Yakov Rabkin: Sulmet e Izraelit në Gaza kualifikohen si “krim lufte”

Profesori Rabkin thotë se sulmet e Izraelit në Gaza duke përdorur armë të sofistikuara kualifikohen si "krim lufte"

Izraeli është pala më e fortë në mosmarrëveshjen me Palestinën dhe duhet të ndalojë së luajturi rolin e viktimës, tha historiani Yakov Rabkin.

“Mesazhi im për palën më të fortë, e cila është Izraeli në këtë rast, është se ata duhet të rishikojnë narrativin e tyre”, tha në intervistën për Anadolu Agency (AA), Yakov Rabkin, një profesori i historisë në Universitetin e Montrealit në Kanada.

“Pra, unë mendoj për palën më të fortë. Unë u thashë mos mendoni se jeni viktimë. Ju nuk jeni viktima në këtë rast. Ju jeni autorë të krimeve”, tha Rabkin.

Protestat kundër dëbimeve të planifikuara të palestinezëve në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor u kthyen në dhunë pas përdorimit joproporcional të forcës nga forcat izraelite të sigurisë që la shumë njerëz të plagosur të premten dhe të hënën e kaluar, përfshirë edhe disa reporterë.

Situata është përshkallëzuar që kur ushtria izraelite filloi të kryejë sulme ajrore në Rripin e Gazës të hënën.

Të paktën 119 palestinezë janë martirizuar, përfshirë 31 fëmijë dhe 19 gra ndërsa 830 janë plagosur, thonë autoritetet shëndetësore palestineze.

Profesori tha se Izraeli është i detyruar të sillet sipas normave ndërkombëtare.

“Është një makineri ushtarake shumë e sofistikuar që sulmon një popullatë civile. Unë mendoj se kjo kualifikohet si krim lufte”, tha Rabkin.

Ai gjithashtu kundërshtoi përdorimin e termit “konflikt” për të përshkruar dhunën midis Izraelit dhe Palestinës, duke thënë se nuk është adekuate sepse Izraeli ka një fuqi disproporcionale.

“Ne po flasim për një popullatë civile në thelb që përballet me një nga makineritë më të sofistikuara ushtarake në rajon, më të sofistikuara, pa asnjë ofendim”, tha Rabkin.

“Netanyahu përfiton nga polarizimi”

Profesori Rabkin gjithashtu tha se shumë politikanë “përdorin luftën dhe situata luftarake” për të shpëtuar lëkurën e tyre.

“Unë nuk mund të futem në kokën e kryeministrit (izraelit) Netanyahu. Nuk e di pse e dha këtë urdhër, por qartë se kjo nuk ishte në dëm të tij. Padyshim, ai po përfiton nga polarizimi në shoqërinë izraelite dhe natyrisht kjo lloj armiqësie rrit polarizimin, të cilin ne e shohim edhe në rrugët e Izraelit”, shtoi ai.

Duke iu kthyer politikës së vjetër amerikane për të mbrojtur Izraelin nga kritikat ndërkombëtare dhe censurimet në OKB, Rabkin tha: “Ekziston një konsensus i pathënë se Izraeli duhet të gëzojë një mosndëshkueshmëri të caktuar të jashtëzakonshme”.

“Dhe kjo që po bën Izraeli, në një farë mënyre, nuk ndryshon shumë nga ajo që SHBA-ja ka bërë në pjesë të ndryshme të botës, kështu që ekziston një ngjashmëri e caktuar. Unë nuk do ta fajësoja (presidentin e SHBA-së, Joe) Biden ose administratën e tij. Ata po ndjekin hapat e të gjitha administratave të mëparshme”, shtoi ai.