Reshjet e dendura të shiut gjatë ditës së djeshme kanë sjellë përmbytje në shumë zona të vendit, ku më problematike shfaqet situata në zonën e Shkodrës.
Situata e përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve intensive dhe shkrirjes së dëborës në basenet e lumnjëve Drin dhe Buna, po shkon drejt ekstremeve të paparashikuara.
Liqeni i Shkodrës, që ka shkuar në kuota maksimale ka përmbytur tashmë lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, ku niveli i ujit raportohet të jetë 40-50 cm. Ndër lagjet e përmbytura është edhe lagjia e Shirokës siç shihet në pamjet e mëposhtme, është totalisht e paralizuar nga liqeni i cili ka kaluar bordurat e pedonales.
Në pak ditë, sipërfaqja e tokës nën ujë nga 1540 hektar është rritur në rreth 4000 ha dhe sipas paralajmërimeve të sotme të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit pritet zgjerim i zonave të përmbytura, veçanërisht në NënShkodër dhe afër Liqenit të Shkodrës.



