700 mijë $ për një foto me Trump, Meta paralajmëron gjyq në Vjenë

Presidenti Ilir Meta e cilësoi një mashtrim të ricikluar nga ‘rilindja’ shkrimin e gazetës austriake “Kronen Zeitung” që e akuzon se ka paguar 700 mijë dollarë për një foto me presidentin amerikan Donald Trump ditën e betimit të tij si president. I pyetur nga gazetari i Euronews Albania, Ardit Hoxha se ç’koment kishte lidhur me…

meta

Presidenti Ilir Meta e cilësoi një mashtrim të ricikluar nga ‘rilindja’ shkrimin e gazetës austriake “Kronen Zeitung” që e akuzon se ka paguar 700 mijë dollarë për një foto me presidentin amerikan Donald Trump ditën e betimit të tij si president.

I pyetur nga gazetari i Euronews Albania, Ardit Hoxha se ç’koment kishte lidhur me artikullin në fjalë, Meta tha se ka lajmëruar ambasadën shqiptare në Austri, ndërsa paralajmëroi padi për autorët e shkrimit, emrat e të cilëve siç tha shumë shpejt do t’i bëjë publikë.

“Do jetë edhe një gjyq në Vjenë për këtë shkrim të kësaj gazete. E gjitha është vetëm një mashtrim. Këto foto i kam bërë që 30 vjeç me personalitete nga e gjithë bota, e kam nxjerrë mallin e fotos. As nuk kam paguar e as nuk do të paguaj asnjë cent për asnjë lloj fotoje apo lobimi.

Kemi njoftuar ambasadën në Vjenë për t’i informuar për korrektësi. Por të mos isha president nuk do t’i padisja. Ato do të shkojnë në gjyq dhe ka garë të madhe nga avokatët atje për të më përfaqësuar mua. Do t’i nxjerrë me emër të gjithë ata që kanë shkruar”, – tha Meta.

Meta theksoi se kjo është një çështje që ka marrë përgjigje shteruese në vitin 2018 nga LSI, dhe shpjegoi se në 2017 ka qenë në SHBA bashkë me deputetin e LSI Petrit Vasili, i ftuar nga komiteti organizator i ceremonisë në cilësinë e kryetarit të parlamentit.