Zgjedhjet i fituan ndërkombëtarët

Nga Redi Shehu

Pak njerëz do ta besonin, pas gjith atij presioni politik mbi faktin se zgjedhje në 30 Qershor nuk do të ketë, se dita e diel e datës 30 do ishte një ditë e qetë zgjedhjesh lokale. Të bjerrur për katër muaj me radhë, nga presioni i destabilitetit që protestat e opozitës së bashkuar shkaktonin, qytetari shqiptar arriti një fitore që nuk kishte të bënte me zgjedhjet më shumë se sa me qetësinë dhe stabilitetin e tij.

Me pak fjalë, dukej se data 30 ishte një ftesë në të cilën shkruhej “mirëse u kthyet përsëri në tranzicion”. Po vërtet, zhvillimi i zgjedhjeve brënda ciklit elektoral na ktheu brënda asaj atmosfere të cilën ne e duam dhe e jetojmë prej kohësh, tranzicionin.

Me çdekretimin e Presidentit të Republikës të datës 30, dhe caktimin e një datë tjetër për zgjedhjet në Tetor, vendi rrezikonte të hynte në një fazë të panjohur, në tranzicionin e vetë tranzicionit, pasi rrëmujologjia institucionale dhe çarja e figurave politike deri në nivel të papreçedent, do ta kalonin vendin në tranzicion të tranzicionit, domethënë në kolaps të plotë. Zhvillimi i zgjedhjeve me datë 30, të paktën na ktheu thjesht aty ku ishim , në tranzicion i cili prej 30 vitesh është përceptuar prej nesh si normalitet i plotë. Pra, me standartin shqiptar, zhvillimi i zgjedhjeve në kohën e përcaktuar ligjërisht, ishte kthim në normalitet.

Këto zgjedhje u paraprinë nga një fushatë e cila ishte fushata e parë elektorale në Shqipëri e cila na u shfaq me dy pamje, ngjashëm me një ekran te ndarë në dysh që tregon dy realitete të ndryshme njëkohesisht. Nga njëra anë e ekranit, shfaqej pamja “talebane” e protestave antielektorale, nga ana tjetër, pamjet “aristokrate” të fushatës së Kryeministrit. Të dyja janë shprehje e alienuar e asaj që ata duan të nënkuptojnë. As talebane e as aristokratë nuk ka këtu tek ne. Këtu ka me bollëk demagogë që përdorin simbolet për të dominuar gjysmën tjetër të ekranit. Këtë e bëjne duke fshehur me mjeshtri të shkuarën dhe duke bërë aleancë si me krimin e rrugës po ashtu dhe me krimin në politikë. Sidoqoftë, kjo ishte një fushatë pa fushatë, pa sllogane e pa flamuj, pa koncerte show biz. Kjo ishte hera e parë e një fushate ku gjysma e ekranit bënte fushatë për gjysmën tjetër dhe anasjelltas.

Po si u bë e mundur që pas katër muaj protestash, të gjitha në funksion të pamundësimit të realizimit të zgjedhjeve me 30 Qershor, ata u kryen në qetësinë më të plotë edhe pse në mënyrë eksplicite lidershipi demokrat dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim patën thënë se “do pamundësojmë fizikisht zgjedhjet” ? A mos pati një përllogaritje jo të saktë në planet e opozitës? Apo teoria e “heqjes së timonit”, të cilën opozita e bashkuar aplikoi, nuk doli ashtu siç mendohej?

Vertet, opozita luajti rolin e atij shoferit i cili shkul timonin e mjetit dhe e lë atë në rënie të lirë duke e u munduar të marrë përpara gjithçka. PD metaforikisht i hoqi timonin vetes duke lënë mandatet dhe duke mos marrë pjesë në zgjedhje me shpresën se do ta bllokonte qeverisjen dhe ta detyronte që të pranonte kushtet e saj. Por, si duket, opozita e bashkuar nuk e kishte llogaritur se mjeti me të cilin ajo udhëtonte, ishte i pajisur me pilot automatik të dizenjuar dhe komanduar nga ndërkombëtarët të cilët e përdërën këtë opsion për të mos e lejuar që automjeti të përplasej dhe të shkaktnte pasoja të rënda për demokracinë por edhe për jetën sociale të vendit.

Presioni i ndërkombëtarëve, ku rolin kryesor e luajnë SH.B A-të me zërin dhe figurën e z.Palmer, nën moton” çdo dhunë e bërë nga partitë opozitare do t’i listonte ata si organizata të dhunshme”, detyroi partitë e opozitës që të kujdesen jo vetëm të dalin nga mënyra e tyre e protestave, por edhe të thonë se po ruajmë vendi nga skenarët e dhunshme të pozitës. Në shkrimin tim tek gazeta “Panorama” në mesin e muajit të kaluar, pata shkruar se ndeshja për eleminatore nuk është mes Bashës dhe Ramës, por mes Bashës dhe ndërkombëtarëve. Ngjarjet treguan se ndërkombëtarët detyruan Bashën të lëvizte realisht nga aksioni i tij. Gabimi me i madh i PD ishte se luajti keq me kartën fituese qe kishte.

Kanabizimi i vendit, dy ministra të brëndshëm të inkriminuar, korrupsioni deri në delir, lidhja me bandat kriminale, mega aferat e PPP-ve, si dhe qindra bëma te qeverise Rama, nuk peshuan me rëndë se sa preçedenti i lënies së mandateve dhe moshyrja në zgjedhje. Pra, PD nuk e peshoi sa duhet situatën dhe nga gjuetare u kthye ne gjahun e ndërkombëtareve. Ky është nje rast për të kuptuar se politika ndërkombëtare ka disa kufinj te panegociueshëm. Këta kufinj, iu vendosën edhe Rames pas 21 Janarit. Gabimi tjeter i PD-së, ishte aleanca moralo-politike me LSI. Nuk mund te pretendohet të kesh nesër një qeveri të moralshme politikisht nëse buron nga një aleancë e pamoralshme. Si herën e parë në bashkeqeverisje, edhe kësaj here, LSI po e tërheq poshtë PD në gropën e saj.

30 Qershori ishte një leksion i dhënë i cili tejkalon Shqipërinë dhe ishte adresuar gjithë politikbërjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me 30 Qershor, ndërkombëtarët zhbënë preçedentin e lënies së mandatave dhe mospjesmarrjes në zgjedhje duke vendour një kufi të ri politik për këdo nga forcat politike që do të donte që Ballkanin ta transformonte nga krize politike në krize etnike. Pra, fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve nuk ishin shqiptarët, por ndërkombëtarët. Çështja është se sa më shpejt të kuptohet nga opozita dhe Presidenti i Republikës ky fakt , aq më shpejt ne i kthehemi stabilitetit. Sa më shumë të anohet nga rrezistenca ndaj këtij realiteti, aq më tepër kriza zgjat dhe thellohet.

Partia Demkratike duhet t’ i kthehet urgjentisht thelbit te saj te djathte qe zanafillon nga vlerat ne menyre qe ta ekuilibroje politiken tone dhe ta shpetoje ate nga autokracia dhe arroganca e majte. Vetëm futja e vlerave në politikën shqiptare dhe kapja fort mbas tyre, do ta shëronte skenën tonë të kalbur poltike. Jo vtëm kaq, por do t’i jepte një shpresë elektoratit i cili sorollatet prej dekadash duke pëzgjedhur gjithmonë të keqen më të vogël e cila, si puna e qershive të përmjerrura, kthehej në të keqen më të madhe për të gjithë ne.