Kreu i Bordit të Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEİK) të Turqisë, Nail Olpak tha se kryeministri i Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Libisë, Abdul Hamid Dbeibah ka theksuar se dëshirojnë të punojnë me kompanitë turke në projekte “shumë serioze” dhe se bëhet fjalë për marrëveshje të reja në fushën e energjisë dhe shëndetësisë.
Olpak në një prononcim për Anadolu Agency (AA) vlerësoi vizitën që kryeministri libian Dbeibah zhvilloi në Turqi.
Ardhja e Dbeibah me një delegacion të gjerë është tregues i vlerës që ai u kushton marrëdhënieve mes dy vendeve, tha Olpak i cili shtoi se qasja e ngrohtë dhe mbështetja që Turqia dha ndaj Libisë ka filluar të reflektojë edhe në marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike.
“Procesi i paqes që ka filluar aktualisht është gëzim për të gjithë ne. Kur mendojmë marrëdhëniet dhe miqësinë tonë në të kaluarën, dëshiroj të vendos theksin edhe mbi këtë pikë”, tha Olpak i cili rikujtoi se Libia ka kaluar një proces të vështirë për shkak të luftës së brendshme që ka filluar në vitin 2011.
Olpak tha se deklaratat e Dbeibah pas takimit me presidentin Recep Tayyip Erdoğan janë shpresuese nga pikëpamja e botës së biznesit turk ku dhe takimi i tryezës së rrumbullakët ku u takua me biznesmenët ka qenë shumë i frytshëm.
“Kryeministri iu përgjigj të gjitha pyetjeve”
Dbeibah ka një qasje më pragmatike ndaj ngjarjeve për shkak se ai vjen nga bota e biznesit, nënvizoi Olpak. “Ka projekte të papërfunduara mes nesh dhe Libisë dhe në lidhje me këtë ka probleme lidhur me letrat e sigurisë. Kompanitë tona në këtë takim i përcollën një e nga një pyetjet dhe propozimet e tyre. Kryeministri iu përgjigj të gjithave një e nga një. Kur ishte e nevojshme u dha fjalën ministrave përkatës. Për ne kjo ishte një qasje e rëndësishme”, tha ai.
Duke përmendur kërkesën e botës së biznesit për kthimin në ambasadë zyrën e të ngarkuarit me punë të Libisë në Ankara, Olpak theksoi se Dbeibah deklaroi se edhe për këtë çështje do të veprojnë me shpejtësi.
“Dëshirojmë të punojmë me ju në projekte serioze”
Pasi përcolli se nga kryeministri Dbeibah kanë marrë premtim për aksion të shpejtë lidhur me heqjen e plotë të vizave dhe nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë mes dy vendeve, Olpak theksoi:
“Dbeibah tha se ‘E dinë që ne po kalojmë një periudhë të vështirë. Jeni të vetëdijshëm për çdo gjë. Ne nuk dëshirojmë vetëm përfundimin e projekteve që kanë mbetur përgjysmë, sepse ato do t’i përfundoni, por ne në të ardhmen kemi projekte të tjera shumë serioze. Lidhur me këto projekte ne duam të punojmë kryesisht me Turqinë sepse me ju kemi një të kaluar shumë të gjatë dhe kjo duhet të vazhdojë në bazë të projekteve. Gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se vetëm shkallët duhet të ngjiten një e nga një. Ju, bota e biznesit do ta kuptoni se çfarë dua të theksoj këtu‘. Ai kërkoi që ne të tregojmë mirëkuptim dhe për mendimin tim kjo qasje është pritur pozitivisht nga i gjithë delegacioni turk”.
Olpak njoftoi se të dyja palët kanë shprehur dëshirën që edhe pas Festës së Bajramit pas Ramazanit në Libi të mbahet në bazë sektoriale një takim i ngjashëm me tryezën e rrumbullakët hibride që u zhvillua në Turqi, madje kjo çështje ka filluar të bisedohet me zyrtarët e nivelit të lartë.
“Mund të ketë edhe pasuri nëntokësore përveç naftës”
Olpak shpjegoi se vëllimi tregtar mes dy vendeve vitin e kaluar tejkaloi 3 miliardë dollarë dhe se marrëdhëniet tregtare me Libinë nuk duhet të “shihen vetëm si kontraktuese dhe ndërtimi”.
Pasi njoftoi se vendi ka mundësi në sektorin e energjisë, Olpak tha se “Libia ka një mungesë, ndërprerje elektrike serioze në fushën e energjisë. Kjo ishte një prej temave të rëndësishme të takimit. Në vazhdim të kësaj ka nevoja serioze, përfshirë edhe rafineritë lidhur me naftën. Vendi duhet të vlerësohet bashkë me këto. Të mos e shohim vetëm naftën si pasuri nëntokësore që nuk vjen në rend dite në Libi. Unë mendoj se mund të ketë edhe pasuri nëntokësore përveç naftës”.
“Përveç atyre të nënshkruara në Ankara, ka edhe marrëveshje të tjera që kanë ardhur në fazën e nënshkrimit në fushën e prodhimit të energjisë. Brenda një apo dy javëve të ardhshme ka protokolle të tjera që do të nënshkruhen lidhur me formimin e centralëve. Nuk është vetëm ndërtimi i centraleve, por në të njëjtën kohë edhe pjesa e shpërndarjes, ku Libia po përjeton problem. Në tryezë i pranishëm ishte edhe kreu i Kompanisë së Shpërndarjes Elektrike të Libisë. Edhe ai ishte një pikë e rëndësishme e kësaj pune”, tha Olpak i cili shtoi se Turqia po përjeton një proces të frytshëm të mbështetjes dhe qasjes së ngrohtë që ka dhënë ndaj Libisë.
Pasi potencoi se në vend ka nevojë edhe për investim në fushën e shëndetësisë, Olpak tha: “Në takimin e tryezës së rrumbullakët ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë. Do të vazhdojë bisedimet direkte me kompani të caktuara. Edhe ndërtimi i spitaleve dhe menaxhimi i tyre janë çështje në rendin e ditës”.
Pas takimit kokë më kokë mes Erdoğan dhe Dbeibah si dhe ndërmjet delegacioneve që u zhvilluan më 12 prill në rezidencën presidenciale në Ankara, u nënshkruan 5 marrëveshje kryesisht “Protokolli lidhur me ndërtimin e centralit elektrik në Libi”, “Memorandumi i mirëkuptimit lidhur me ndërtimin e 3 centraleve elektrike në Libi”, “Memorandumi i mirëkuptimit lidhur me ndërtimin e Terminalit të ri Ndërkombëtar të Aeroportit të Tripolit”, “Memorandumi i mirëkuptimit lidhur me ndërtimin e një Qendre të re Tregtare në Tripoli” dhe “Memorandumi i mirëkuptimit lidhur me bashkëpunimit strategjik mes Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Shtetit të Libisë në fushën e medias”.



