60 milionë europianë rrezikojnë të shkarkohen nga puna, të pezullohen përkohësisht ose tu ulet paga

Profesionet që nuk kërkojnë kontakt të ngushtë me të tjerët, përfshirë financierët dhe arkitektët, konsiderohen me rrezik të ulët, së bashku me ato që ofrojnë shërbime thelbësore siç është policia.

Afro 60 milionë vende pune në të gjithë Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar janë në rrezik nga pandemia e koronavirusit, sipas McKinsey.

Firma këshilluese paralajmëron në një raport të botuar të hënën se niveli i papunësisë në BE mund të rritet nga rreth 6% në më shumë se 11% dhe të mbetet i lartë për vite me rradhë nëse virusi nuk vihet shpejt nën kontroll.

McKinsey vlerëson se një në katër vende pune në të gjithë Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar janë në rrezik nga ulja e orareve të punës, ulja e pagës, pezullimi i përkohshëm apo edhe largim i përhershëm nga puna.

Profesionet që nuk kërkojnë kontakt të ngushtë me të tjerët, përfshirë financierët dhe arkitektët, konsiderohen me rrezik të ulët, së bashku me ato që ofrojnë shërbime thelbësore siç është policia.

Rreth 55 milionë punëtorë janë të punësuar në profesione me rrezik të lartë, duke përfshirë arkëtarët, kasierët, kuzhinierët, punëtorët e ndërtimit, stafet e hoteleve dhe aktorët.

Sipas një skenari në të cilin Europa nuk arrin të përmbajë virusin brenda tre muajve dhe detyrohet të vazhdojë masat për distancimin shoqëror gjatë verës, shkalla e papunësisë në BE do të arrijë kulmin në 11.2% në 2021, me një shërim të plotë të pamundur deri në vitin 2024.

McKinsey tha që bizneset dhe qeveritë duhet të lëvizin shpejt për të mbrojtur vendet e punës. Kompanitë duhet të ulin kostot, të veçojnë ndërrimet e punës dhe të mundësojnë punën në distancë kur është e mundur. Qeveritë duhet të japin garanci për hua, lehtësim taksash dhe pagesa të garantuara për punëtorët, disa prej të cilave tashmë janë duke u zbatuar në të gjithë Europën.

Mbretëria e Bashkuar po mbulon 80% të pagave të punëtorëve për të paktën tre muajt e ardhshëm deri në maksimum 2.500 paund në muaj. Gjermania dhe Franca kanë programe të ngjashme. Paketa e lehtësimit të koronavirusit të Bashkimit Europian përfshin deri në 100 miliardë euro në subvencione pagash që synojnë parandalimin e largimeve nga puna në masë, si dhe qindra miliarda kredi për bizneset dhe për qeveritë e BE-së./CNN