“Paguhet 100 mijë dollarë në muaj nga Serbia”, Grenell: Nuk kam marrë asnjë cent

Ish i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i hodhi poshtë me forcë pretendimet e analistit serb, Dushan Janjiç sipas të cilit “Serbia i paguan Grenellit 100 mijë dollarë për muaj” për të lobuar për të. Grenell e quajti këtë një “lajm të rremë” dhe një turp.

Është absolutisht një gënjeshtër”, u shpreh ish zyrtari i lartë amerikan. Anjë cent nuk kam marrë nga Beogradi, këmbëngul ai.

Sipas Janjiç, politikani amerikan i mbron haptazi interesat e Serbisë sa herë që i jepet rasti. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse kanë të drejtë ata që pretendojnë që Vuçiç ka dhënë shuma të majme parash për lobim, analisti tha se nuk e di saktë shumën, por sipas tij “janë dhënë shumë para”.

Ne madje e paguajmë edhe Grenellin nga 100 mijë dollarë në muaj, nuk e di pse, kur shefi i tij nuk është në pushtet”, ishte komenti i opinionistit.

Richard Grenell më herët kujtoi faktin se një vit më parë, më 4 shtator, bota festoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Normalizimit Ekonomik Kosovë-Serbi në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas Grenell, presidenti Donald Trump kishte ulur së bashku kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hotin si dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç duke ndërmarrë një hap të madh drejt zgjidhjes së konfliktit të tyre historik.

Ishte vizioni i Donald Trump për Kosovën dhe Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe për të ndihmuar në krijimin e një rigjallërimi të plotë në të gjithë Ballkanin. Presidenti Trump besonte se konflikti i perceptuar po ndikonte në krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik për të gjithë vendet e përfshira. Ai gjithashtu besonte se strategjia e të folurit të vazhdueshëm rreth politikës, e udhëhequr nga evropianët, nuk po funksiononte”, tha Grenell.