Urrejtja

Nga Redi Shehu

Duke qenë se është një ndër “komshijet” më intime të ndërgjegjes tonë, urrejtja tek ne, është përpjekur gjithmonë ta skuadrojë qënien e saj diku mes një aliazhi kompleksesh emocionale të zemërimit, frikës, armiqësisë, xhelozisë e fajësisë dhe proçesesh njohëse, ku mbisundon dehumanizimi i tjetrit mbi bazën e deformimit të vetë njohjes. Kështu, ky koncentrat i mendimeve destruktive, që ne e quajmë urrejtje, i jep individit që e mbart atë, fuqi po ashtu destruktive duke e pozicionuar kryesisht në dy pole, në atë të mendjemadhësisë dhe fajësisë. Mendjemadhësi kur urrejtja drejtohet ndaj të tjerëve dhe fajësi kur urrejtja drejtohet ndaj vetes. E gjitha mund të përmblidhet me ekzistencën e një gjendjeje irracionaliteti të ndividit, i cili në rastin e urrejtjes, mendon dhe e ushqen vazhdmisht atë me ndjenjën se e vërteta i përket eksluzivisht vetëm atij, duke i dhënë kështu vetes një “liçensë” për ta dehumanizuar personin apo grupin shoqëror që urrehet.

Këto proçese të deformuara njohjeje, janë të afta të shkaktojnë ndjenja të dhunës deri në ekstremitet. Megjithatë, duhet të theksojmë se jo çdo akt dhune buron nga urrejtja. Dhuna mund të jetë edhe instrumentale, pra një instrument për të arritur një qëllim të caktuar jashtë urrejtjes. Por jo vetëm kaq dhuna mund të jetë edhe një akt mbrojtës ndaj një sulmi të caktuar. Pra, lidhja e urrejtjes me dhunën jo gjithmonë janë në raport të drejtë. Urrejtjen e gjejmë kryesisht të përqëndruar në tre tipologji që janë : Urrejtje individuale, urrejtje në grup dhe urrejtje kolektive sociale ku përfshihet urrejtja e një etnie apo kombi ndaj një tjetri. Ajo çka e karakterizon urrejtjen, është padyshim distancimi. Urrejtja nuk do të kishte kuptim nëse ajo nuk do të fillonte me distancimin, sepse që të urresh duhet të distancohesh duke u përpjekur për të gjetur “arsyet e duhura”. Kjo, na lë të kuptojmë se e kundërta e distancimit është edhe një ndër ilaçet për ta shëruar urrejtjen.

Një ndër pyetjet të cilën e gjejmë shpesh të bëhet mes njerëzve është ajo se; a urrejmë ne, sa urrejmë dhe kë urrejmë ? Kjo formë e kërkimit të urrejtjes ndër ne është problematike për faktin se kërkohet të gjehet së pari masa e urrejtjes e cila është e pamatshme dhe objektivi i urrejtjes, pra njeriu. Gabimi qëndron sa kohë urrejtjen e drejtojmë ndaj njeriut dhe jo ndaj cilësive të urrejtura që ai mbart. Pra, ne mund të pohojmë që urrejmë dhe duhet të urrejmë, por vetëm me një kusht që kjo urrejtje të drejtohet ndaj cilësive të urrejtura, sepse një urrejtje e tillë është një garanci për të ruajtur të paprekura cilësitë pozitive. Duke  e ndarë urrejtjen nga personi, atëherë ne mundohemi të mos e dehumanizojmë qënien duke i dhënë atij shanse korrigjimi.

Prof. Jose’ Navarro i Universitetit të Cadiz-it në Spanjë, e ndan urrejtjen në dy lloje. Në “hot hate” urrejtje impulsive dhe “cold hate”, urrejtje gjakftohtë.  E para, thotë prof. Navarro, është urrejtja e paplanifikuar e atypëratyshme, nevrike e nxehtë e cila e sheh veten të justifikuar në raport me subjektin e urrejtur e që shpesh përfundon në dhunë fizike. Një situatë e polarizimit të shpejtë të mendimit, por që më vonë mund t’i kthehet racionalitetit dhe të qetësohet. Ndërsa “cold hate” është ai lloj i urrejtjes e cila është e planifikuar, konstante e gjakftohtë, që ashtu si dashuria, vjen ngadalë dhe ikën ngadalë. Ndjenja e hakmarrjes është e vazhdueshme dhe karakterizohet me një formë planifikimi afatgjatë që shpesh, si në rastin e parë, të çon drejt përdorimit të dhunës, por kësaj radhe ne formë më të strukturuar dhe të paramenduar.

Në të dyja rastet, shikimi i tjetrit në formë asimetrike, më të poshtëruar në raport me veten apo grupin që përfaqëson, është karakteristikë për urrejtjen e këtij lloji. Padyshim që një ndër aleatët më të mëdhenj të urrejtjes është edhe injoranca e cila në thelb ka mosnjohjen apo keqnjohjen e realitetit apo kronologjisë së ngjarjeve dhe informacioneve në lidhje me personat apo kategoritë sociale. Urrejtja ndaj një komuniteti tjetër dhe konsiderimi i komunitetit tënd si superior duke përdorur gjeneralizimin e karakteristikave të veçanta të individëve apo grupimeve të vogla me bazë race, etnie, gjinie, kombësie apo besimi, dhe duke ia ngjeshur të tërës, jo vetëm që është urrejtje por në të njëjtën kohë është edhe padrejtësi.

Urrejtësit rrallë urrejnë vetëm, ata ftojnë vazhdimisht të tjerët për të urryer ashtu si ata, sepse në këtë formë duke u grupuar, ata ndjehen më të sigurtë por jo vetëm, ata ndjehen edhe më pak përgjegjës, për shkak se barra e urrejtjes individule tashmë është e shpërndarë. Për këta, ata përdorin simbole, mitologji dhe rituale të urrejtjes duke e përshkallëzuar atë nga ajo verbale, në dhunë fizike pa armë, pastaj në dhunë me armë e  gjenocid, duke përmbushur kështu qëllimin final të urrejtjes që është shkatërrimi përfundimtar i subjektit të urryer me anë të formës më të lartë të urrejtjes që është ajo e ngritur në sistem.

Shumë mendojnë se urrejtja është e kundërta e dashurisë. Psikologu i famshëm Robert Sternberg, mendon se urrejtja është e lidhur psikologjikisht me dashurinë dhe se ekzistenca e urrejtjes vjen nga mungesa e dashurisë. Por ama, një fakt është i vërtetë se dashuria vjen më natyrshëm tek njëriu se urrejtja, çka na lë të kuptojmë se njeriu është i lindur të dojë dhe gjatë jetës mëson të urrejë. Një fëmijë i porsa lindur, nuk mund të urrejë sepse ai nuk posedon akoma ndërgjegjen për ta bërë këtë, ndërsa do pavetëdije për shkak të natyrshmërisë së dashurisë lindur bashkë me të.

Menaxhimi i urrejtjes bëhet më së miri në momentin kur ne fillojmë të mendojmë se jemi po ashtu pjesë e gabimit e për këtë eleminojmë distancimin dhe vazhdojmë të rishohim informacionet e mëparshme të gabuara duke i dhënë vetes dhe tjetrit kohë. Koha është ilaçi për ftohjen e urrejtjes. Për këtë arsye, gjejmë se poseduesit e “cold hate”  në planifikimet e tyre afatgjata të urrejtjes, të përdorin në formë të vazhdueshme shkallë të retorikës së urrejtjes dhe dhunës, për ta mbajtur lart nivelin e irritimit përgjatë kohës. Megjithatë turpi nuk qëndron tek dashuria, turpi qëndron tek urretja. Turpi qëndron tek ata të cilët vazhdimisht nxisin të gjitha llojet e urrejtjeve mes njerëzve, e në mënyrë të veçantë tek ata më të rrezikshmit, ata që urrejnë duke buzëqeshur.