Ulja e taksave si shkak për rikthimin e ekonomisë në trajektoren e rritjes

Nga Vehap Kola

Debati mbi taksat u ndez para disa javësh në Shqipëri kur lideri i opozitës, Lulzim Basha, risolli në diskutimin publik planin e partisë së tij për të shfuqizuar taksimin progresiv dhe për të zbatuar një taksë të sheshtë 9% mbi të gjitha llojet e të ardhurave. Progresistë dhe  marksistë të shkallëve të ndryshme të indoktrinimit e sulmuan këtë shtyllë kryesore të planit ekonomik të Partisë Demokratike duke paralajmëruar rënie të të ardhurave buxhetore dhe kërcënim të programeve sociale e investimeve publike të qeverisë.

Por diskutimi i njëmendtë ndërmjet ekonomistëve nuk duhet të jetë pakësimi i parave në arkën e shtetit, sepse arka e shtetit nuk është qëllimi, por mjet (në tërësi i keq) për arritjen e qëllimeve të rritjes ekonomike dhe mirëqenies së një shoqërie.

Ekonomistët nga universitetet dhe qendrat më të mëdha kërkimore të botës u qasen politikave fiskale të qeverive pikërisht nga ndikimi që ato kanë apo mund të kenë mbi rritjen e prodhimit të brendshëm bruto.

Efekti që paraja publike prodhon mbi PBB-në njihet ndryshe edhe si multiplikatori fiskal apo kejnesjan. Pyetja që ngrihet në këto diskutime është: cili është ndikimi në prodhimin e përgjithshëm bruto i rritjes me një njësi të shpenzimeve qeveritare?

Robert Barro, një ndër makroekonomistët më të shquar të botës, profesor në Universitetin e Harvardit, thotë se blerjet qeveritare në formën e shpenzimeve dhe investimeve publike nuk janë pa kosto. Prandaj të besosh se rritja me një njësi e shpenzimeve publike nuk do të rrisë me një njësi prodhimin e brendshëm bruto, është të besosh se të mirat publike janë thellësisht falas për shoqërinë.

Këtë përfundim, profesor Barro e mbështet mbi studimin e efekteve të shpenzimeve publike në ekonominë amerikane për periudhën 90-vjeçare 1914-2006. Përfundimet e arritura nga ky studim dhe nga shumica e studimeve të ngjashme përkojnë. Ato na thonë se çdo njësi shpenzimesh qeveritare na kthehet në më pak se 1 njësi përfitim në ekonomi.

Një grup studiuesish të tjerë nga “London School of Economics”, Universiteti i Pensilvanisë dhe Universiteti i Merilendit e kanë hetuar çështjen e multiplikatorit të Kejnesit në një studim që përfshiu 44 vende (20 vende me të ardhura të larta dhe 24 vende në zhvillim) për një periudhë 47- vjeçare, përkatësisht 1960-2007. Gjetjet kryesore të këtij studimi për vendet në zhvillim janë përmbledhur në pesë pika.

Së pari, në vendet në zhvillim, reagimi i ekonomisë ndaj shpenzimeve qeveritare është negativ në impakt dhe paratë publike nuk kanë pothuajse asnjë rol në rritjen e prodhimit të ekonomisë. Jo vetëm kaq, por efekti kumulativ i shpenzimeve mbi ekonominë publike është negativ në periudhë afatgjatë.

Së dyti, ekonomitë me regjim fleksibël të kurseve të këmbimit kanë multiplikatorë negativë si në afatshkurtër, ashtu edhe në periudhë afatgjatë. Kjo do të thotë se në një ekonomi në zhvillim, si kjo e Shqipërisë, rritja e shpenzimeve publike do të përkthehej në efekte negative në prodhimin e brendshëm bruto.

Së treti, shpenzimet e larta qeveritare prodhojnë ndikim pozitiv në produktin e brendshëm bruto të një ekonomie të mbyllur, por e kundërta ndodh me ekonomitë e hapura. Këtu multiplikatori është negativ.

Së katërti, nëse borxhi publik e kalon pragun 60%, efekti i shpenzimeve publike mbi ekonominë në periudhën afatshkurtër është i parëndësishëm, ndërsa në periudhën afatgjatë ndikimi është përkeqësues. Me një borxh që ka kaluar 80% të PBBsë, ose 97% të PBB-së duke përfshirë detyrimet e prapambetura, Shqipëria bën pikërisht pjesë në këtë grup vendesh që marrin ndikim negativ në ekonomi për çdo para publike të hedhur nga shteti.

Së pesti, multiplikatori për investimet publike në vendet në zhvillim është pozitiv në periudhën afatshkurtër dhe më i madh se 1 në periudhën afatgjatë. Pra, përbërja e shpenzimeve publike luan një rol të rëndësishëm në vlerësimin e efektit të stimulit fiskal në vende si Shqipëria. Si (1) një vend në zhvillim, (2) me regjim fleksibël të kursit të këmbimit, (3) me ekonomi të hapur dhe (4) borxh publik mbi 60%, (5) ku pesha e shpenzimeve qeveritare për konsum është disafish më e lartë se pesha e investimeve publike në secilin nga buxhetet e 20 viteve të fundit, Shqipëria duket vendi ideal për të ulur shpenzimet publike. Kjo do të thotë se ulja e taksave, pa hyrë në diskutimin e formës së taksës (të sheshtë apo të përshkallëzuar), është një urgjencë për Shqipërinë.

Shqetësimet e ngritura nga progresistët dhe marksistët e rinj se ulja e taksave do të varfërojë buxhetin e shtetit janë të kota. Sepse majmja e buxhetit të shtetit nuk përkthehet në ndihmë për ekonominë. Përkundrazi, studimet provojnë se në kushtet ku gjendet ekonomia shqiptare, duhet synuar që shpenzimet publike të luajnë një rol sa më të vogël në ekonomi.

Një përfundim i rëndësishëm i këtyre studimeve është pikërisht fakti që pesha e investimeve publike ndaj shpenzimeve të përgjithshme qeveritare duhet të rritet dhe shpenzimet shtetërore për konsum duhen reduktuar.

Ajo që ka bërë qeveria e majtë në 7 vitet e fundit është pikërisht e kundërta e këtij rekomandimi. Rama ka reduktuar investimet publike dhe ka rritur shpenzimet për konsum, ku bëjnë pjesë shpenzimet për restaurimin dhe mobilimin e zyrave shtetërore, shpenzime mirëmbajtjeje dhe shërbime për zyrtarët e lartë. Plani i Partisë Demokratike për të vënë në zbatim një taksë të sheshtë në nivelin 9% dhe për ta shoqëruar këtë me një rizhvendosje të fokusit politikave drejt investimeve publike është një plan maksimalist, nëse mbështetemi te gjetjet e studimeve të sipërcituara.

Politikat e stimulit fiskal, më shumë vëmendje u duhet kushtuar incentivave që inkurajojnë individët dhe bizneset të investojnë, të prodhojnë dhe të punojnë. Periudha që nis në janar 2022, kur qeveria e re e krijuar nga opozita e sotme do të nisë zbatimin e buxhetit të ri, do të dëshmojë përfundimet e arritura nga shumica dërrmuese e studimeve. Paratë që do të mbeten në duart e individëve dhe bizneseve nga ulja e taksave do të shndërrohen në më shumë investime, më shumë produkt dhe më shumë punësim.