Turqia hedh poshtë raportin e Parlamentit Evropian

Turqia të mërkurën hodhi poshtë raportin “e njëanshëm dhe aspak objektiv” të Parlamentit Evropian mbi Turqinë për periudhën 2019-2020, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Është e pamundur të pranosh vendimin me rekomandimet e Parlamentit Evropian (PE) në një kohë kur po bëhen përpjekje për të ringjallur marrëdhëniet midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE)”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

“Hedhim poshtë këtë tekst të njëanshëm, i cili jo vetëm që përmban pretendime të rreme rreth të të drejtave të njeriut, demokracisë, shtetit të së drejtës, sistemit tonë të qeverisjes dhe partive politike, por gjithashtu konsideron politikën e jashtme efektive, humanitare dhe inovative të Turqisë, e cila kryesisht përqendrohet në zgjidhjet, si kërcënim. Gjithashtu përmban argumente krejtësisht të padrejta dhe të njëanshme të qipriotëve grekë dhe Greqisë në lidhje me Detin Egje, çështjen e Mesdheut Lindor dhe Qipros dhe mbështet narrativët e njëanshëm dhe jo konsistente armene lidhur me ngjarjet e vitit 1915”.

Ministria shtoi se raporti përpiqet të vë në diskutim bisedimet e pranimit të Turqisë, të cilat, shtoi ajo, treguan qartë një mungesë vizioni dhe argumentesh.

“Institucionet e BE-së dhe anëtarët e PE-së janë të vetëdijshëm se ngërçi në negociatat e pranimit të Turqisë nuk është për shkak të mungesës së vullnetit të Turqisë për të zbatuar reformat ose ndonjë mungesë të transpozimit të legjislacionit të BE-së, por për faktin se qarqe të caktuara po përdorin historinë e anëtarësimit si mundësi për pikë politike kundër Turqisë që nga fillimi i gjithë këtij procesi”, thuhet në deklaratë.

Ministria theksoi gjithashtu se anëtarësimi në BE është një qëllim i Ankarasë zyrtare dhe sigurisht që do të përfitonte e gjithë Evropa dhe më gjerë, duke shtuar se Turqia do të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet e nevojshme në përputhje me këto qëllime.

“Ndërsa BE-ja vlerëson përpjekjet tona, veçanërisht për çështjen e migracionit sipas marrëveshjes së ripranimit të emigrantëve midis Turqisë dhe BE-së më 18 mars 2016, nga e cila ne kemi përmbushur detyrimet tona, BE-ja megjithatë duhet ende të dalë nga rrethi vicioz duke mos marrë asnjë hap për të përmbushur detyrimet e saj sipas marrëveshjes, nga procesi i pranimit të Turqisë në BE për bashkëpunimin në fushën e migracionit”, thuhet në deklaratë.

Turqia, si një vend kandidat, pret që PE-ja të bëjë “përpjekje konstruktive” dhe se si ajo mund të kontribuojë në procesin e integrimit të Turqisë në BE, në vend se “të jetë një platformë për akuza të pabaza dhe akuza të verbra kundër Turqisë”.

Turqia ka qenë një kandidate zyrtare për anëtarësim në bllokun evropian që nga viti 1999.

Megjithatë, bisedimet e pranimit me BE-së, të filluara në 2005, janë vështirësuar ndjeshëm në vitet e fundit për çka Turqia fajëson lëvizjet politike nga administrata qipriote greke dhe palët tjera.