U gjet i pajetë në banesë disa ditë pasi ishte shpallur i zhdukur, 46-vjeçari është vrarë me…

46-vjeçari që u gjet sot i pajetë në banesën e tij në Vlorë, është vrarë! Ngjarja ndodhi në lagjen ‘24 Maji’. Mësohet se shtetasi Altin Alikaj u gjet nga nëna e tij, ndërkohë që ishte shpallur i humbur më datë 11 shkurt.

Nga këqyrja e trupit të viktimës, mësohet se ka një plagë në kokë, të shkaktuar nga goditja e një sëpate. Ka qenë pikërisht nëna e tij e cila sinjalizoi policinë për zhdukjen e djalit, pasi prej ditësh ai nuk i dilte në telefon.

Duke qenë se ajo ndodhej në Greqi, e moshuara kishte udhëtuar drejt Vlorës, dhe kur kishte mbërritur në banesën e të birit, e kishte gjetur atë të pajetë. Viktima mësohet se ka qenë ushtarak, ndërkohë të tjera detaje pritet të zbardhen në minuta në vijim.

Deri më tani nuk dihen rrethana te ngjarjes në fjalë, ndërsa policia po heton.