Veprat e të burgosurit palestinez “fluturojnë” përtej burgut izraelit

Të gjitha këto kryevepra kanë ardhur nga brenda burgut izraelit Jalbou, në veri të Luginës së Jordanit, nga ku Basem Khandakji po vuan tre dënime të përjetshme për pjesëmarrjen e tij në "Intifadën e dytë"

Në moshën 37-vjeçare, gazetari i burgosur palestinez, Basem Khandakji, ka shkruar gjashtë libra, respektivisht katër romane dhe dy koleksione poetike, njërin prej të cilëve e shkruajti për vetëm katër muaj, duke shënuar një rekord në shkrim të shpejtë.

Të gjitha këto kryevepra kanë ardhur nga brenda burgut izraelit Jalbou, në veri të Luginës së Jordanit, nga ku Basem po vuan tre dënime të përjetshme për pjesëmarrjen e tij në “Intifadën e dytë”.

Ai u arrestua dhe u dërgua pas hekurave në vitin 2004, në moshën 21-vjeçare, menjëherë pas diplomimit të tij në gazetari në Universitetin Kombëtar Al-Najah, por deri më tani burgu nuk ka arritur ta pengojë imagjinatën e tij që kalon përtej hekurave të burgut izraelit.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), vëllau i tij, Yousef Khandakji, theksoi se Basem shkruante artikuj dhe tregime para burgimit të tij dhe pasi u burgos ai vazhdoi të shkruante, duke përshkruar jetën në burg, si dhe duke prodhuar proza, poezi e artikuj.

Në bibliotekën familjare të Khandakji, afër qytetit të vjetër të Nablusit në Bregun Perëndimor, Yousef është i angazhuar me korrigjimin dhe leximin e dorëshkrimeve të shkruara nga vëllai i tij për botim.

Biblioteka u themelua në vitin 1971 nga halla e tyre Nadya Khandakji, e cila u lirua nga burgu në atë vit pasi vuajti një dënim prej 18-muajsh për shkak të aktiviteteve të saj në rezistencën palestineze. Sapo themeloi bibliotekën, vëllëzërit e saj, Saleh dhe Adeeb, ndihmuan për ta menaxhuar atë. Tani është zhvilluar në një nga bibliotekat dhe shtëpitë botuese kryesore në Bregun Perëndimor.

“Kur unë pranoj dorëshkrimin e Basem-it, e konsideroj atë si një foshnjë që vjen në botë pas dhimbjeve të lindjes. Kaloj shumë ditë duke admiruar këto letra që janë nxjerrë nga burgu përmes një procesi të ndërlikuar”, tha Yousef.

Ai akutalisht është i angazhuar me korrigjimin e romanit të pestë të vëllait të tij, i cili do të dalë për publikun së shpejti.

Romani i parë i Basem-it doli në vitin 2010. Letrat u nxorën nga burgu, u shtypën dhe u shpërndanë në Bejrut.

“Letrat transportohen jashtë burgut me shumë vështirësi. Ndonjëherë administrata e burgon e zbulon atë dhe menjëherë i dënojnë të burgosurit, që kanë dorëshkrimin”, tha Yousef.

Nxjerrja nga burgu i dorëshkrimeve

Një herë kur u zbuluan dorëshkrimet e tij duke u nxjerrë jashtë, autoritetet e burgut mbyllën Basem-in në izolim dhe po ashtu vendosën një dënim financiar.

“Vëllai im ka imagjinatë dhe këmbëngulje. Ai ëndërron të shëtis botën. Muret janë realiteti i jetës së tij, por ato nuk mund ta arrestojnë imagjinatën e tij, që udhëton përtej mureve. Ai e humbi babanë në moshën 21-vjeçare, menjëherë pas ndalimit të tij, që ishte ngjarja më e vështirë për familjen”, tha Yousef.

Shkrimtari i burgosur ende nuk e di se si priten librat e tij në botën arabe. Shumë studentë nga universitete të ndryshme në rajonin e Magrebit dhe Jordanisë kanë për detyrë të lexojnë romanet dhe poezitë e Basem-it.

Duke folur për AA, avokati Hasan Abbadi rrëfen takimin e tij me autorin brenda burgut në qershor të vitit 2019. Si avokat, ai lejohet të takojë të burgosurit për të përgatitur çështjen.

“Nuk e njihja personalisht, por isha një lexues i flaktë i romanëve të tij. Ai më tha se gjatë 15 viteve të fundit, ishte hera e parë që është ndjerë si shkrimtar. Ai më tha se ishte takuar për herë të parë me një lexues të veprave të tij”, tha Abbadi.

Avokati tha se Basem dëshironte të ketë një kafene kulturore në Haifa për të diskutuar mbi veprat e tij me lexuesit.

Librat u ndaluan në burg, por lexuesit takuan autorin

Avokati organizoi shumë programe për të diskutuar romanet e Basem-it në Haifa dhe Amman, në kuadër të iniciativës së tij për mbështetje të të burgosurit palestinez të cilët shkruajnë pas hekurave.

“Ai (Basem) nuk shkruan vetëm për vuajtjet në burg. Ai shkruan edhe për dashurinë dhe historinë. Ne biseduam për imagjinatat e tij që përfshijnë udhëtime në Paris, duke bredhur nëpër rrugë në Jaffa, Bejrut dhe Haifa. Biseduam për komplotin e romaneve të tij që ndërthurin të kaluarën dhe të tashmen dhe përpiqen të presin të ardhmen”, tha Abbadi.

Në një nga ngjarjet kulturore të organizuara në Nablus, Abbadi tha se kur një i ri i burgosur i ka kërkuar bibliotekarit të burgut librin e Basem-it, atij iu tha se ishte i ndaluar.

Por bibliotekari, me buzëqeshje i ka thënë të riut se edhe nëse nuk e merr librin, mund ta takojë autorin në qelinë numër 110.