I riu humbi jetën në magazinën te ‘Casa Italia’, Meta viziton familjen e Arjan Salës

Presidenti i vendit, Ilir Meta ndodhet ditën e sotme në familjen e Arjan Salës. Kreu i shtetit ka shkuar për ti shprehur ngushëllimet për humbjen e jetës së të riut.

Sala humbi jetën për shkak se u bllokua nga zjarri që ra në magazinën e qendrës tregtare “Casa Italia”. 32-vjeçari hyri për të shpëtuar punonjësit, ndërsa nuk mundi të shpëtonte vetë duke humbur në këtë mënyrë jetën si hero në krye të detyrës.

Zjarri nisi pasditen e së mërkurës rreth orës 15:00 një magazinë tek Casa Italia. Sipas dëshmitarëve, Sala ka shpëtuar rreth 20 punonjës të tjerë, e vetë është futur për të shuar zjarrin, por fatkeqësisht nga aty nuk ka mundur që të dalë. Ndërkohë që ende nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit në magazinë, por paraprakisht raportohet se një defekt elektrik mund të ketë bërë të mundur aktivizimin e flakëve. Do të jetë grupi hetimor, ai që do të zbulojë gjithë dinamikën e ngjarjeve tek godina në hyrje të Tiranës.