Vonesat e Pfizer, ndalohet vaksinimi në Evropë

Ministrat thonë se atyre u është premtuar shërbim normal nga mesi i shkurtit. Nëse nuk do të vijohet normalisht, Varshava thotë se do të merrte parasysh veprimet ligjore.

Vaksinimet në një pjesë të Europës po mbahen pezull dhe në disa raste janë ndalur për shkak të ndërprerjes së dërgesave të dozave të vaksinës nga Pfizer-Biontech.

Gjermania dhe disa rajone në Itali kanë pezulluar dozat e para, ndërsa vaksinimet për mjekët në Madrid janë ndalur gjithashtu.

Kompania farmaceutike amerikane i është dashur të ndërpresë dërgesat përkohësisht ndërsa rastet në shumë vende evropiane rriten. Gjermania ka arritur në 50 mijë vdekje nga koronavirusi, ndërsa Spanja ka regjistruar shifra rekord të infektuarish.

Italia dhe Polonia kanë kërcënuar të marrin masa ligjore në përgjigje të reduktimit të vaksinave. Pfizer tha javën e kaluar se po vononte dërgesat për javët e ardhshme për shkak të punës për të rritur kapacitetin në fabrikën e saj belge të përpunimit.

BE ka pronotuar 600 milionë doza nga Pfizer dhe gjithashtu ka autorizuar vaksinën Moderna.

Duke iu përgjigjur vonesave, Kryeministri hungarez Viktor Orban, tha se BE duhej të merrte disa përgjegjësi për shkak të miratimit të ngadaltë të vaksinës Oxford-AstraZeneca, e cila mund të vijë në fund të javës së ardhshme. Hungaria ka arritur një marrëveshje me Rusinë për të blerë sasi të mëdha të vaksinës Sputnik V, edhe pse nuk ka marrë miratimin e BE.

Si është goditur Europa nga vonesat e vaksinave

Italisë i është thënë të presë një shkurtim prej 20% të vaksinës Pfizer-BioNTech javën e ardhshme – ajo tashmë ka parë një rënie prej 29% këtë javë – dhe Roma po shqyrton veprimet ligjore.

Komisioneri Special i Covid Domenico Arcuri thotë se dozat ranë nga 80 mijë në ditë në një mesatare prej 28 mijë të shtunën e kaluar. Disa rajone italiane kanë parë një rënie prej 60% të dozave.

Gjermania, ku është i vendosur BioNTech, ka pasur disa shtete që luftojnë me dërgesat e vaksinave.

Nordrhein-Ëestfalen, në perëndim, ndaloi dozat e para në spitale të martën dhe ndërpreu vaksinat e para gjithashtu në shtëpitë e të moshuarve. Vaksinimet e dyta po vazhdojnë por qendrat speciale për moshat mbi 80 vjeç nuk do të hapen tani deri në muajin tjetër.

Autoritetet në kryeqytetit spanjoll, Madrid kanë ndaluar përkohësisht vaksinimin e personelit të kujdesit shëndetësor këtë javë, duke thënë se ata kishin marrë vetëm gjysmën e dozave që prisnin. Qeveria kombëtare po racionon shpërndarjen derisa të përmirësohen dërgesat e Pfizer.

Rumania ka paralajmëruar që rezervat e saj të vaksinave mund të zbresin në pothuajse zero deri në fund të javës së parë të shkurtit.

Qeveria Çeke ka paralajmëruar se zvogëlimi i shpërndarjes ka krijuar “komplikime të mëdha”.

Polonia, e cila filloi duke vaksinuar punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe u zhvendos në shtëpitë e kujdesit këtë javë, pa një rënie prej 50% të numrit të vaksinave të shpërndara këtë javë.

Ministrat thonë se atyre u është premtuar shërbim normal nga mesi i shkurtit. Nëse nuk do të vijohet normalisht, Varshava thotë se do të merrte parasysh veprimet ligjore.

Shpërndarja e dozave në botë

Ndërkohë që në Europë, në disa shtete të botës vijon vaksinimi. Sipas të dhënave nga Bloomberg janë administruar më shumë se 56,7 milion doza në 52 vende, mesatarisht 2.85 milionë doza në ditë.

Izraeli në krahasim me vendet e tjera të botës ka ecur me ritme të shpejta sa i përket vaksinimit. Aktualisht ai kryeson listën e vendeve që administrojnë më shumë vaksina, 35.45 doza për 100 banorë. E ndjekur nga Emiratet e Bashkuara me 20.90 doza dhe Bahrejni me 7.38 doza për 100 banorë.

Bashkimi Europian administron në total 7,326,550 doza, ose 1.65 doza për 100 banorë.

Mes vendeve që kanë filluar vaksinimin listohet edhe Shqipëria, e cila renditet e parafundit me 0.02 doza për 100 banorë./Monitor