Shteron propaganda! Ramës i mbarojnë postimet për tërmetin, përsërit veten, e ndjek Ekonomi

Ajo që ndryshon në këto postime janë fjalët e shkruara krah fotove, por përmbajtja mbetet e njëjtë, shtëpitë janë gati për të strehuar 45 familje!

Qeverisë Rama siç duket i kanë shteruar dhe postimet për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit dhe ripërsërisin të njëjtat postime. Facebook ka qenë gjithmonë një kanal përmes të cilit vetë kryeministri Edi Rama është kujdesur të ndajë çdo hap të qeverisjes së tij me qytetarët, por po ai po i zbulon mungesën e risive. Të njëjtat fotot që tregojnë banesat e reja të ndërtuara në Golem, një nga zonat më të prekura nga tërmeti e që do të strehojnë 45 familje, janë shpërndarë dy herë nga Kreu i Qeverisë. Postimi i parë është bërë më 11 shkurt dhe postimi i dytë, sot, 13 mars.

Ajo që ndryshon në këto postime janë fjalët e shkruara krah fotove, por përmbajtja mbetet e njëjtë, shtëpitë janë gati për të strehuar 45 familje! Përveç faktit që e njëjta vepër reklamohet dy herë, në mungesë të një tjetre, pyetja që lind është, këto pallatet ishin gati më 11 shkurt apo sot, kur ka kaluar më shumë se një muaj? Akoma më keq do të ishte nëse do apartamentet në fjalë do të jetë ‘gati’ në një postim të tretë për të ristrehuar 45 familjet e mbetura pa shtëpia për shkak të tërmetit tragjik.

Por, nuk është vetëm Rama ai që i bën këto ‘gabime’. Pas e ndjekin ‘qorrazi’ dhe deputetet. Një prej tyre është Milva Ekonomi, e cila ishte edhe kryesuesja e listës së Partisë Socialiste në Durrës, për zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021. Të njëjtat foto me të njëjtin tekst e në të njëjtat data, shfaqen gjithashtu në profilin e Ekonomit.