vijën Enos-Midi, do të ishte jo e kënaqshme”. Ndërsa në fund të telegramit thuhet se Rusia ishte e pajtimit që Britania dhe Franca të ndjekin realizimin “e planeve të tyre në rajone të tjera të Turqisë, si dhe jashtë kufijve të saj”. Pra Rusia ishte e pajtimit me planin Sajks/Pyko, që ndau tokat osmane e arabe ndërmjet anglezëve e francezëve, me kusht që t’i liheshin ngushticat dhe Stambolli. (Sikundër dihet botërisht, plani Sajks/Pyko është njëri nga planet më çnjerëzore dhe më kriminale, që janë zbatuar ndonjëherë në histori, pasojat e të cilit edhe sot janë vrastare në botën arabe.)  Plani ogurzi rus për Stambollin nuk u zbatua, shkaku i Revolucionit Bolshevik, i cili përmbysi carin Nikollaj II dhe qeverinë e tij. Pra, Stambolli mbeti qytet turk e musliman, përkundër planeve të miratuara nga Rusia, Britania e Madhe dhe Franca, që të shndërrohej në qytet rus e ortodoks. Reagimi i tashëm rus lidhur me kthimin në xhami të Aja Sofisë është dëshmi e një ndryshimi të pakthyeshëm që duket të ketë triumfuar në politikën ruse, ku ëndrrat për pushtimin e Stambollit, përfundimisht janë shuar. Deklarata ruse thoshte se kjo është çështje e brendshme e Turqisë. Përkundër planeve monstruoze, si ai i Sazonovit dhe Nikollajit II, Turqia ka mbijetuar dhe Stambolli ka mbetur si njëri nga qytetet më zulmëdha të botës muslimane. Dhe Aja Sofia po bëhet rishmi simbol i kësaj bote.  Po qe se shikohet realisht, hapja e Konstandinopojës ndaj Islamit ka qenë fitore e madhe edhe për katolicizmin, sepse me shpërbërjen e Bizantit dhe shndërrimin e Konstandinopojës në qytet musliman, ortodoksia e ka humbur garën për primat me katolicizmin. Katolicizmi dhe Perëndimi janë zhvilluar shumë më hovshëm, duke pasur përballë Shtetin Osman, se sa duke pasur përballë Bizantin dhe ortodoksinë. Natyrisht për këtë hipotezë, e cila mbështetet në shumë argumente, nuk mund të ketë konsensus, por ia vlen të kihet para sysh në këso rastesh. Pse? Sepse Islamofobia në Perëndimin e sotëm e ka krijuar për hesapet e veta një armik imagjinar nga Turqia dhe nga muslimanët, ngase Turqia e aq më pak Islami, nuk është armik i Perëndimit. Islami është universal dhe integrues. Turqia e sotme muslimane dhe atlantike dhe Stambolli i sotëm turk dhe kozmopolit, janë argumente konkrete. Turqia e sotme, duke e kthyer Aja Sofinë rishmi në xhami, është plotësisht sovrane, sepse merr vendime për interesat e shtetasve të vet. Pra, për këtë Turqi sovrane, po lamentonte miku im, kur u falëm ilegalisht në Aja Sofia. Tash edhe Aja Sofia do të jetë argument konkret i natyrës universale dhe integruese të Islamit. Ezani që do të thirret nga minaret e saj, do të jetë thirrje për shpëtim.