Nuk është një përjashtim nga rregulli. Jo, ky është rregulli vetë që na ndjek të paktën këto tre dekada demokraci. Krimi në fushatë zgjedhore! Nuk janë vetëm partitë politike që me padurim presin fushatat elektorale për të “vrarë” kundërshtarin politik, Jo, janë edhe bandat kriminale, organizatat mafioze, të cilat presin fushatat për të vrarë realisht kundërshtarët e tyre. E ku ka mirë se sa në fushatë! Në fushtatë të gjithë diskutojnë për krimin si abstraksion përveçse për krimin konkret. Ai është subjekti më i papërmendur, emrat e të cilit kanë ngelur gjithnjë anonimë. Retorika elekorale i anashkalon, gjuha nuk flet për emra reale, për ngjarje konkrete, për institucione tipike, të cilat janë kthyer në një ansambël perfekt që i jep alibinë më të madhe atij.
Në fushatë kriminelët janë si puna e kandidatëve. Të parët ndryshojnë se nuk mbajnë kostume por tuta dhe kapuçë dhe kur takojnë ato pak njerëz, i vrasin ata. Të dytët pa tuta e kapuçë, dhe kur takojnë shumë njerëz, i vrasin mendërisht duke i lënë gjallë me shpresa dhe premtime boshe. E ku ka më mirë se sa fushata për krimin dhe kriminelin. Beteja për vëmendje është përqëndruar në boshtin e pushtetit, ndërkohë që rendi publik kërcen tangon e fushatës në funksion të partive politike dhe ku qetësia e rregulli gjejnë momentin më përfekt për t’u arratisur në drejtim të paditur. Bashkë me listën e kandidatëve të partive politike, ekziston edhe lista e kandidatëve të organizatave kriminale. Të parët presin për t’u votuar, të dytët presin për t’u masakruar. E ku ka më mirë se sa në fushatë! Me rrugë e sheshe kryesore plot me flamuj partish dhe me slogane që xhelozojnë vendet më të zhvilluara, ndërkohë që rrugicat e kthinat janë pre e zhurmës mbytëse të silenciatorëve.
Partitë në fund të fundit bëjnë hesapet e kandidatëve të mbetur në listat e palamentit të ri, ndërsa bandat bëjne hesapet e kandidatëve te eleminuar në “senatin” e krimit shqiptar. E ku ka më mirë se sa në fushatë! Një periudhë e ndërmjetme mes një rendi politik dhe një tjetrit që pretendon të vijë, ku instituicionet përqëndrohen në luftën për të angazhuar punonjësit e vet, ku policia nuk mun d t’i thotë jo partisë, ku prokurorë dhe gjykatës që kanë ngelur nga tufani i quajtur “refomë në drejtësi”, ndërtojnë bursën e pagesave në favor të krimit.Një periudhë perfekte për të fshehur gjurmë dhe për të lënë gjurmë të reja. Ashtu siç partitë mezi e presin fushatën, edhe bandat mezi e presin garën. Koha ku paaftësia dhe shpërqëndrimi, tarafllëku dhe korrupsioni, janë në ekstazën e vet, në pikën më të lartë të tyre.
Kronika televizive që rendisin jo vetëm emra të të ekzekutuarish por edhe mënyra e harta, skica e plane, se si plumba e bomba shpërthejnë në këtë orgji elektorale krimi. Askush prej nesh nuk çuditet, bile as edhe alarmohet, sepse të gjithë e dimë, të gjithë e ndjemë, të gjithë e kuptojmë se fushata është koha për testim jo vetë politik, por edhe për testim kriminal. Ne thjesht vetëm presim sa dhe si do jetë numri i të vrarëve, të bindur në verbërinë e paaftësisë dhe padëshirës së organeve të rendit për ta parandaluara një gjë të tillë.
Aq shumë është i lidhur krimi me politikën tek ne, sa në vetëdjet tona gëlon kureshtja jo vetëm se cili krah politik do të triumfojë por edhe se cila kastë bandash do të fitojë. Një palë zgjedhje politike që nuk janë anemike për shkak të gjallërisë së thriller-it të vrasjeve. Sa më shumë rriten premtimet elektorale nga njëra anë, aq më shumë kumbon zhurma e armëve nga ana tjetër. Një simetri fatale e cila në fakt tregon për gjënë më të trishtë, për atë se çfarë në thelb jemi dhe se çfarë në soft kemi.
Krimi është lakmusi i cili vërteton me provë se çfarë ngjyre merr politika në ditët e saja më delikate. Është përfundimi i ekuacionit politik i cili tregon se në stacionin e fudit të gjithë asaj maratonë hipnoze të ndëtuar me sherbetosje aksionesh politike, do të takohesh me pikën tënde të nisjes jo shumë por 30 vjet më parë. E ku ka më mirë se sa në fushatë! As logjika dhe as ndjenjat nuk janë të njëjta, një tërbim emocional që kapardiset me të gjithë fuqinë e vet e që zotëron mendjet e secilit. E ku ka më mirë se në fushatë, për të rifilluar nga fillimi betejën humbëse tridhjetëvjeçare të tranzicionit.



