U godit me thikë gjatë seminarit, si është gjendja në spital e Salman Rushdie

Pas sulmit me thikë, shkrimtari Salman Rushdie, u shtrua në spital dhe është në oksigjen, pasi i janë dëmtuar nervat dhe mëlçia. Andrew Wylie, agjenti i Rushdies, tha në një deklaratë se shkrimtari i është nënshtruar një operacioni pas dëmtimeve që ka pësuar dhe se ka gjasa të humbasë njërin sy. Autori i librit “Vargjet…

Pas sulmit me thikë, shkrimtari Salman Rushdie, u shtrua në spital dhe është në oksigjen, pasi i janë dëmtuar nervat dhe mëlçia.
Andrew Wylie, agjenti i Rushdies, tha në një deklaratë se shkrimtari i është nënshtruar një operacioni pas dëmtimeve që ka pësuar dhe se ka gjasa të humbasë njërin sy.
Autori i librit “Vargjet Satanike”, me origjinë indiane, i cili para disa viteve u urdhërua të vritej nga Irani për shkak të shkrimeve të tij, u sulmua me thikë, më 12 gusht, gjatë një seminari në skenën e Institutit Chautauqua në shtetin e Nju Jorkut.
Policia identifikoi sulmuesin, Hadi Matar, 24 vjeçar, nga Nju Xhersi dhe e arrestoi atë në vendin e ngjarjes.

Deri tani asnjë akuzë nuk është ngritur kundër tij dhe sipas policisë ende nuk dihen motivet e sulmit.

Institutit Chautauqua në shtetin e Nju Jorkut, vendi ku u sulmua ai, është i njohur për serinë e leksioneve të verës, ku Rushdie ka folur aty edhe më parë.

I dyshuari hyri në skenë ndërsa Rushdie po prezantohej dhe e sulmoi atë dhe moderatorin Henry Reese, tha Policia e Shtetit të Nju Jorkut në një deklaratë.

“Rushdie pësoi plagë të dukshme me thikë në qafë dhe u transportua me helikopter në një spital të zonës. Gjendja e tij ende nuk dihet”, thuhet në deklaratë.

Reese pësoi një dëmtim të lehtë në kokë.

Rushdie, i cili ka lindur në një familje muslimane indiane, është përballur me kërcënime me vdekje për romanin e tij të katërt, “Vargjet Satanike”, për të cilin disa muslimanë thanë se përmbante mesazhe blasfemike. Romani u ndalua në shumë vende me popullsi të madhe myslimane pas botimit të tij në vitin 1988.
Salman Rushdie s’i frikësohet kërcënimit
Një vit më vonë, Ayatollah Ruhollah Khomeini, asokohe lideri suprem i Iranit, shpalli një “fetva”, ose dekret fetar, duke u bërë thirrje muslimanëve të vrisnin shkrimtarin për blasfemi.
Irani më vonë u tërhoq nga urdhri dhe Rushdie ka jetuar relativisht i pashqetësuar në vitet e fundit.
Rushdie ishte në Institutin Chautauqua për të marrë pjesë në një diskutim rreth shërbimit të Shteteve të Bashkuara si azili për shkrimtarët dhe artistët në mërgim dhe “si një shtëpi për lirinë e shprehjes krijuese”, sipas faqes së internetit të institucionit.
Rushdie ka lindur në Mumbai të Indisë. Ai ka nënshtetësi britanike dhe amerikane dhe jeton në Nju Jork që nga viti 2000, sipas Politico./ Radio Evropa e Lirë