Zelensky: Mbështetja e Turqisë për sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, jashtëzakonisht e rëndësishme

"Mbështetja e Turqisë për rindërtimin e sovranitetit dhe integritetit tonë territorial është jashtëzakonisht e rëndësishme për Ukrainën", tha presidenti ukrainas, Zelensky...

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se liberalizimi i tregtisë mes Turqisë dhe Ukrainës është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe se kjo do të jetë e mundur me nënshkrimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zelensky ndodhet për një vizitë në Turqi me rastin e takimit të nëntë të Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Ukrainë. Ai mbajti një fjalim në konferencën e përbashkët për media pas takimit me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe bisedimeve ndërmjet delegacioneve që u zhvilluan në rezidencën Huber në Stamboll.

“Kemi biseduar në mënyrë të gjerë ‘hapat e përbashkët për sigurinë dhe për t‘u përballur me sfidat’ në Detin e Zi”, deklaroi Zelensky i cili shtoi: “Dëshiroj të theksoj se Kievi dhe Ankaraja kanë vizion të njëjtë si për kërcënimet ashtu edhe për reagimin e nevojshëm që duhet të jepet ndaj tyre”.

“Mbështetja e Turqisë për rindërtimin e sovranitetit dhe integritetit tonë territorial është jashtëzakonisht e rëndësishme për Ukrainën. Jam i lumtur që dëgjova nga presidenti Erdoğan se ndihma e tij në fjalë vazhdon dhe se qëndrimi i Turqisë në këtë drejtim nuk do të ndryshojë”, tha Zelensky.

Ai informoi se në bisedimet me presidentin Erdoğan janë fokusuar mbi marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike. “Liberalizimi i tregtisë dypalëshe është jashtëzakonisht e rëndësishme. Rritja serioze e vëllimit tonë tregtar do të jetë e mundur me nënshkrimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë”, theksoi Zelensky.

Presidenti ukrainas vuri në dukje se një hap i tillë përmban një përgjegjësi të madhe dhe se dy vendet duhet ta hedhin sipas interesave të dy vendeve. Më tej Zelensky u shpreh se institucionet përkatëse ndërmjet dy vendeve duhet të kryejnë kontroll të gjerë në çështjet e debatueshme dhe se janë dakorduar që të gjejnë dakordimin i cili do të sigurojë nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë.

“Po ashtu kemi diskutuar edhe çështjen e bashkëpunimit në fushën e energjisë. Edhe perspektivat e bashkëpunimit në fushën e industrisë së mbrojtjes janë të mëdha. Industria e mbrojtjes është fuqia shtytëse e partneritetit tonë strategjik”, tha Zelensky.

“Me presidentin biseduam për bashkëpunimin në fushën e prodhimit të avionit. Fusha në fjalë është jashtëzakonisht e rëndësishme për të dy vendet. Qëllimi ynë këtu është të vendosen në zbatim projekte të qarta, formimin e menaxhimeve të përbashkëta dhe ndarjen e përvojës dhe teknologjisë”, tha ai.