Kosova regjistron 38 raste të reja me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njoftoi më 2 janar se janë regjistruar edhe 38 raste të reja me koronavirus.

Brenda 24 orëve të fundit, sipas njoftimit, nuk u regjistrua asnjë vdekje nga COVID-19.

Numri i rasteve të reja doli pas testimit të 3,711 mostrave.

Sipas njoftimit, raste aktive me koronavirus në Kosovë aktualisht janë 540.

Sa i përket vaksinimit kundër koronavirusit, në 24 orët paraprake janë administruar 330 doza të vaksinës.

Në Kosovë, deri më tani, me dy dozat e vaksinës janë imunizuar 783,180 persona.

Rikujtojmë se në Kosovë, të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç dhe ata mund të marrin njërën nga dy vaksinat që përdoren në Kosovë: AstraZeneca dhe Pfizer.

Ndërkaq, personat mbi 18 vjeç, që janë imunizuar me dy doza para tre muajsh, kanë të drejtë që të vaksinohen me dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit.