44% e të punësuarve më 2021 ishin në bujqësi e peshkim, 90% nuk marrin pagë

INSTAT raportoi se gjatë vitit 2021 ishin të punësuar në të gjithë vendin 1,248,749 persona sipas të dhënave që u grumbulluan nga Anketa e Forcave të punës, por gati gjysma e tyre, 44 për qind ishin të punësuar në sektorin bujqësor, pyjeve dhe peshkimit.

Duke krahasuar përqindjen e të punësuarve në bujqësi me punësimin total rezulton se rreth mbi 540 mijë persona janë të aktivizuar me punë në bujqësi, pyje e peshkim. Por pavarësisht se bujqësia është punëdhënësi më i madh në vend, vetëm 10 për qind e të punësuarve marrin pagë.

Deri në mesin e vitit të kaluar rreth 54 mijë të punësuar në bujqësi kishin paguar sigurime shoqërore, ndërsa pjesa tjetër prej 90 për qind raportohen si të vetëpunësuar pa pagesë.

Shqipëria është nga vendet e pakta në Europë që pothuajse gjysma e të punësuarve në vend nuk marrin pagë, kjo për shkak të strukturës së punësimit në sektorin bujqësor.

Sipas vlerësimeve të anketës për vitin 2021, rezulton se 47,9 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 32,0 % janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 20,1 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

Teksa tregu i punës në zonat urbane ka filluar të ketë mungesa të mëdha për punonjës shihet se hapësirat janë të mëdha për alokimin e punonjësve në sektorin bujqësor drejt sektorëve me produktiv.

Sektori bujqësor i Shqipërisë mbizotërohet nga një fragmentin i lartë i tokës me ferma mesatarisht 1 hektar. Pjesë të mëdha të sektorit vazhdojnë të jenë informale dhe gratë që përfaqësojnë 80 për qind të punësimit në bujqësi.

Të dhëna më të detajuara tregojnë nen-punësim, pasi puna është e përqendruar në sezone. Në shumicën e qarqeve të vendit punonjësit e bujqësie punojnë 60 për qind të orareve zyrtare në Kodin e Punës, ndonëse INSTAT raporton se punonjësit që harxhojë më shumë kohë në punë janë bujqit.

Banka Botërore në një studim të posaçëm për tregun e punës në Shqipëri që u publikua këtë vit sugjeroi se më shumë trajnime janë të nevojshme për forcën e punës që jeton në fshat në mënyrë që të integrohen në sektorë të tjerë ku ka më shumë nevoja dhe produktiviteti është më i lartë.

Në Shqipëri, bujqësia dhe turizmi janë një kontribuues të mëdhenj në ekonomi dhe një burim i rëndësishëm punësimi, por kanë ende hapësira të mëdha për produktivitetin e punonjësve./B.Hoxha