“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tone”, ka shkruar Osmani në telegramin drejtuar homologut shqiptar

“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tone”, ka shkruar Osmani në telegramin drejtuar homologut shqiptar

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar presidentin e Shqipërisë Ilir Meta dhe gjithë shqiptarët për 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Osmani nëpërmjet një telegrami dërguar homologut shqiptar ka thënë se Dita e Flamurit është e veçantë, ndaj duhet rikujtuar trashëgimia historike e kulturore.

Ajo tha se flamuri kombëtar prek ndjenjën e ekzistimit të kombit shqiptar në histori, “prandaj, nuk është aspak rastësi që shqiptarët janë ndër të paktët popuj, i cili, duke treguar respektin e skajshëm ndaj këtij simboli, e ka lartësuar atë edhe në simbolin tjetër, himnin kombëtar”.

“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e ngulmimit për vlerat e lirisë dhe e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, po shndërrohen dalëngadalë në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”, përfundon telegrami i Osmanit dërguar presidentit Meta.

Për nder të Ditës së Flamurit Kombëtar shqiptar, në sheshet e kryeqytetit të Kosovës janë vendosur sot flamuj kombëtar kuqezi. Gjithashtu, në qendër të Prishtinës për nder të 108-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari do të mbahen edhe paraqitje të ndryshme kulturore-artistike.